Analizë

POST FACTUM nga Roland LAMI: Fushata elektorale një ‘One Man Show’

Shkruar nga Liberale

POST FACTUM nga Roland LAMI: Fushata elektorale një ‘One Man

Roland LAMI

Fenomeni i "amerikanizimit të fushatave zgjedhore" në Europë i referohet procesit përmes të cilit praktikat, format dhe teknikat e përdorura në fushatat zgjedhore në SHBA adoptohen gjithnjë e më shumë nga partitë politike dhe kandidatët në vendet evropiane. Pavarësisht se shumica e vendeve janë Republika Parlamentare dhe shumë pak Presidenciale apo Gjysmë-presidenciale. Fokusi i zhvendosjes gjatë fushatës nga partia te lideri politik  (një “kryeministrizim” i politikës) ka bërë të mundur që strukturat partiake dhe ekipi mbështetës të jetë inekzistent. Një dukuri e tillë në kontekste si Shqipëria përforcohet edhe më shumë nga kultura e kultit të individit dhe mungesa e traditës së respektimit të institucioneve.

Ky trend i në tërësi gërshetuar edhe nga tradita lokale në veçanti siç është rasti i Shqipërisë ka bërë të mundur që dy liderët kryesorë në rastin konkret Berisha dhe Rama të shndërrohen në ‘One Man Show’. Hapësira mediatike dhe rrjetet sociale sa më shumë ofrohemi afër ditët së mbajtjes së zgjedhjeve aq më tepër uzurpohet nga këto dy figura kryesore, të cilat sfumojnë ndjeshëm kandidatët e tjerë të  partive respektive dhe drejtuesit e partive të reja.

Kjo strategji e ndjekur nga Rama dhe Berisha nëse te i pari ka arsye të theksohet edhe më shumë te Berisha ka disa kushtëzime që mund të kthehen në kosto.

Së pari, One Man Show i Ramës në zgjedhjet e 2017 dhe 2021 i ka krijuar bindjen që përsëritja e të njëjtës strategji nuk ka pse mos të përsëris të njëjtin sukses zgjedhor. Në krahun tjetër, suksesi i mëparshëm i ka justifikuar arrogancën e materializuar në idenë që “Partia jam Unë” dhe “Unë jam suksesi i partisë”. Në pjesën dërmuese të socialistëve qarkullon ideja se Rama di t’i fitojë zgjedhjet. Kjo situatë e krijuar në vite e ka bërë edhe më shumë legjitime përqendrimin e të gjithë fushatës vetëm të Rama dhe askush tjetër.

Në krahun tjetër, ‘One Man Show’ i Berishës ka njohur dritë hije mbas dorëheqjes së 2013. E gjithë fushata e organizuar nga Basha në 2017 dhe 2021 ishte ideuar duke e mbajtur larg Berishën nga kamarat, jo në krah. Sigurisht, një shpjegim mund të lidhet me nevojën e Bashës si lider i ri i PD për të konsoliduar imazhin e tij te demokratët dhe te e djathta në tërësi por nuk janë të pakta sondazhet të asaj periudhe që nxirrnin me kuota të ulëta preferencën e qytetarëve ndaj figurës së ish liderit historik të PD-së. Jo pak shpreheshin atëherë se aktivizimi i Berishës në fushat më shumë është kosto për PD sesa favorizon Bashën të siguroj më shumë vota. Riaktivizimi i Berishës në epiqendrën e  fushatës mbas shumë vitesh  vizualisht larg saj është normale të shoqërohet me pasiguri dhe skepticizëm. Jo pak demokratë shprehin rezerva për përqendrimin e fushatës vetëm te Berisha pasi është e vërtetë që ka shumë vota brenda PD por jashtë saj ka shumë vota antiberisha.

Së dyti, Rama ndryshe nga Berisha në sondazhet e 2017, 2021 dhe 2025 ka më shumë vota personale se partia që drejton. Pavarësisht se ka njëmbëdhjetë vite në drejtim të bashkisë dhe 12 vite kryeministër perceptimi i votuesit është më i lartë në përqindje për të si kandidat për kryeministër sesa për partinë që drejton. Paradoksalisht, në vend që të ishte një figurë e konsumuar për shkak të pushtetit perceptohet si më i preferuar sesa partia që drejton. Në këto kushte e ka të legjitimuar personalizimin e fushatës pasi shpreson që vota preferenciale ndaj tij të kanalizohet edhe pro partisë që drejton. Ndërsa Berisha ndryshe nga Rama është më pak i preferuar si kryeministër i ardhshëm krahasuar me partinë që drejton. Në vend që të tërheqë partinë për të arritur në nivelin e votave të tij personale ndodh e kundërta, e tërheq partia atë. Në këto rrethana, strategjia e PD në vend që të ishte drejt shpërndarjes së vëmendjes edhe në figura të tjera dhe sfumimit të figurës kryesore Berisha, përkundrazi është e përqendruar ditë-natë vetëm te Berisha.  

Së treti, Partia Socialiste garon e vetme. jo në koalicion, kështu që është e detyruar të përqendrohet vetëm te një figurë aq më shumë që i ka kuotat më të larte se partia që drejton. Ndërsa Partia Demokratike drejton koalicionin “Shqipëria Madhështore” me 25 parti dhe një pjesë e drejtuesve të këtyre partive aleate kanë imazhin e tyre në publik për shkak se kanë gjatë në politikë. Strategjia për të mbajtur fokusin vetëm te Berisha dhe jo edhe te drejtues të partive aleate krijon idenë në publik se “Koalicioni Madhështor” është vetëm Partia Demokratike dhe jo edhe 24 parti të tjera. Edhe atë pak avantazh që mund të krijoj koncepti i frontit opozitar apo strategjisë për grumbullim mekanik votash nuk manifestohet pasi është reduktuar i gjithë imazhi i fushatës te një njeri.

Liberale Newsroom

Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH