Politikë

Meta shpërthen ndaj Braimllarit: E konvertoi SPAK-u në rilindas

Shkruar nga Liberale

Meta shpërthen ndaj Braimllarit: E konvertoi SPAK-u në rilindas

Nga burgu Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka publikuar një dokument, sipas tij të SPAK, ku tregohet se ish-anëtari i kësaj force politike, Endrit Braimllari ishte personi përgjegjës për firmosjen e lobimeve në emër të LSI-së gjatë periudhës 2018-2019.

Në atë kohë, Braimllari ishte Sekretar i Përgjithshëm i PL, ish-LSI, ndërsa Meta mbrohet me faktin se ai nuk ka pasur funksione në parti, pasi asokohe ushtronte ende detyrën e Presidentit të Republikës.

Në postimin e tij, Meta akuzon Braimllarin se po përpiqet të fshehë përgjegjësinë e tij dhe t’i mohojë firmat që ka hedhur vetë.

“Endrit Braimllari është shembulli më i qartë i mënyrës se si SPAK-u arrin t’i konvertojë njerëzit pa karakter në ‘rilindas’ të denjë – gënjeshtarë. Vetëm një ‘rilindas’ mund të harrojë firmat që ka hedhur vetë dhe arsyet për të cilat i ka bërë. Ai është një gënjeshtar ordiner, që përpiqet të fshihet pas harresës, por e vërteta nuk fshihet as me lojëra fjalësh, as me konvertim teserash partie.”

Meta thekson se distancohet nga firmat e hedhura prej Braimllarit, të cilin më tej e akuzon se duke dëmtuar Partinë e Lirisë, vazhdoi karrierën politike si i “graduar” i PS në postin e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Ai ngre dyshime edhe mbi rolin e kreut të SPAK, Altin Dumanit, duke e pyetur në mënyrë retorike nëse është ky personi që ka firmosur dokumente zyrtare që po mohohen tashmë.

“Për firmat e tij unë qëndroj në izolim ekstrem, ndërsa Endriti “gradohet” nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Apo mos ndoshta është Altin Dumani që gënjen në shkresën zyrtare të firmosur prej tij?”, shkruan Meta.

Liberale Newsroom

A mund të shihen si shpresëdhënës politikanët e rinj për të përmbysur raportin tradicional të dy partive të mëdha në qeverisje prej ‘92?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH