Bota

Italia përballet me një valë të rrezikshme të nxehti, 18 viktima në më pak se dy javë

Shkruar nga Liberale.al

Italia përballet me një valë të rrezikshme të nxehti,

Italia po kalon ditë shumë të vështira për shkak të një vale ekstreme të nxehti që ka përfshirë pothuajse gjithë vendin. Deri tani, të paktën 18 persona kanë humbur jetën si pasojë e temperaturave të larta, shumica prej tyre punëtorë që ishin të detyruar të punonin jashtë në vapë.

Punonjës ndërtimi, shoferë kamionësh, dhe persona që punonin në rrugë janë ndër më të prekurit. Një rast tragjik ndodhi dje në qytetin Frosinone, ku një punëtor humbi jetën nga një atak kardiak ndërsa po punonte në rrugë për vendosjen e fibrës optike. Po aty, një shofer kamioni u rrëzua pranë një pike pagese dhe nuk arriti të mbijetojë.

Spitalet janë mbushur kryesisht me të moshuar që vuajnë nga dehidratimi dhe goditjet e të nxehtit. Edhe burgjet janë në kushte shumë të vështira, pasi mungon ajri i kondicionuar dhe temperaturat në qeli janë të papërballueshme.

Në disa qytete të mëdha si Roma, Milano, Torino dhe Veneto, autoritetet kanë ndaluar punën në ambientet e hapura nga ora 12:30 deri në 16:30, në ditët kur është shpallur alarmi i kuq për temperaturat. Por kjo masë nuk zbatohet për punonjësit e sektorit publik, ku mungon ende kontrolli i duhur.

Temperaturat e larta kanë shkaktuar probleme edhe në fabrika, sidomos në industrinë metalurgjike, ku temperaturat kanë kaluar 40 gradë Celsius dhe shumë punëtorë janë larguar për shkak të gjendjes shëndetësore.

Sipas ekspertëve, kjo situatë nuk është më e përkohshme, por pjesë e ndryshimeve klimatike. Ata thonë se “Roma dhe Parisi kanë tashmë klimën e Tunizisë gjatë verës”, dhe kërkojnë masa afatgjata për të mbrojtur qytetarët.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH