Detaje të reja dhe tronditëse kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë që ka ndodhur mbrëmjen e 23 korrikut në fshatin Frashër të Fierit, ku 26-vjeçarja Ermalinda Rama dyshohet se ka vrarë të atin, Anesti Rama, në bashkëpunim me Çlirim Doganin, një 55-vjeçar nga Roskoveci, me të cilin mendohet se kishte një lidhje dashurie.
Sipas hetimeve paraprake, Ermalinda dhe Çlirim Dogani dyshohet se kanë bashkëpunuar në eliminimin e Anesti Ramës, 56 vjeç, për shkak të kundërshtimit të këtij të fundit ndaj marrëdhënies së vajzës me shoferin e martuar. Dyshohet se viktima është mbytur me tel, ndërsa pas ngjarjes është tentuar të fshihen gjurmët e krimit.
Në dëshminë fillestare, Ermalinda ka pretenduar se i ati kishte ndërruar jetë pas një rrëzimi në banjë, por ekspertiza mjeko-ligjore rrëzoi këtë version, duke konstatuar shenja dhune dhe asfiksie.
Ndërkohë, një ditë më parë është arrestuar edhe bashkëshortja e viktimës, Valbona Rama. Ajo akuzohet se ka ndihmuar të bijën në pastrimin e trupit të Anesti Ramës, duke tentuar të zhdukë provat e vrasjes.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se Ermalinda ka pasur më parë tre fejesa të prishura, në të cilat ndërhyrja e të atit ka qenë vendimtare. Dyshohet se për këtë arsye, ajo e konsideronte babain si pengesë për jetën e saj personale, dhe kjo ka çuar në konfliktin fatal.
Çlirim Dogani ka mohuar çdo përfshirje në krim, duke pretenduar se ndodhej në fshatin e tij, Arapaj, në momentin kur ndodhi vrasja. Sipas informacioneve, 55-vjeçari ishte njohur me Ermalindën gjatë punës së saj në serat e zonës Suk 1 dhe Suk 2, ku ajo punonte si punëtore sezonale.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet janë të përqendruara në zbardhjen e plotë të motiveve dhe dinamikës së krimit makabër që ka tronditur opinionin publik.