Prej të paktën tre vitesh, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka qenë duke hetuar abuzimet me shqyrtimin e ankesave për tenderat në Komisionin e Prokurimeve Publike (KPP), duke përdorur edhe metoda speciale si përgjime telefonike.
Një nga çështjet kryesore që ka dalë nga ky hetim është ajo që përfshin kreun e pezulluar të KPP-së, Jonaid Myzyri. Sipas SPAK, ai dyshohet për shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publike, vepër që dyshohet të jetë kryer në bashkëpunim me persona të tjerë.
Në një përgjim të kryer nga SPAK në vitin 2022, një punonjëse e KPP-së dëgjohet duke biseduar me nënën e saj dhe duke folur hapur për mënyrën se si manipuloheshin procedurat. Ajo shprehet se kishte ndihmuar një palë të interesuar në mënyrë të verbër, ndërsa vendimet merren “si delet” dhe firmoseshin pa kundërshtime, ndërkohë që përfitimet ekonomike përfundonin në duart e të tjerëve.
“Na ofroi, mori informacione. Unë vajta dhe i shërbeva si qeni… firmosim ne, të gjithë si delet. I vemi ku të na thërrasin. Firmën ne, lekët ata,” dëgjohet të thotë punonjësja në përgjim.
Hetimet kanë zbuluar se abuzimet janë kryer me tenderin për mirëmbajtjen e rrugës Shpal–Ura e Repsit, me një gjatësi prej 58.7 kilometrash dhe një vlerë prej rreth 2.2 milionë euro. SPAK ka ngritur akuza ndaj Jonaid Myzyrit dhe shtatë punonjësve të tjerë të administratës, si dhe tre përfaqësuesve të një kompanie private.
Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Myzyrin, si dhe pezullimin nga detyra.