Pak më shumë se një muaj nga vendimi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të ngrirë fondet për vendet e huaja për një periudhë 90-ditore, të cilat prekën edhe SPAK e GJKKO, ekspertët amerikanë janë rikthyer në Shqipëri pranë institucioneve të posaçme të drejtësisë.
Burime për gazetaren e Top Channel Anila Hoxha bëjnë me dije se këtë të mërkurë përfaqësuesit amerikanë të OPDAT, të cilët kanë qenë me mision në Shqipëri para urdhrit të Donald Trump, kanë zhvilluar takime në ambientet e SPAK dhe GJKKO.
Urdhri i Trump për pezullimin e fondeve të huaja nuk preku vetëm institucionet e reja të drejtësisë, por edhe ministritë, Kuvendin e bashkitë. Presidenti Trump i cilësoi shumë prej shpenzimeve për programet për vendet e tjera si shpërdorim të taksave të amerikanëve, ndërsa urdhëroi një kontroll të imtësishëm se si shpenzohen këto fonde nga vendet e huaja.
Pas kontrollit 6-javor, ishte Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ai që njoftoi mbylljen e 83% të programeve të ofruara nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në të gjithë botën, por pa dhënë detaje se cilat vendet prekeshin. Ndërkohë, edhe vetë kryeministri Edi Rama, në disa dalje publike, tha se amerikanët janë larguar nga institucionet e posaçme.
Por, këtë të mërkurë të 26 marsit, ata janë rikthyer në institucionet e reja të drejtësisë shqiptare, SPAK e GJKKO, për të vijuar asistencën e tyre në kryerjen e hetimeve të korrupsionit në nivele të larta, por edhe të krimit të organizuar e veprave të tjera kriminale.