Në emisionin “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon, ku u fol për të majtën shqiptare ndër vite, ishte ish-ministri i Partisë Socialiste, Arben Malaj.
Ai tha se në tranzicionin politik të vendit, PS-ja e paravitit 2005 ishte forca demokratike e parë në vend. Sipas tij kontributi i Fatos Nanos, Dritëro Agollit dhe shumë personaliteteve e kthyen atë në një parti moderne.
“Rrëzimi i murit të Berlinit dha mesazhin se sistemi kishte dështuar. Nuk mund të themi se lidershipi i asaj kohe nuk ishte i arsimuar.
Pas viteve ’90 u krijua PD-ja, që për të mundur PS-në bëri aleancë me të gjitha grupet sociale. Fatkeqësisht kjo strukturë i mbeti peng në të gjitha strukturat e saj.
Në tranzicionin politik të vendit tonë, PS e paravitit 2005 ishte forca demokratike më e para në vend. Bëri gjënë më të vështirë, se krijoi një parti të re. U arrit të bëhej modernizimi i PS-së.
Kjo sinergji e partisë do të kthehej në sinergji për vendin. Kontributi i Nanos, Dritëroit e shumë personaliteteve ishte që e kthyen në një parti moderne. Shqipëria është në vendet e pakta në Lindje që nuk ka përfaqësim të Partisë Komuniste që nga viti 1992.”