Historinë e pikturës së Ismail Lulanit, “Dede Gjo Luli me luftëtarët” e shpjegon vajza e tij, Ormira, përmes një shënimi që ka lënë i ati rreth veprës që ai e realizoi si temë diplome kur mbaroi studimet për pikturë.
Kur është mbrojtur diploma piktura është titulluar “Dede Gjo Luli me shokët”, ndërsa pas rënies së regjimit ajo ka ndryshuar dhe ka marrë emrin “Dede “Gjo Luli me luftëtarët”. Është e qartë që edhe pse Dede Gjo Luli dhe historia e tij nuk kishte të bënte fare me komunizmin, propoganda e kohës detyronte artistët që të përfshiheshin elementë që të dukej sikur edhe heronjtë luftuan për "idealet" e tyre.
“Në vitin 1967 mbrojta diplomën me notën shumë mirë, e cila u vlersua si një nga diplomat më të mira që janë realizuar në atë shkollë. Ajo titullohej "Dede Gjo Luli me shokë ".
Sot vajza e tij, po ashtu piktore, zbuloi se piktura ndodhet në Muzeun e Armeve në Gjirokaster. Ajo është botuar në revistat tona disa herë, në gazeta, kartolina dhe pulle poste, është botuar edhe jashtë në Lisbone si kartolinë, në Egjipt etj.
Tema historike ishte e preferuara e veprave të tij. Veç veprës së Dedë Gjo Lulit tablotë e Ismail Lulanit fillojnë nga Eposi i kreshnikëve e deri te Lufta Antifashiste. Mjafton të kujtojmë: “Muji e Halili”, ”Gjergj Elez Alia”, ”Kostandini dhe Doruntina”, “Skënderbeu”, “Ali Pashë Tepelena”, “Kara Mahmut Pasha”, “Isa Boletini”, “Shotë e Azem Galica” e shumë figura të tjera historike. "E kam trajtuar këtë temë me dashuri. Kam qenë i lidhur me të, pa u imponuar nga askush” - është shprehur mbi stilin dhe veprat e tij piktori Ismail Lulani pak kohë para se të ndahej nga jeta.
Ismail Lulani lindi më 1933 në Tuz, Mal të Zi dhe ndërroi jetë më 6 tetor të 2002 duke mbetur një nga emrat më të respektuar të Shkodrës dhe një nga emrat më të shquar në historinë e artit shqiptar.
Piktori Ismail Lulani, janë shprehur miqtë e tij, është kujtesë arti. Jo çdokush e meriton një emërtim të tillë.