Editorial

ANALIZË nga Preç Zogaj: Administrata  “Tramp”  i detyrohet  vendit  tonë një  sqarim për non-gratat  e shpallura  më parë

Shkruar nga Liberale

ANALIZË nga Preç Zogaj: Administrata  “Tramp” 

Preç Zogaj

Kush ka kujtuar e predikuar  se shpalljet non grata nga SHBA  nuk kanë më asnjë vlerë në Shqipëri është  sot  përballë një fakti për të kuptuar sa gabim e ka patur: Lobimi  në vlerën 6 milion dollarë pranë administratës së re të Presidentit Tramp për  rehabilitimin e  ish kryeministrit Sali Berisha, më i shquari ndër të sanksionuarit nga vendi ynë. Vlera morale  dhe politike e  lirimit  të tij nga sanksionimi nuk çmohet me para.  Nuk duhet të çuditet njeri. Nëse  është punë çmimi, shuma  mund të ishte e mund  të jetë  disa herë më e lartë.

Të vjen mirë  që  Berisha, ndryshe  nga naivët apo  antiamerikanët  në përcaktim, që e reklamojnë si medalje  sanksionimin amerikan, e ka kryeçështje heqjen e tij.  Mundësisht  me ceremoni nga Departamenti i Shtetit, si korrigjim i një padrejtësie, nëse ka qenë e tillë, duke denoncuar publikisht një lozhë konspiracioniste  me filantropin Xhorxh Soros në krye. Qëllimi i  të cilëve, gjithnjë sipas Berishës, ka qenë eliminimi i  opozitë për t’i lenë dorë të lirë Edi Ramës. Njëherësh të hakmerreshin  ngaqë  u  kishte prishur planin për ndarjen e Kosovës.

Berisha nuk ka paraqitur ndonjëherë ndonjë provë konkrete për sa ka thënë. Madje  ka qenë  në non sens kur ka pretenduar që një administratë e përcaktuar kundër ndarjes së Kosovës,  si ajo e Presidentit Biden,  të ndëshkojë dikë që paska ndaluar ndarjen e Kosovës! 

E dimë se ka qenë duke folur për ndjekësit e vet dhe ia ka dashur puna ta mbajë piacën sa më lart para tyre derisa të rimerte PD-në. Kur të vinte dita, të vërtetën e komplotit  amerikan  kundër tij  do ta  nxirrte  në dritë  vetë Amerika.

Dhe dita ka ardhur me rikthimin në pushtet të Presidentit Tramp, armikut të madh të Sorosit dhe soroistëve .

Denoncimi i komplotit soroist, nëse ka ekzistuar,  do t’i zbardhte faqen Berishës. Njëherësh do të vinte në vend nderin e  vetë SHBA-ve, me fuqinë e së cilës dikush  ka abuzuar  për interesa  meskine,  duke provokuar një tollovi  të madhe  me çmim të lartë në  spektrin opozitar të një vend të vogël mik.

Paratë nuk hyjnë fare në një demarsh kësisoj. Paratë për të korrigjuar një padrejtësi janë një ofendim për vendimarrjen amerikane, për administratën e Presidentit Tramp.

Paratë nuk kanë vend as për heqjen e sanksionimit  si një ndëshkim  shproporcinal, pra si teprim në raport me natyrën e fakteve. As për t’ja hequr ngaqë i është dhënë për arsye ideologjike.

Paratë nuk kanë vend edhe po t’i hiqej me falje nga Presidenti, nëse ligji amerikan e parashikon.

Paratë nuk kanë vend  as për të  kontribuar në formimin e politikës së Uashingtonit për Shqipërinë. Gjithçka në ketë rrafsh bëhet falas, në kuadrin e marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve në të gjitha rrafshet.  SHBA-të kanë politikën e tyre rajonale dhe për Shqipërinë. Ku lufta kundër  korrupsionit përmes sundimit  të ligjit dhe drejtësisë se re përfaqëson një interes kombëtar amerikan të rinovuar së fundi në  përputhje me  agjendën trampiste “Amerika e Para”. SHBA kanë në Shqipëri ambasadën e  tyre, kanë praninë e tyre ushtarake në kuadrin e NATO-s, kanë degë të  agjencive  të luftës kundër drogave, krimit, siç është DEA;   kanë  plot burime të tjera  që kontribuojnë  për të formuar njohjen e imtë dhe qëndrimet e peshuara rreth zhvillimeve në Shqipëri. Shteti amerikan paguan vetë për  të gjitha këto.

Paratë nuk duhen as për të bërë miq. Miqtë nuk blihen. 

E megjithatë në Shqipëri këto ditë po flitet vetëm për paratë që po merr e do të vijojë të marrë  kompania “Continental Strategy” për të lobuar rehabilitimin e Berishës nga qeveria e Presidentit Tramp. Gjashtë milion dollarë për dy vite, shtatëqind e pesëdhjetë mijë prej  të cilëve janë livruar.

Për t’i dhënë përligjie në publik këtij operacioni pa të ngjashëm në  pikëpamje të shumës, me mjaft  pikëpyetje në rrafshin ligjor dhe moral, agora politiko-mediatike  berishiste  po i mëshon shprehjes “me lobim u shpall, me lobim do ta heqin”. Domethënë, me para u shpall, me para do ta heqin.

Ky është një investim tjetër kundër imazhit të SHBA-ve në Tiranë, një përdhosje tjetër e vendit  më mirëbërës  që Shqipëria ka patur në njëqind vitet e fundit.  Herën e parë duke trumbetuar se  vendimarrjet  në Uashington merren zvarrë  nga  miliarderët e saj të shumtë.  Herën e dytë nga  lobistë të  paguar sa frengu pulën, të cilët  ndajnë ryshfete me zyrtarët  e korruptuar apo në konflikt interesi pranë shefave të mëdhenj. Ç’mjerim! Po të ishte kështu SHBA-të  nuk do të ishin  superfuqia e botës, por rrumpallhania e botës.

Zyrtarët e  administratës së mëparshme kanë thënë disa herë se vendimet për sanksionimet janë akte shumë të peshuara. Në formimin e  tyre, kanë thënë ata, marrin pjesë një numër i madh  Departamentesh e Agjencish të Politikës së Jashtme, të Drejtësisë, të Thesarit, të Sigurisë Kombëtare, FBI-ja, CIA e tjerë.

A është  kjo e vërteta? A ka ndodhur kështu  për ish kryeministrin e Shqipërisë? Apo ai është  viktimë e  lobimit  të  Xhorxh Sorosit pranë Sekretarit të Shtetit Blinken dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të asaj kohe?

(Për një dru të shtrembër si MgGonigal, dënuar nga vetë drejtësia amerikane, nuk e shohim të sjellshme të pyesim. Ryshfeti 225 mijë dollarë i marrë prej tij në vitin 2017 nga njerëz pranë kryeministrit Rama turpëron kryeministrin, por nuk ka lidhje me sanksionimin e mëvonshëm  të Berishës. Veç po të bëhej ky Bashë).

Për gjithë kakofoninë e krijuar në vend rreth temës së sanksionimeve  dhe për efektet kontraverse që kanë dhënë në Shqipëri, administrate e re e Presidentit Tramp, specifikisht Departamenti i Shtetit,  i detyrohen vendit tonë një shpjegim transparent për non gratat e shpallura më parë.

Është një obligim miqsh. Shqiptarët nuk meritojnë të jenë në përplasje narrativash për një gjë  që  e  dinë SHBA-të dhe nuk mund të jetë edhe kështu, edhe ashtu.

 

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH