Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sot subjektet që kanë zaptuar hapësirat publike me tenda, mushama dhe struktura të përkohshme që shpesh përdoren për të lejuar pirjen e duhanit në ambiente të mbyllura.
Kreu i qeverisë theksoi se toleranca për këto shkelje ka përfunduar dhe u bëri thirrje të gjithë atyre që kanë vendosur tenda pa leje, të marrin masa për t’i çmontuar vetë. Kryeministri paralajmëroi masa të rënda nga gjoba deri në ndjekje penale.
“I bëj thirrje atyre që janë hapur me tenda, dhe pastaj i kanë venë dhe ato mushamatë dhe pastaj i përdorin edhe për ti rihapur rrugë pirjes së duhanit nëpër lokale, që të fillojnë ti çmontojnë vetë, sepse jo vetëm që do tju çmontohen, por do përballen me gjoba dhe deri me ndjekje penale për krim mjedisor dhe për zaptim dhe shkatërrim të pronës publike. Jo vetëm do të çmontohen, por do përballen edhe me gjoba”, u shpreh Rama.