Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) do të zhvillojë ditën e premte, më 30 maj 2025, një seancë publike për të shqyrtuar ankesat e depozituara nga Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve në tre qarqe: Kukës, Dibër dhe Korçë.
PD ka kundërshtuar tabelat përmbledhëse të rezultateve të votimit në këto qarqe, duke kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve të 11 majit dhe përsëritjen e tyre në të gjithë zonat përkatëse.
Rendi i ditës së seancës së nesërme:
Ora 10:00 – Vijimi i shqyrtimit të kërkesës ankimore për qarkun e Kukësit, ku PD kundërshton vendimin e KQZ për miratimin e rezultatit dhe kërkon përsëritjen e zgjedhjeve në këtë qark.
Ora 13:00 – Shqyrtimi i kërkesës për qarkun e Dibrës, ku PD po ashtu kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve dhe përsëritjen e tyre.
Ora 15:00 – Shqyrtimi i ankimimit për qarkun e Korçës, me të njëjtën kërkesë për anulimin e rezultatit dhe përsëritjen e procesit zgjedhor.