Pas gati 10 ditësh, kjo e martë shënon përfundimin e procesit të numërimit të votave si brenda dhe jashtë vendit, ndërsa PS konfirmohet sërish forcë e parë udhëheqëse
Gara për subjektet politike përfundoi e para, ndërsa selektimi i votave preferenciale për kandidatët ishte i ethshëm dhe me përplasje.
Përfshirja për herë të parë e votës së diasporës u dha shansin disa kandidatëve të fitojnë një vend në sallën e parlamentit, ndërsa të tjerët që mbetën jashtë me një diferencë të vogël votash kërkuan rishikim të pamjeve filmike.
Nga Parku Olimpik, drejtuesi politik i diasporës në PS, Taulant Balla iu bëri thirrje kolegëve të ruajnë qetësinë dhe të besojnë në procesin e transparencës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
“Secili është pjesë e një ekipi. PS respekton vullnetin e të gjithë qytetarëve, dhe atyre që na kanë besuar dhe ata që s’na kanë besuar. Falë betejave të PS kur ne kemi qenë në opozitë, nga viti 2009 kemi kërkuar të hapeshin kutitë dhe të rinumëroheshin për efekt transparence. Këtë betejë që e zhvilluam sapo na u dha mundësia e kodifikuam dhe ia kemi lënë KQZ. Mos harroni që në 2021, falë transparencës së KQZ ka pasur edhe numërues që janë ndjekur penalisht”, tha Taulant Balla.
Pas pretendimeve të ngritura më herët, deri më tani mësohet se Xhemal Qefalia dhe Etilda Gjonaj janë tërhequr nga kërkesa për rishikimin e pamjeve filmike
Dy kutitë e fundit që u numëruan ishin në KQZ, pasi më herët ishin konsideruar të pavlefshme. Kryekomisioneri urdhëroi rinumërimin e tyre, përkatësisht një kuti e Përrenjasit dhe një tjetër në Manz, ku rezultati u pasqyrua krah Partisë Socialiste.