Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 20 % i TVSH-së bie për drutë e zjarrit dhe energjinë (për një dimër më të ngrohtë)

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 20 % i TVSH-së bie për drutë e zjarrit dhe

Aranit Muraçi

Do të ketë përjashtim nga TVSH-ja në import dhe në furnizimin me drutë e zjarrit për ngrohje për vitin 2023 si dhe të importit të energjisë elektrike.

Në projekt-buxhetin e vitit 2023, edhe Energjia e importuar që do të tregtohet përmes Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike do të përjashtohet nga Tatimi mbi Vlerën e  Shtuar. Ky është një prej ndryshimeve që propozohen në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, si pjesë e paketës fiskale për vitin 2023, me qëllim që çmimi i energjisë të mos rëndojë konsumatorin për vitin që vjen.

Rritja e çmimeve energjetike ka detyruar qeverinë të kërkojë lehtësime në taksa, duke ndërhyrë në ligjin ”Për tatimin mbi vlerën e shtuar”. Sipas relacionit që shoqëron projektligjin e buxhetit të shtetit për vitin 2023, qëllimi i këtij propozimi është mbrojtja dhe mbështetja e individëve në kushtet e krizës energjetike.

Por edhe pse nuk ka ulje taksash në sektorin e hidrokarbureve, aty ku po operohet me çmimet më të larta dhe anormale për tregun shqiptar, për të lehtësuar konsumatorin dhe për të nxitur konsumin qeveria ka menduar që të ulë taksat për tregun energjetik dhe atë të tregtimit të druve të zjarrit.

Sipas dokumentit, duke qenë se drutë e zjarrit janë një alternativë më e mirë dhe më e përdorur nga shqiptarët, për ngrohje, pas energjisë elektrike, zerimi i TVSH-së për vitin që vjen do të ndikojë në uljen e çmimit. Në prag të sezonit të dimrit ka pasur denoncime se çmimi për metër kub i druve të zjarrit ka shkuar në 70 mijë lekë të vjetra (megjithëse çmimi lëviz sipas rajoneve dhe zonave të ndryshme të vendit). Për këtë qëllim, drutë e zjarrit propozohet të jenë pa TVSH si në import ashtu dhe në tregtimin brenda vendit, me qëllim që çmimi të mos rëndojë te konsumatori vendas.

Sa përfiton konsumatori nga heqja e TVSH-së? Nëse çmimi për 1 metër kub dru do të shitet 50 mijë lekë (të vjetra), nëse nuk do të ketë abuzim, çmimi i druve pritet të zbresë me 10 mijë lekë (40 mijë lekë).  Sa i takon TVSH-së, eksporti trajtohej deri tani me 0 TVSH, ndërkohë që shitja brenda vendit apo importi trajtoheshin me shkallën normale të TVSH-së, 20%.

Referuar nomenklaturës të mallrave, propozohet që të përjashtohet nga TVSH-ja ku përfshihet druri si lëndë djegëse, kërcunjtë, kopaçet, degët, shkarpat apo  forma te ngjashme; druri në ashkla apo në copa si dhe tallashi, mbetje dhe kthime te drurit, nëse janë apo jo të aglomeruar në briketa, sfera apo në forma të ngjashme.

Nëse për energjinë elektrike, duke qenë se çmimi i saj përcaktohet nga kompania shtetërore, sa i sigurt do të jetë mos-abuzimi me çmimin nga tregtarët e druve të zjarrit, nëse tregu “e humbet fuqinë” për të qenë rregullator i çmimit, me qëllim mbrojtjen e konsumatorit. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH