Ervis Iljazaj
Zgjedhjet e 11 majit nuk janë si zgjedhjet e tjera. Ato i bëjnë interesante shumë arsye. Madje janë pesë arsye se përse këto janë zgjedhje më interesante se të tjerat dhe e bëjnë garën poliitke kurioze dhe të bukur politikisht.
E para, është vota e diasporës. Kjo është hera e parë që shqiptarët që votojnë jashtë Shqipërisë do të votojnë për zgjedhjet parlamentare. Në këtë kuptim, vota e tyre është një mister dhe vështirësisht e lexueshme. Me të gjitha gjasat, kjo do të jetë një votë përcaktuese në disa qarqe. Nëse vota e shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri pak a shumë mund të jetë kontrollueshme apo e parashikueshme, ajo e diasporës mbetet një mister.
Kjo është eksperienca e parë e Shqipërisë ku shqiptarët e diasporës do të votojnë, dhe si pasojë edhe partitë politike një pjesë të energjisë së tyre e kanë harxhuar apo do ta harxhojnë jashtë. Gjë e cila bënë që dhe retorika politike e partive të jetë në dy dimensione, një për shqiptarët e Shqipërisë dhe një për ata që jetojnë jashtë. Sepse, për të dy këto dy grupime elementare që përcaktojnë votën janë të ndryshme.
E dyta, për herë të parë ndoshta ka një kërcënim real të partive të reja politiike për ato tradicionale. Parti si Shqipëria Bëhet, Partia Mundësia apo Lëvizja Bashkë kanë një popullaritet të lartë. Nga të gjitha sondazhet, në parlamentin e Shqipërisë me siguri do të kemi deputetë që për herë të parë do të jenë prezentë dhe që vijnë totalisht jashtë sistemit aktual, dhe me të gjitha gjasat, debati politik brenda këtij institucioni do të ndryshojë për shkak të gjuhës politike të drejtëpërdrejtë që përdoret nga shumë prej tyre.
Ajo që mbetet interesante për t’u parë në këto zgjedhje është fakti nëse këto parti të reja do të arrijnë të thyejnë binomin politik Rama-Berisha, apo kjo dyshe do të vazhdojë të zotërojë politikën shqiptare edhe për shumë vite të tjera.
E treta, në këto zgjedhje, dashur apo pa dashur kemi një faktor tjetër pushteti dhe që mund të ndikojë politikën shqiptare. SPAK në vitet e fundit padyshim që ka qenë një protagonist kryesor me hetimet, akuzat apo arrestimet që ka kryer. Rasti më i fundit dhe më me ndikim ka qenë padyshim ai i Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe një nga eksponentët më të rëndësishëm të Partisë Socialiste.
SPAK është futur në mes të politikës me hetimet e tij dhe ka ekspozuar shumë politikanë të klasës aktuale politike ndaj një korrupsioni të nivelit të lartë. Shumica e shqiptarëve e besojnë, madje është institucioni më i besueshëm nga ana e tyre, pikërisht për urinë që ka shoqëria jonë për luftën ndaj korrupsionit. Të dyja palët janë kundër tij, edhe pse Partia Demokratike e godet publikisht, ndërsa PS publikisht e mbron por nën rrogoz bënë çdo gjë për ta penguar. Se si do të përkthehet në vota dhe në gjykimin e shqiptarëve raporti që kanë palët politike me këtë institucion kjo mbetet për t’u parë. Por ama, është e qartë se SPAK është bërë automatikisht një faktor i rëndësishëm të marrëdhënieve politikë-shoqëri.
E katërta, është hera e parë që një parti politike kërkon mandatin e katërt radhazi në Shqipëri. Disa vite më parë kjo dukej një çmenduri, ndërsa sot, Edi Rama dhe partia e tij janë duke u kërkuar shqiptarëve besimin për të qeverisur për herë të katërt radhazi. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë dhe me tej, ndoshta rasti i Ramës hyn në rastet e ralla ku një shtet mund të ketë për 16 vite të njëjtin Kryeminsitër. Në këtë kuptim Edi Rama ka një peshë të madhe në gjykim të shoqërisë për 12 vite të qeverisjes së tij.
E pesta, është interesante të shikohet se si do të sillet shoqëria shqiptare me rikthimin e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike. Sali Berisha kësaj here i kërkon shqiptarëve votën për të qenë ai Kryeministri i Shqipërisë edhe pse në një moshë 80 vjeçare, edhe pse non grata nga dy shtete aleate kryesore të Shqipërisë. Edhe historia e tij është po ashtu një histori interesante. Kur të gjithë e mendonin të vdekur politikisht, ai u rikthye dhe mori Partinë Demokratike me konsistencën që e karakterizon. Është ndoshta rast i vetëm që një parti në Europë të ketë të njëjtin kryetar për 35 vite me radhë si ky i Partisë Demokratike. Me të gjitha gjasat ajo parti është partia e tij dhe vështirë se do të ekzistojë më pas tij. Kështu deshën demokratët dhe kështu ndodhi. Tashmë të shohim gjykimin e shqiptarëve për këtë fenomen më shumë unik se sa të rrallë. Kësaj here Berisha nuk ka më alibi për humbjen e tij. Ai tashmë ka logon e Partisë Demokratike dhe gjithçka tjetër. Madje, në Shtëpinë e Bardhë nuk janë më armiqtë dhe persekutuesit e tij politikë, por miqtë e tij.
Për të gjitha këto arsye, 11 maji është padyshim një nga garat më interesante që ka patur Shqipëria. Ka të gjitha elementët për të qenë rast studimor i sociologjisë politike. Një rast unik padyshim.