Analizë

CONSERVATIVE VIEW nga Fitim Zekthi: Listat e partive janë kushtëzuar në radhë të parë nga qëndrimi ndaj SPAK dhe GJKKO

Shkruar nga Liberale

CONSERVATIVE VIEW nga Fitim Zekthi: Listat e partive janë kushtëzuar

Fitim Zekthi

Për zgjedhjet që do të mbahen në 11 maj të këtij viti vihen re dy grupime të mëdha poltike që janë shumica qeverisëse dhe opozita e drejtuar nga Partia Demokratike dhe një grupim tjetër jo solid, i fragmentuar që janë partitë e e reja. Nga listat që kanë paraqitur për kandidatë për deputetë mund të kuptohet edhe mënyra se si i shohin këto zgjedhje dhe çfarë synojnë ato në këto zgjedhje.

Nga të gjitha grupimet vihet re se çështja themelore që përkufizon veprimin e tyre politik dhe sjelljen e tyre politike është drejtësia, prokuroria dhe gjykata speciale kundër krimit dhe korrupsionit. Është e kuptueshme që në një vend kaq të korruptuar, me pandëshkueshmëri që prej ditëve të para të pluralizmit politik, me dy parti të mëdha (PS dhe PD) që kanë dominuar jetën politike prej 34 vitesh kur nis të hetohet dhe ndëshkohet korrupsioni, kur nis të preken të paprekshmit atëherë çështja themelore që shqetëson këto dy parti do të jetë drejtësia.

Partia Socialsite është përballur me hetimin dhe arrestimin e njerëzve të saj kryesorë, ministrave dhe kryetarëve të bashkive më të mëdha të vendit. Disa prej asaj që kryeministri Rama i ka quajtur reformat kryesore të qeverisë së tij si reforma në polici, refoma në pastrimin e territorit dhe mjedisit, reforma në shëndëtësi janë të rrëzuara plotësisht për shkak se ministrat kryesorë që kanë udhëhequr këto “reforma” janë në burg për korrupsion. Ata, qeverisja, jo vetëm që nuk kanë bërë reforma të cilat të jenë të mira për vendin po kanë bërë korrupsion. Pra lufta ndaj korrupsionit e SPAK dhe GJKKO ka rrëzuar të gjithë narrativën e qeverisë, të gjithë fabulën e reformave dhe të suksesit të qeverisjes. Lufta ndaj korrupsinit ka rrëzuar po ashtu edhe të gjithë elitën poliotike të qeverisë. Në burg apo në hetim janë dhjetëra ministra dhe kryetarë bashkie. Në këtë kuptim Partia Socialiste shkon në zgjedhje e shkatërruar politikisht. Drejtësia, SPAK dhe GJKKO janë çështja kryesore e shqetësimit të saj politik. Gjetja e një zgjidhjeje për drejtësinë dhe për këto organe është gjë jetike për Partinë Soicialsite.

Kjo zgjidhje për Partinë Socialiste duhet gjithashtu të jetë e tlllë që të ruajë sadopak edhe perspektivën elektorale në mënyrë që ajo të fitojë zgjedhjet.
Partia Demokratike gjithashtu shkon në këto zgjedhje me ngërçin gjigand të luftës me prokurorinë kundër krimit dhe korrupsionit SPAK dhe gjykatën speciale GJKKO. Kryetari i saj (kryetari i PD-së) është në gjyq i akuzuar për korrupsion, kryetari i LSI, Ilir Meta është i arrestuar për korrupsion, disa zyrtarë të tjerë janë në akuzë për korrupsion. Partia Demokratike gjithashtu ka shqetësim të madh dhe kryesor çështjen e këtyre organeve dhe luftës ndaj korrupsionit.

Partitë e reja si Nisma Shqipëria Bëhet, koalicioni Demokratët Atlantikë, Djathtas 1912, Mundësia Lëvizja Bashkë kanë po ashtu çështje kryesore të fushatës së tyre dejtësinë. Për to korrupsioni është çështja më e madhe e Shqipërisë. Të gjtha të tjerat ekonomia, mjerimi, rendi publik janë të lidhura dhe janë pasojë e korrupsionit të lartë të politikanëve të lartë.

Partia Socialiste dhe kryeministri Rama e kanë kuptuar që një luftë me SPAK dhe GJKKO nuk do t’i çojë aksund dhe nuk mund të fitohet. SPAK dhe GJKKO kanë mbështetjen e publikut dhe të partnerëve kryesorë ndërkombëtarë. Nuk ka mundësi të zhbëhet, shkrihet apo asgjësohet. Gjithashtu një luftë ndaj tyre nuk është elektorale, është humbëse. Në këto kushte kryeministri Rama ka gjetur si mundësi përballjeje me çështjen e korrupsionit dhe të SPAK çlirimin e Partisë Socialiste nga ngarkesat apo ata që janë barrë. Kryeministri po flet se është pro SPAK dhe pro drejtësisë, se pa ata nuk ka drejtësi ndërkohë që ka larguar nga grupi parlamentar mbi 25 deputetë dhe pjesën më të madhe të deputetëve e ka vendosur në listë të hapur. Pra, mënyra që ka gjetur Rama (e cila nuk bie ndesh me logjikën elektorale) është çlirimi i PS-së nga ata që nesër mund të bien në rrjetën e drejtësisë.

PD-ja e ka adresuar ndryshe çështjen e drejtësisë, të SPAK-ut dhe GJKKO-së. PD ka futur në listë të mbyllur njerëz ekstremisht besnikë, njerëz që kanë vite dhe madje dekada që janë aty për shkak të besnikërisë. PD ka shkuar në drejtim të kundërt. Ka futur në lista të hapura ata që janë të rinj, ata që nuk e kanë dëshmuar besnikërinë si të vjetrit. Kjo është lista më e parinovuar e PD-së që nga viti 1992. Një opozitë synon të jetë ndryshimi, synon të përfaqësojë ndryshimin dhe ndryshon gjuhën, sjelljen dhe njerëzit. PD-ja ka bërë të kundërtën. PD-ja e ka adresuar çështjen e shqetësimit themelor të SPAK dhe GJKKO-së duke u solidifikuar, duke u mbledhur nën vete, duke menduar që nesër kur problemet të rriten ajo të jetë e bashkuar kundër SPAK dhe GJKKO. Lista e PD-së, ndryshe nga lisat e PS-së ka marrë parasysh vetëm mbrojtjen dhe jo logjikën elektorale. PD nuk e ka fare shqetësim logjikën elektorale. PD-ja kërkon vetëm mbrojtje. Partitë e reja sigurisht që kanë kandiduar përgjithësisht njerëz të rinj, profesionistë të ndryshëm, njerëz që nuk kanë konsumimin dhe as përvojë të madhe politike. Ata e kanë zgjidhur shumë thjesht dhe padyshim drejt çështjen e drejtësisë dhe korrupsionit. Ata përkrahin fuqimisht SPAK dhe GJKKO.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH