Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme, rreth orës 14:50, në aksin rrugor Shkodër–Lezhë, ku janë përfshirë tre automjete dhe për pasojë ka humbur jetën një person, ndërsa katër të tjerë janë plagosur.
Sipas të dhënave paraprake, një kamion i drejtuar nga shtetasi T.K., 42 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit. Fillimisht, kamioni është përplasur me një automjet të drejtuar nga A.S., 63 vjeç, dhe më pas ka përfshirë në aksident edhe një tjetër automjet me drejtues 37-vjeçarin Gjin Bzhangaj.
Për fat të keq, Gjin Bzhangaj ndërroi jetë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, për shkak të plagëve të marra nga përplasja.
Në automjetin e tij ndodheshin edhe bashkëshortja, J.B., 32 vjeçe, si dhe dy fëmijët e mitur, të cilët janë plagosur por ndodhen jashtë rrezikut për jetën, sipas burimeve zyrtare nga policia.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.