Aktualitet

Erion Alibej përplaset me Plarent Dervishajn në sallën e gjyqit, i penduari i drejtësisë: I dhashë fotot e “gjujtësave”, i bëri Dumani

Shkruar nga Liberale

Erion Alibej përplaset me Plarent Dervishajn në sallën e gjyqit,

Seanca e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), u shoqërua me tone të larta dhe përplasje të forta mes të pandehurit Plarent Dervishaj dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë, Erion Alibej.

Teksa u pyet nga avokati i Plarent Dervishajt, Ilia Ilia, Alibej dha detaje për dyshimet që Dervishaj kishte pasur pas atentatit ndaj tij, ku përmendi emrat e Pëllumb Muhametit të njohur si “Rrumi i Shijakut” dhe prokurorit Arjan Ndoja.

Sipas Alibejt, ai dhe Dervishaj ndanin mes tyre informacione jo zyrtare dhe spekulime mbi atentatin, por pa prova konkrete.

“Thjesht ia përcillja, madje me siklet,” tha ai.

Në këtë moment ndërhyri vetë Dervishaj nga vendi i të pandehurit duke reaguar ashpër: “Ça siklet ke ti aman? Ke dy orë rri aty, gënjen!”

Debati u përshkallëzua më tej kur u përmend atentati ndaj prokurorit Ndoja. Dervishaj e pyeti drejtpërdrejt nëse ai vetë ia kishte kërkuar pjesëmarrjen në atentat apo ishte iniciativë e Alibejt.

“Ta kërkova unë, duke ditur që nuk ke nevojë”, u përgjigj Alibej.

Dervishaj ngriti dyshime edhe mbi saktësinë e informacionit që, sipas tij, Alibej kishte marrë nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani: “T’i ka dhënë gabim informacionet Altin Dumani, djal.”

Përplasjet verbale sollën tension të lartë në sallën e gjyqit, duke detyruar gjykatën të ndërpresë seancën përkohësisht.

Debatet në sallën e gjyqit: 

Erion Alibej: E kam takuar Plarentin pak ditë para se t’i bëhej atentat. Plarenti kishte dyshime për disa persona se i kishin bëre atentat, dyshonte edhe te Pëllumb Muhameti (Rrumi) dhe te prokurori Ndoja. Rrumin nuk e llogariste fare.

Prokurori Ndoja i referohej dhe e quante të korruptuar atë dhe të lidhur me shtetasin Rrumi.  Ne kishim interes për çfarë na kishte ndodhur neve, ça merrja vesh unë për Plarentin, ia thoja dhe e anasjellta. Por nuk dmth se ishin fakte. Thjesht ia përcillja, madje me siklet.

Ndërhyn Plarent Dervishaj: Ça siklet ke ti aman? Ke dy orë rri aty, gënjen.

Alibej: Informacionet ishin për atentatin që i kishin bërë. I kam dhënë foto që i bëri Nuredin Dumani, i kam thënë mendoj se këtu janë “gjujtësit”.

Plarent Dervishaj: The që ke qenë i gatshëm që të merrje pjesë në atentatin e Arjan Ndojës. Ta kërkova unë, të imponova apo kërkove ti?

Erion Alibej: Ta kërkova unë, duke ditur që nuk ke nevojë.

Plarent Dervishaj: Ditën që më ke takuar mua që e dëshmove, gabon shumë me datën, orën. Pse nuk ke treguar për tentativën e vrasjes që do i bëje Franc Çopjas, që e kemi diskutuar në takim.

Erion Alibej: Kolegët e tu.

Plarent Dervishaj: T’i ka dhënë gabim informacionet Altin Dumani, djal.

Ky debat solli tensione në sallë. Plarent Dervishaj dhe Alibej ofenduan njëri-tjetrin dhe si rrjedhjë gjykata ndërpreu seancën.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH