Kryekomisioneri i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, deklaroi sot se në Shqipëri kanë mbërritur 201,795 fletë votimi nga zgjedhjet e diasporës.
Sipas tij, nga këto fletë, 199,824 janë të vlefshme, ndërsa 1,971 janë shpallur të pavlefshme.
“Jo të gjitha zarfet që kanë mbërritur kishin të gjitha dokumentet brenda, por kjo është brenda pritshmërive”, tha Celibashi në një deklaratë për mediat.
Teksa u pyet për mundësinë e një rinumërimi të votave nga Greqia, Celibashi tha se KQZ nuk ka kompetencë për ta vendosur vetë këtë. Sipas tij, nëse institucionet përkatëse konstatojnë shkelje që ndikojnë në rezultat, atëherë mund të merret vendim për rinumërim.