Leonard Duka, i dyshuar si një nga autorët e vrasjes së Santiago Malkos, ngjarje kjo e ndodhur në gusht të viti 2019, ka dëshmuar sot për herë parë në GJKKO.
Burime për mediet bëjnë me dije se ai ka deklaruar se ditën e ngjarjes është shoqëruar nga policia dhe më pas e ka marrë vesh për ngjarjen.
“Ditën e ngjarjes jam shoqëruar nga policia. Kur më shoqëruan kam mësuar për ngjarjen. Kam qenë para shumë vitesh me të ndjerin. Kemi pasur shoqëri të përbashkët. Nuk e di pse jam këtu.
Kam qenë në lokalin tim deri në orën 10, pasi mbylla lokalin, po ikja për në shtëpi më ndaloi policia. Si cdo ditë me punët, kemi ngrënë një drekë me stafin dhe pastaj kam vazhduar rrjedhën.
Kam qenë me vëllain tim, Erlis Duka, më ka bërë shenjë policia dhe shkuam në polici. Policia bëri punën e vetë në mënyrën më njerëzore, asnjë kundërshtim me mënyrën si më shoqëruan, më kanë nxjerr ditën tjetër.
Unë se dija kush kishte vdekur, aty e mora. vesh. Më pyetën, u thashë që nuk kam lidhje me ngjarjen, kam treguar për njohjen e vjetër miqësinë me të ndjerin. Pasi rregulluan letrat në mënyrë korruptive, më shpallën në kërkim. Mund të më thoni ju prokuror pse jam këtu, se unë nuk e di", mësohet se ka thënë Duka.
Leonard Duka u ekstradua nga Belgjika në gusht të këtij viti.
Pas megaoperacionit policor, Metamorfoza 2 ku u zbardhën biseda në Sky Ecc të kokave të krimit në Shqipëri dhe u zbardhën disa vrasje dhe tentativa për vrasje, Duka u shpall sërish në kërkim dhe më 18 maj 2024 u vu në pranga në Belgjikë.
Duka njihet edhe si kreu i ‘klanit Duka’, grup kriminal që ka pasur konflikt të vazhdueshëm me grupin e Ervis Martinajt.