Gjendja shëndetësore e 11-vjeçarit që mbeti i plagosur 2 netë më parë në Tiranë, së bashku me të vëllanë dhe dy persona të tjerë, vijon të jetë kritike.
Të dy vëllezërit po përgatiten për t’u transportuar me avion sanitar drejt spitalit “Bambin Gesù” në Romë, ku do të marrin trajtim të specializuar mjekësor.
Mjekët e Spitalit të Traumës kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë arritur ta stabilizojnë të miturin, duke e mbajtur në parametra të qëndrueshëm. Por pavarësisht përpjekjeve, gjendja e tij shëndetësore mbetet e rëndë.
Në vend që të festonte ditëlindjen e 11-të, ai u bë viktimë e një atentati të egër, pa pasur asnjë lidhje me konfliktin që kërkonin të zgjidhnin autorët.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se dyshohet fort që autorët kanë ngatërruar shënjestrën. Ata kanë dashur të godasin dikë tjetër, që dyshohet se ka lidhje me familjen e Roan Brahimit.
Hetimet janë në vijim për të zbardhur plotësisht motivin dhe autorësinë e kësaj ngjarjeje tronditëse.