SPAK mbyll hetimet për dy tendera dhe çon për gjykim ish-zyrtarët e bashkisë Tiranë të akuzuar në saj të dosjes “5D”.
Prokuroria e Posaçme njofton se është provuar fakti se shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k (e njëjtë me shoqërinë me emrin “V.A.S Konstruksion” sh.p.k), e cila është zotëruar në mënyrë indirekte nga shtetasit Redi Molla dhe Mariglen Qato, ish funksionarë në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit të Drejtorisë në institucionet në varësi të Bashkisë Tiranë ka përfituar kontrata publike në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik nga autoritetet kontraktore “Tirana Parking” dhe “Klubi Sportiv Tirana”.
Nga provat e mbledhura gjatë hetimeve, është provuar fakti se e pandehura Deborah Keçi, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor është dakortësuar me përfaqësuesin e operatorit ekonomik “V.A.S Konstruksion” sh.p.k për ta shpallur fitues të procedurës së prokurimit që në fazën e përgatitjes së dokumenteve, ende pa u shpallur procedura.
Të pandehurit Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Rejnaldo Gjerazi, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, nuk kanë ushtruar në përputhje me ligjin detyrën e tyre për vlerësimin dhe klasifikimin e ofertave, por kanë vlerësuar dhe klasifikuar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik operatorin ekonomik “5D Konstruksion” sh.p.k, i cili ka qënë i paracaktuar për tu shpallur fitues nga e pandehura Deborah Keçi.
Gjithashtu nga veprimet hetimore të kryera gjatë hetimeve paraprake është provuar fakti se e pandehura Eglantina Zere, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking” institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me të pandehurit Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Rivjola Baxha, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), si dhe me të pandehurin Kristo Zhulati në cilësinë e anëtarit të Njësisë së Prokurimit kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomik fitues “V.A.S Konstruksion sh.p.k” dhe “Rroku Guest” sh.p.k, në procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion i sheshit të parkimit te Selman Stermasi”, të zhvilluar në datën 01.10.2019.