Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 28 mijë euro kushton rritja e një fëmije deri në 18 vjeç

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 28 mijë euro kushton rritja e një fëmije

Nga Aranit Muraçi

Rritja e një fëmije në vendin tonë fqinj, Itali, nga 0 deri në 18 vjeç përfshin një shpenzim që shkon në rreth 139,500 euro (mbi 7 mijë euro në vit). Jo pak shqiptarë jetojnë në vendin tonë fqinj, ndërsa gjysma e popullsisë shqiptare e ka ndërtuar jetën në Greqi, Itali, ose në ndonjë nga vendet perëndimore. Një italian sipas të dhënave zyrtare fiton mesatarisht në vit ( viti i referencës 2020) rreth 30 mijë euro, ndërsa si krahasim në Shqipëri, duke iu referuar pagës bazë, të ardhurat që sigurojnë qytetarët shqiptarët shkojnë në 6 mijë euro.

Mesatarisht çdo familjeje shqiptare i duhet të shpenzojë rreth pesë herë më pak në vit se për shembull shpenzimet mesatare që kryen një familje italiane. Ose ndryshe i duhen rreth 28 mijë euro në total, për të rritur një fëmijë nga 0 deri në 18 vjeç, e llogaritur rreth 1.5 mijë euro në vit.

Ky është vlerësimi “Moneyfarm”, një kompani ndërkombëtare investimesh, e cila vërteton edhe një herë se si zgjedhja për t'u bërë prindër sot përfaqëson një angazhim jo edhe të parëndësishëm ekonomik.

Anketa mori në shqyrtim mbi 150 zëra shpenzimesh dhe llogariti se si një çift prindërish të ardhshëm duhet të shpenzojnë midis 5,600 dhe 19,300 euro edhe para lindjes së një fëmije.

Është e qartë se shuma e shpenzimeve totale varet  më tepër nga disponueshmëria ekonomike e çdo familjeje. Pas lindjes së një fëmije më pas prindërit përballojnë shpenzime të tjera, gjithnjë e më kërkuese me afrimin e moshës madhore dhe gjithashtu ndryshojnë ndjeshëm sipas moshës. Nga 0 deri në 3 vjet shpenzohen nga 10 mijë deri në 25 mijë euro, nga 4 deri në 5 vjet shuma shkon nga 10 mijë deri në 27 mijë euro; dhe sërish, nga 6 deri në 11 vjet midis 28 mijë e 48 mijë euro dhe nga 12 deri në 18 vjet midis 45 mijë e 74 mijë euro.

Për të dhënë disa shembuj, në grup-moshat 6-8 vjeç ndër artikujt me kosto më të rëndë për buxhetin e familjes në Itali janë ato të shkollës (midis 1,416 euro dhe 2,040 euro në varësi të diapazonit) pas shkolle (midis 510 dhe 5400 euro) aktivitetet sportive (midis 2250 dhe 6000 euro) dhe kampet verore (nga 1185 në 3510 euro). Kostoja e mbështetjes së një fëmije arrin koston e tij kulmin maksimal për grup-moshën 15-18 vjeç.

Ka edhe kosto në të cilat familjet mund të kursejnë. Pazari për veshjet, mund të jetë shumë i lartë (në Itali mesatarisht 10 mijë euro), por zgjedhja e veshjeve jo të markës mund ta përgjysmojë shumën totale. Edhe blerjet për teknologji po zënë një peshë të rëndësishme në buxhetin e familjeve: në Itali vlerësohet mesatarisht nga 9 mijë deri në 18 mijë euro (përsëri në bazë të diapazoneve të konsideruara nga studimi) investohen në kompjuterë, celularë, video lojëra, abonime. Jo më larg se dy dekada më parë këto shpenzime mund të ishin zero në vende për familjet shqiptare.

Është e qartë se kjo përpjekje e konsiderueshme ekonomike është një nga arsyet se pse gjithnjë e më pak çifte në Itali, por jo vetëm, trendi është kudo, zgjedhin që të kenë gjithnjë e më pak fëmijë. Një trend që në dekadën e fundit ka vazhduar dhe po thellohet vit pas viti. Pamundësia ose vështirësitë ekonomike për të rritur një fëmijë rrezikon jo vetëm rënien e shtesës natyrore, por edhe plakjen e popullsisë.

Shtesa natyrore e popullsisë në tremujorin e katërt 2021 tregoi sipas INSTAT se në Shqipëri pati 898 vdekje më shumë se sa lindje. Ndërsa në të gjithë vitin 2021 shtesa natyrore ishte 3.296 vdekje më shumë se sa lindje. Shqipëria është karakterizuar nga shtesë natyrore pozitive ndër vite.

Shtesa natyrore negative për vitin 2021 është ndikuar edhe nga situata e pandemisë Covid-19. Numri i lindjeve për tremujorin e parë 2022 është 6.056, duke shënuar një rënie me 4,2 %, krahasuar me tremujorin e parë 2021. Numri i vdekjeve për tremujorin e parë 2022 është 7.938, duke shënuar një rënie prej 22,3 %, krahasuar me tremujorin e parë 2021.

Sipas buletinit të ISTAT, Institutit Italian të Statistikave, 404,892 foshnja kanë lindur në vitin 2020 në Itali, 15 mijë më pak se në vitin 2019. Duhet të theksohet gjithashtu se Italia është ndër vendet evropiane në të cilat gratë lindin fëmijën e tyre të parë më vonë se në vendet e tjera: mesatarisht në moshën 31 vjeçe, krahasuar me moshën mesatare 28-29 vjeç në pjesën tjetër të Evropës. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH