Drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni, ka raportuar sot në komisionin e Sigurisë, duke u shprehur se ka pasur akuza të pabaza kundrejt SHISH, ndërsa ka shtuar se nuk ka takime të dyshimta të drejtorit të Shërbimit.
Në fjalën e saj, Hyseni theksoi se është rritur bashkëpunimi me Prokurorinë e Posaçme dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.
Drejtuesja e SHISH ka folur edhe në lidhje me aktivitetet e shërbimeve ruse dhe serbe, të cilat sipas saj kanë qëndrim armiqësor ndaj vendit tonë.
“Jeni këtu bazuar në përcaktimin që ju jep Kushtetuta si krye e SHISH apo në bazë të përcaktimit që ju ka bërë kryeministri më 5 shtator 2023 duke ju quajtur si kryedispeçer e Shërbimit Shtetëror të Thashethemeve”, u shpreh deputeti i PD Ferdinant Xhaferri.
Bëhet me dije se takimi po mbahet me dyer të mbyllura, për shkak se Hyseni e kërkoi një gjë të tillë, në lidhje me natyrën e informacioneve që do të diskutohen në takim.