Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 40.000 mijë lekë, rreziqet e rritjes artificiale të pagës minimale

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sot, se do të ketë këtë vit një tjetër rritje të ndjeshme të pagës minimale dhe një tjetër vitin që vjen. Sipas, asaj që mësohet, deri në fund të vitit 2023 është parashikuar që paga minimale të arrijë në 40.000 mijë lekë, ndërsa deri në fund të vitit 2025 pritet që paga minimale të arrijë në 45.000 lekë. Pyetja që shtrohet pas kësaj, është se po ai që merrte 40.000 mijë lekë dhe një tjetër që merrte 50.000, që supozojmë se paguhen sipas ligjeve që përcakton tregu, sa do të marrin pas kësaj rritjeje?

E vërteta është se pandemia dhe kriza e çmimeve e kanë vënë qeverinë nën presion, për shkak se për ata që kanë më pak të ardhura, ose paguhen më pak, të cilët janë më të shumtë në numër, jeta është bërë dhe po bëhet edhe më e papërballueshme.

Por Shqipëria ka një problem me informalitetin, çka do të thotë se paga minimale mund të respektohet vetëm nga Administrata Publike dhe kjo rrezikon të prishë ekuilibrat e tregut të punës. Në tregun privat shumë biznese e shohin si kosto shtesë detyrimin e rritjes së pagës, apo edhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore, çka mund t’i çojë ato, ose në faliment, ose do t’i detyrojë të vazhdojnë t’i mbajnë në punë punonjësit ilegalisht, me një pagë poshtë asaj ligjore, që palët të arrijnë një marrëveshje verbale.

Sipas statistikave të publikuara nga Eurostat për vitin 2021, në Shqipëri paga minimale ishte 269 euro, kurse në Maqedoninë e Veriut 359. Për sa i përket pagës minimale, Shqipëria linte pas gjatë periudhës së pandemisë vetëm Kosovën, në të gjithë rajonin tonë.

Duket se qeveria ka vënë si objektiv vetes, për të nxjerrë me çdo kusht Shqipërinë nga zona e “varfër” e njerëzve më pak të paguar në Europë, qoftë edhe me mekanizma artificialë. Do të thotë se a është i përgatitur tregu i punës, për t’iu përgjigjur objektivit të qeverisë. Me rritjen e pagës minimale, çfarë do të ndodhë me fuqinë blerëse?

Paga minimale në Shqipëri, pasi qëndroi për shumë vite në vendnumëro, është rritur në dy vitet e fundit nga 30.000 duke shkuar fillimisht në 32.000 mijë lekë dhe më pas në 34.000 lekë. Me paralajmërimin e fundit paga minimale në vendin tonë mund të kalojë atë të vendit fqinj, në Maqedoninë e Veriut, megjithëse artificialisht, pasi nuk ka një tregues që të thotë se paralelisht në Shqipëri është duke u rritur me ritme më të shpejta prodhimi dhe ekonomia.

Në Greqi, si krahasim, vlerësohej në 840 euro paga minimale për vitin 2022 dhe rreth 1.500 euro paga mesatare. Thuajse në të gjitha vendet e BE-së, paga mesatare është të paktën sa dyfishi i pagës minimale. Por veç të tjerash për përcaktimin real të pagës duhet matur edhe kostoja e orës së punës. Në Norvegji, ku janë edhe ndër pagat më të larta në botë, kostoja e punës është shumë më e shtrenjtë se për shembull, në Bullgari, ku jepen edhe pagat më të ulëta të BE-së.

Rritja artificiale e pagës minimale do të shtojë “oreksin” për punësimet në sektorin publik dhe nga tjetër do të ulë vullnetin për të punuar në sektorin privat, duke injoruar rregullin bazë të tregut të lirë të punës.

/Liberale.al/

 

 

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH