Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Italinë qendrore, ku një punëtor shqiptar 56-vjeçar ka humbur jetën pasi u shtyp nga një kamion ndërtimi. Aksidenti ndodhi paraditen e së hënës në fshatin Mercatale, në zonën via del Bisenzio.
Sipas mediave italiane, burri ishte duke punuar me një kamion që po shkarkonte materiale ndërtimi në një zonë me pjerrësi. Për shkak të humbjes së tërheqjes në asfalt, kamioni u lëviz papritur dhe goditi punëtorin, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas, mjeti përfundoi në një kanal anës rrugës.
Në vendngjarje mbërritën shërbimet e emergjencës, por fatkeqësisht nuk mundën të bënin asgjë për ta shpëtuar jetën e tij. I ndjeri punonte për një kompani që kryente punime për llogari të Hekurudhave Shtetërore.
Prokuroria italiane ka nisur hetimet për ngjarjen, duke e cilësuar si vrasje nga pakujdesia. Janë sekuestruar kamioni dhe zona ku ndodhi aksidenti, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbuluar nëse ka përgjegjës të tjerë për këtë humbje të rëndë.