Globi

Presidenti Biden viziton javën e ardhshme tre shtete europiane

Shkruar nga Liberale

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Joe Biden do të nisë javën e ardhshme një udhëtim 5 ditor në tre shtete europiane, ndërsa ndalesa kryesore do të jetë Vilniusi i Lituanisë, ku ai do të marrë pjesë në takimin e e nivelit të lartë të NATO-s.

Gjatë takimit, udhëheqësit e vendeve perëndimore do të diskutojnë mbi hapat e radhës për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës në luftën ndaj Rusisë.

Udhëtimi i Biden do të nisë në 9 korrik dhe do të përfundojë në datën 13. Fillimisht ai do të qëndrojë në Londër ku pritet të takohet me Mbretin Çarls dhe kryeministrin Rishi Sunak. Shtëpia e Bardhë tha se në këto takime synohet “forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve të ngushta ndërmjet dy vendeve”.

Më pas, presidenti do t’i drejtohet Lituanisë për takimin dy dytor të nivelit të lartë të NATO-s ku udhëheqësit e 31 vendeve anëtarë të aleancës ushtarake perëndimore do të diskutojnë mbi kundërofensivën e Ukrainës për të çliruar territore në pjesën juglindore të vendit, që Rusia e kontrollon që prej fazave të para të agresionit rreth 16 muaj më parë.

Vendet e NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë dërguar miliarda dollarë armatime në Ukrainë, por sulmet ajrore ruse kanë vazhduar të shkaktojnë vdekjen e dhjetra civilëve ukrainas edhe pse forcat e Kievit kanë rrëzuar qindra raketa ruse.

Pas takimit të nivelit të lartë të NATO-s, Presidenti Biden shkon në Helsinki, të Finlandës, për të shënuar anëtarësimin e saj në aleancën ushtarake në prill të këtij viti dhe për të zhvilluar takime me udhëheqësit e vendeve nordike.

Presidenti Biden nuk mori pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të mbretit Çarls në Londër në muajin maj, por dërgoi atje zonjën e parë Jill Bidën për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara. Presidenti Biden priti muajin e shkuar në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin britanik Rishi Sunak.

Po ashtu, muajin e kaluar Presidenti Biden u takua në Shtëpinë e Bardhë edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg ku të dy udhëheqësit u angazhuan për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë.

“Aleatët e NATO-s janë më të bashkuar se kurrë. Kemi punuar fort që t’ia arrinim kësaj dite. Deri tani jemi shumë mirë”, tha Presidenti Biden në krah të Stoltenberg.

Presidenti e ka cilësuar forcimin e aleancës së NATO-s si një tregues të rënies së ndikimit të Moskës.

Alencës së NATO-s ka kërkuar t’i bashkohet edhe Suedia, por deri më tani dy vende anëtare, Turqia dhe Hungaria, nuk e kanë ratifikuar aplikimin e saj.

Presidenti Biden pritet të takohet më 5 korrik, në Shtëpinë e Bardhë, me kryeministrin suedez Ulf Kristersson, për të treguar mbështetje për synimin e Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është shprehur se Suedia është shfaqur shumë e dobët ndaj grupeve terroriste dhë kërcënimeve të sigurisë, ndërsa Stoltenberg ka deklaruar se Suedia i ka plotësuar detyrimet e saj për anëtarësimin në NATO duke forcuar ligjet kundër terrorizmit dhe duke zbatuar masa të tjera.

Hungaria ka qenë më pak e qartë në përcaktimin e arsyeve mbi të cilat kundërshton anëtarësimin e Suedisë, duke shprehur rezerva mbi kritikat e Stokholmit lidhur me dobësimim e demokracisë dhe shtetin e së drejtës në Hungari./VOA

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH