Viliem Kurtulaj
Duke qenë se arsimi është një nga format e shumta të ndërveprimit shoqëror, pedagogjia është një fushë ku diskurset apo ligjërimet zhvillohen dhe luajnë një rol të rëndësishëm. Gert Biesta, në artikullin e tij me titull “Pedagogy Without Humanism: Foucault and the Subject of Education” (1998), shpjegon se ekzistojnë dy koncepte kryesore të arsimit: a) arsimi si manipulim dhe b) arsimi si komunikim. Nëse bëjmë një dallim në epoka, pedagogjia manipuluese lidhet më së shumti me epokën moderne, ndërsa pedagogjia komunikuese lidhet kryesisht me epokën postmoderne. Duke iu referuar konceptit të parë (pedagogjisë manipuluese), mësuesi dhe nxënësi hyjnë në komunikim në klasë si të pabarabartë. Nga ana tjetër, është pedagogjia komunikuese e cila lidhet me qasjen postmoderne. Kjo e fundit nuk e sheh arsimin thjesht si një marrëdhënie instrumentale. Sipas pedagogjisë komunikuese, marrëdhënia instrumentale në arsim e injoron personalitetin në zhvillim të nxënësit. Në pedagogjinë komunikuese, mësuesi dhe nxënësi konsiderohen të barabartë në procesin mësimor (mësimdhënie-mësimnxënie) në shkollë.
Nga një këndvështrim i ngushtë, mund të thuhet se nëse aplikohet pedagogjia manipuluese, ndikimi i ushtrimit të pushtetit është i fortë sepse mësimdhënësi ushtron drejtpërdrejt pushtet mbi nxënësin ndërsa nëse aplikohet pedagogjia komunikuese, ndikimi i ushtrimit të pushtetit është më i dobët sepse të dyja palët (mësues – nxënës) ushtrojnë pushtet në një proces ndërveprues, dhe, për rrjedhojë, kundërshtojnë dhe balancojnë ndikimin e njëri-tjetrit. Në klasë, diskursi që institucionalizohet është, me së shumti, ligjërimi i mësuesit, sepse ai është autoriteti. Pra, ligjërimi i mësuesit prodhon të vërteta për nxënësit. Për rrjedhojë, është mësuesi ai që ushtron pushtet mbi nxënësit. Sidoqoftë, kjo është vetëm gjysma e fotografisë. Duke iu referuar Foucault-së, ushtrimi i pushtetit nuk është aq i thjeshtë dhe nuk funksionon ekzaktësisht në këtë mënyrë. Sipas tij, pushteti mund të gjendet kudo, sepse pushteti mund të prodhohet në çdo kohë, në çdo pikë, në secilën marrëdhënie. Marrëdhëniet e pushtetit mund të shihen si një rrjet, ku pikat nga ku ushtrohet pushteti dhe pikat mbi të cilat ushtrohet pushteti mund të jenë kudo. Për rrjedhojë, pretendimi për të zhdukur ushtrimin e pushtetit në klasë duke ndryshuar teknikat e mësimdhënies duket pothuajse i pamundur. Në çdo situatë, personat e përfshirë do të vazhdojnë të ushtrojnë pushtet mbi njëri-tjetrin, në përmasa të ndryshme, madje edhe pa dijeninë apo qëllimin e tyre.
Në pedagogjinë manipuluese, mësuesi dhe nxënësi janë të pabarabartë në procesin e komunikimit në klasë sepse mësuesi është një person i rritur dhe rrjedhimisht konsiderohet subjekt. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për nxënësin i cili është i mitur (në arsimin parauniversitar) dhe është në vazhdim të një procesi formal të të mësuarit. Nxënësi konsiderohet si një subjekt potencial ose subjekt në formim. Pra, lidhja mësues – nxënës këtu është asimetrike. Nxënësi është ende në procesin e të bërit subjekt, i ndikuar nga procesi pedagogjik (manipulues).
Siç u përmend më lart, modernizmi lidhet me formën manipuluese të pedagogjisë, ndërsa më vonë, postmodernizmi solli ndryshime në formën e pedagogjisë duke kaluar nga metoda manipuluese në atë komunikuese, duke pretenduar se me formën e re pedagogjike do duhet të shmanget manipulimi i nxënësve nga mësuesit. Nga ana tjetër, pedagogjia manipuluese nuk përpiqet të mohojë manipulimin e nxënësit nga mësuesi. Përkundrazi, ajo ka argumentet e veta pse mësuesi duhet të manipulojë nxënësit, në vend që të ndjekë komunikimin simetrik mes të barabartëve në klasë.
Pedagogjia manipuluese qëndron prapa idesë se arsimi në shkolla duhet të jetë asimetrik sepse marrëdhënia mes mësuesit dhe nxënësve është një marrëdhënie midis dy subjekteve jo të barabarta, ose ta themi më qartë, midis dikujt që tashmë është subjekt (mësuesi) dhe të tjerëve që u duhet ende të bëhen subjekte (nxënësit). Pra, mësuesi ka një mision për të kryer. Ai duhet të punojë në procesin e mësimdhënies dhe në formimin e subjektit të nxënësve. Në këtë drejtim mund të na ndihmojë koncepti i Freire-s, i njohur si pedagogjia kritike ose pedagogjia çliruese (liberatory pedagogy). Freire shkon më tej duke thënë se pedagogjia kritike/çliruese ndihmon si mësuesin, ashtu edhe nxënësit, të bëhen subjekte duke zhvilluar vetëdijen ose ndërgjegjen. Ai e konsideron vetëdijen si një kusht që njeriu të bëhet subjekt. Mësuesi, i cili është i rritur, i arsimuar dhe i trajnuar për të qenë i tillë, normalisht është i vetëdijshëm për rrethanat dhe pasojat e veprimeve të tij. Për rrjedhojë, mësuesi është subjekt. Ndërkohë që nuk mund të thuhet e njëjta gjë për nxënësit nën 18 vjeç. Përderisa arsimi është një proces mësimdhënie-mësimnxënie ndërmjet subjektit dhe ende jo-subjekteve, është detyrë e mësuesit të manipulojë nxënësit për t’i ndihmuar ata në procesin e formimit të tyre si subjekte. Hapi i parë për t’i ndihmuar nxënësit të bëhen subjekte është vetëdijësimi dhe ndërgjegjësimi i tyre se ata nuk janë ende subjekte të plota, prandaj në këtë fazë duhet të mësohen/manipulohen nga një subjekt profesional dhe i specializuar, siç është mësuesi.
Pedagogjia manipuluese e sheh identitetin e nxënësit si rezultat të influencës pedagogjike. Ajo e konsideron subjektivitetin një efekt të ndikimit pedagogjik. Projekti pedagogjik modern (manipulues) bazohet mbi një supozim normativ, përkatësisht, në vlerën e pareduktueshme të subjektivitetit (në zhvillim) të nxënësve. Këta të fundit nuk janë ende të aftë ose të përgatitur për dialog dhe komunikim të vërtetë. Sipas Robert E. Young, nxënësit i mungon kompetenca komunikuese në kuptimin strikt në të cilin kompetenca komunikuese mendohet se përbëhet nga kapaciteti social për të hyrë në diskutim dhe aftësia njohëse për të gjeneruar ose kritikuar argumente. Siç thotë Richard Stanley Peters, fëmijët mund dhe duhet të hyjnë në “pallatin e komunikimit” përmes “oborrit të manipulimit”. Pra, arsimi shihet si një trajektore ku manipulimi zhvillohet në komunikim me kalimin e kohës.
Një faktor tjetër, i cili mund të përdoret si argument në favor të pedagogjisë manipuluese është mosha. Çdo person – duke përfshirë nxënësit – nuk konsiderohet plotësisht subjekt deri në një moshë të caktuar. Pedagogjia komunikuese thotë se edukimi duhet të jetë një proces komunikimi ndërmjet subjekteve. Nga këtu mund të shtrohet pyetja: Në çfarë moshe një person apo nxënës/student konsiderohet plotësisht subjekt (individ me përgjegjësi të plotë)? Për shembull, shumica dërrmuese e vendeve në botë nuk i konsiderojnë personat nën moshën 18 si plotësisht subjekte, prandaj prindërit ose kujdestarët e tyre ligjorë janë përgjegjës për ta dhe për veprimet e tyre. Duke qenë nën moshën 18 vjeç, atyre u mungojnë shumë të drejta, përfshirë të drejtën e votës, e cila është një nga të drejtat themelore të njeriut në botën demokratike. Mohimi i këtyre të drejtave për personat nën moshën 18 vjeç konsiderohet gjerësisht si i drejtë sepse të drejtat e plota janë për subjektet e plota. Personi nën moshën 18 vjeç është subjekt jo i plotë, prandaj gëzon të drejta jo të plota. Një nga këto të drejta që mohohet mund të jetë edhe e drejta për pedagogji komunikuese. Nëse pedagogjia e përdor këtë kriter për ta konsideruar ose jo nxënësin si subjekt – kriter i legjitimuar nga pothuajse të gjitha vendet në lidhje me disa të drejta të caktuara – atëherë pedagogjia manipuluese bëhet e pashmangshme, dhe pedagogjia komunikuese bëhet e paefektshme, pasi komunikimi – veçanërisht në institucione – konsiderohet si një proces që zhvillohet midis subjekteve. Si rezultat, nxënësi në shkollë duhet të manipulohet nga mësuesi për të mirën e tij për sa kohë që ai nuk është ende një subjekt i plotë.
Nga ana tjetër, pedagogjia komunikuese, siç mund të kuptohet, qëndron pas idesë së nevojës për komunikim të lirë dhe jo shtrëngues në klasë. E lidhur ngushtë me konceptet postmoderniste, kjo teori pedagogjike zbërthen idenë moderniste të subjektit njerëzor si autonom, të pavarur, racional ose parasocial. Qenia njerëzore këtu konsiderohet si e prodhuar nga një sërë faktorësh dhe praktikash diskursive. Nga këndvështrimi i Foucault, edukimi në shkollë konsiderohet një proces i marrëdhënieve ndërsubjektive, prandaj ai nuk është një e vërtetë e dhënë për subjektivitetin njerëzor. Individi (mësues ose nxënës) është produkt i disa marrëdhënieve të pushtetit. Përmes ndërkomunikimit krijohet një marrëdhënie midis nxënësve dhe mësuesit. Kjo marrëdhënie duhet të jetë e barabartë dhe simetrike. Ndryshe nga pedagogjia manipulative, e cila thotë se arsimi është një trajektore manipulimi që mund të zhvillohet në komunikim, pedagogjia komunikuese thotë se procesi arsimor duhet të jetë gjithmonë një trajektore komunikimi.
Megjithatë, edhe pse nxënësit nuk janë ende plotësisht subjekte, një lloj dialogu në klasë do të ishte i dobishëm për ta. Kjo nuk do të thotë se nxënësit janë të barabartë me mësuesin gjatë procesit mësimor në shkollë. Do të ishte naive të besohej. As nuk do të thotë që nxënësit duhet të jenë të barabartë me mësimdhënësin në procesin e komunikimit në klasë, sepse, ndryshe nga mësuesi, ata nuk kanë për detyrë të japin mësim e të mësojnë të tjerët. Gjithsesi, ata duhet të kenë lirinë të shprehen. Dialogu në klasë duhet të shërbejë edhe për t’u dhënë nxënësve mundësinë për të mësuar se si të artikulojnë. Paulo Freire, gjithashtu, mbështet idenë e dialogut në klasë ku thotë se dialogu mes mësuesve dhe nxënësve nuk i vendos ata në të njëjtën pozitë profesionalisht, si dhe mësuesit dhe nxënësit nuk janë identikë. Në fund të fundit, është ndryshimi mes tyre i cili i bën ata pikërisht nxënës apo mësues. Nëse do të ishin thjesht identikë, secili mund të ishte tjetri. Dialogu është kuptimplotë pikërisht sepse subjektet dialoguese, agjentët në dialog, jo vetëm e ruajnë identitetin e tyre, por e mbrojnë atë në mënyrë aktive dhe kështu rriten së bashku. Pikërisht në këtë kuptim, dialogu nuk i vendos ata në të njëjtin nivel, nuk i barazon, e as nuk i redukton te njëri-tjetri. Mësuesi mbetet autoriteti në procesin mësimor ose, siç thotë Wayne Au, në klasë, mësuesi është autoriteti, por nuk duhet të jetë “autoritari”. /Liberale.al/