Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Një mijë doktoratura jep Universiteti i Tiranës çdo vit, qindra mbetën të papunë

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: Një mijë doktoratura jep Universiteti i

Aranit Muraçi

Si të mos mjaftojë investimi i paktë i çdo qeverie shqiptare gjatë viteve të tranzicionit për arsimin, emisioni “Inside Story” nxori sot në pah problematikën e dhënies së doktoraturave me shumicë dhe pa cilësi, në universitetet publike.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se në harkun kohor 2016-2021 janë lëshuar mbi 8500 doktoratura nga universitetet publike. Universiteti i Tiranës, i cili jep edhe numrin më të lartë të doktoraturave, ka pranuar dhe doktoruar rreth 1.000 kandidatë çdo vit. Lista kryesohej nga Fakulteti Ekonomik, ku ndonëse janë dhënë shumë doktoratura, nuk ka asnjë studim mbi tregun shqiptar dhe ekonominë  e vendit tonë. Kjo periudhë korrespondon me kohën kur qeveria bllokoi dhënien e doktoraturave, për shkak të çështjes së debatueshme të plagjiaturës.

Si krahasim Gjermania kishte numrin më të madh të studentëve në BE, që studiojnë për doktoraturë në vitin 2018 (200.000). Ky ishte më shumë se dyfishi i numrit të studentëve që studiojnë për doktoraturë në ndonjë nga shtetet e tjera anëtare të BE; Spanja (85 000) dhe Franca (66 000). Si krahasim Franca ka një doktor në 1000 vetë, ndërsa Shqipëria sipas mesatares së BE-së duhet të japë 1 deri në 2 mijë doktoratura në vit (cilësia e tyre është tjetër diskutim).

Pavarësisht nga kushtet që ofrojnë, 10 nga 12 universitete publike ofrojnë edhe ciklin e tretë të studimeve. Inflacioni i madh në shpërndarjen e doktoraturave ka prodhuar doktorë shkencash të papunë në një numër të lartë. Në vitin 2019, nga të dhënat e INSTAT tregohet se 340 doktorantë ishin regjistruar si të papunë.

Sa i përket studentëve,  Shqipëria me një popullsi prej 2.8 milionë banorë, numëron aktualisht rreth 124 mijë studentë. Të dhënat zyrtare tregojnë se krahasuar me 8 vite më parë, në auditorët e universiteteve publike dhe private ka 50 mijë studentë më pak, ose rreth 124 mijë të rinj. Kjo është shifra e vitit 2022, nga 174 mijë që ishin në vitin 2014.

Në BE, nga 27 vendet anëtare me një popullsi prej 445 milion banorë, kishte 17.5 milionë studentë të arsimit të lartë në regjistrimin e fundit të Eurostat para pandemisë, nga të cilët 60% studionin për bachelor. Mbi 2.9 milionë kishte vetëm Gjermania në regjistrimin e vitit të kaluar, 2021.

Në të njëjtin vit femrat përbënin 54 % të të gjithë studentëve të arsimit  të lartë; megjithatë, 52 % e studentëve të doktoraturës ishin meshkuj. Sakaq, 22% e studentëve të arsimit të lartë në 27 vendet e BE-së studionin biznes, administratë ose drejtësi.

Më shumë studentë studionin për bachelor, në vendet e BE-së, sesa për çdo nivel tjetër të arsimit të lartë. Franca, Luksemburgu, Austria dhe Qiproja ishin të vetmet shtete anëtare ku më pak se 50% e të gjithë studentëve të arsimit të lartë studionin për diploma bachelor. Ndryshe, në Lituani (74,8 %) dhe Holandë (75,2 %), më shumë se tre të katërtat e studentëve studionin për diploma bachelor dhe kjo përqindje ishte edhe më e lartë në Greqi (86,0 %). Ndër vendet e rajonit përqindje veçanërisht të larta u regjistruan edhe për Malin e Zi (94,3 %) dhe Maqedoninë e Veriut (94,7 %).

Më pak se një e pesta e të gjithë studentëve të arsimit të lartë studionin për master në vitin 2018, në Belgjikë, Spanjë dhe Irlandë, me këtë përqindje rreth një të dhjetën në Greqi. Një përqindje pak më pak se një e pesta u vërejt gjithashtu në Mbretërinë e Bashkuar.

Nga katër vendet kandidate për në BE, të cilat Eurostat dispononte të dhëna, gjithashtu shënuan përqindje relativisht të ulëta (nën një të dhjetën e të gjithë studentëve të arsimit të lartë). Në të kundërt, rreth një e treta e studentëve të nivelit terciar studionin për diploma master në Portugali, Suedi dhe Gjermani, me përqindje më të larta në Çeki, Luksemburg, Itali, Francë, Kroaci, Sllovaki dhe Qipro (ku përqindja ishte afër dy të pestat).

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

A është opozita më e besueshme sesa qeveria në betejën më të fundit për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe lirimin e hapësirave publike?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH