Analizë

ANALIZË nga Enxhi Heti: Ngarendja e Shqipërisë drejt BE-së

Shkruar nga Liberale

ANALIZË nga Enxhi Heti: Ngarendja e Shqipërisë drejt BE-së

Enxhi Heti *

Shqipëria është vendosur sërish në qendër të zhvillimeve të brendshme evropiane. Në maj, vendi ynë i vogël, do të mikpresë mbledhjen e Komunitetit Politik Evropian. Ministri i ngarkuar me punët e jashtme, në një takim përgatitor në Paris, pati rastin të jepte një intervistë formale për prestigjiozen “France24”. Padyshim që, ky ekspozim i tij në shtypin francez, i shërben më tej diplomacisë publike shqiptare, e cila ka ardhur duke u diversifikuar kryesisht gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Progresi i saj me reformat ka qenë i dukshëm, madje po përflitet se anëtarësimi nuk do të vonojë më shumë se 5 vjet. Megjithatë, intervistuesja e lidhi fatin e Shqipërisë drejt BE-së jo me punën e bërë, por me krizën në Ukrainë e më tej me sigurinë e Ballkanit, sikurse e dëften edhe vetë titulli i intervistës pakminutëshe.

Është një ngjarje që pason vizitën e Komisioneres për Zgjerimin në Tiranë, krejt e shkëputur prej saj, por që (aspak) rastësisht përsillet nëpër po ato vrunduj.

Në gjeopolitikën e sotme ku asgjë nuk është e pamundur dhe çdo gjë është e mundur, një gjë është e sigurt – Shqipëria po ngarend drejt Bashkimit Evropian. Kjo ishte fjalia hapëse e fjalimit të znj. Kos në Tiranë. Fjalia u pasua nga fjalë të tjera shpresëdhënëse për të ardhmen evropiane të Shqipërisë: u përgëzua puna e grupit negociues, u ofrua mbështetje e plotë për përparimin e Shqipërisë, u përsërit parashikimi i përmbylljes së negociatave deri në 2027-n, u njoftua hapja e grup-kapitujve të mbetur gjatë këtij viti, të cilat doemos edhe do të mbyllen duke patur parasysh suksesin e reformave të deritanishme. Shtjekat e buzëve të shumë të të pranishmëve u tendosën hareshëm! Pasi shteroi kortezitë që paraprijnë zakonisht brendinë e vërtetë të çdo fjalimi diplomatik, përfaqësuesja e BE-së deklaroi se Shqipëria dëshirohet në BE jo vetëm sepse e meriton, por sepse, me të, Evropa do të jetë më e madhe dhe më e fortë. Sipas saj, për evropianët ne jemi ujdhesë stabiliteti, promovues të palëkundur të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunëtorë të vyer rajonalë. Për ta, ne jemi mikpritës dhe dashamirës – kemi pritur e përcjellë me nderime kaq përfaqësues të lartë të BE-së dhe kemi organizuar aq konferenca e samite. Evropianët na njohin aq mirë, sa u ka shkuar fjala se shqiptarët janë tepër të dhënë pas futbollit dhe, që prej vitit 2013, edhe pas basketbollit.

Evropianët e njohin vërtet mirë Shqipërinë, aq sa dinë edhe se sa metra është maja më e lartë e saj, të cilën përfaqësuesja e BE-së u zotua ta ngjisë me rastin e anëtarësimit. Evropianët na njohin mirë, por ndër vargje cilësimesh, ngurrojnë ende të renditin më të rëndësishmin prej të gjithave: që jemi pikësëpari evropianë! Po po, nuk ka dyshim që komuniteti evropian e njeh mirë Shqipërinë, aq sa u nevojitet ndihma e medias dhe një fushatë komunikimi për ta bërë të njohur për Shtetet Anëtare!

Meqë jemi në prag “thellimesh”, atëherë, le ta ndreqim paksa narrativën e anëtarësimit në BE (me shpresë se do të bjerë dikur në veshin e duhur) duke thënë se, përpjekja e Shqipërisë për të hyrë në pëqirin e familjes së madhe evropiane, nuk është një novelë për gjetjen e qetimit gjeostrategjik, por është, para së gjithash, një epope e kthimit në shtëpi. E mbajtur larg prej Evropës që prej pushtimit osman e deri në rënien e komunizmit, rravgimi i saj dyzetvjeçar për t’u kthyer aty ku përket ka qenë po aq këmbëngulës sa endja dhjetëvjeçare e Uliksit. Në rrugën e kthimit shumëçka ndryshoi. Periudhat e ndryshme historike e kanë mprehur Shqipërinë herë me kryeneçësi, herë me nënshtrim, herë me aktivizëm, herë me indiferentizëm, herë me fetarizëm, herë me afetarizëm, herë me kombëtari e herë me çkombëtari. Gjatë këtij rrugëtimi, vendi u zhyt në pështjellime anarkish. Diplomati më i famshëm shqiptar i të gjitha kohërave, Noli, në një portretizim të pashoq të Shqipërisë, përshqoi pesë anarki që e mbanin vendin të gjunjëzuar e kokulur në prapambetje. Sot, Shqipëria është një vend ku, të paktën, të katërta fetë kanë zënë vend harmonishëm në trojet e këtij populli pagan, ku tradhtari njihet për tradhtar e patrioti për patriot, dhe ku idealet e shtrembëta e të mumifikuara të Fanarit të Buharës janë mundur nga idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit pas përfytjesh e përleshjesh në një luftë të përgjakshme. Shqipëria e ditëve të sotme është një vend që përpiqet t’i largohet trashëgimisë së regjimeve të mugëta duke përqafur rendin e ndritur demokratik; është një vend që rreket për të drejta dhe liri më të mira civile; është një vend që jep kontributin e vet modest për fqinjësi të mirë, paqe e siguri. Në rrugëtime të tilla faqendryshuese, ka doemos edhe pengesa. Sikurse Uliksit iu desh, ndër të tjera, të ndeshej me Ciklopin, t’i mbijetonte këngës së sirenave magjepsëse deri në vdekje, t’i bënte ballë zemërimit të Poseidonit, apo t’i shpëtonte izolimit në ishullin e Çirçes, Shqipërisë i është dashur të përballet me furinë e fuqive të mëdha, me grykësinë e fqinjëve, me copëtimin e trojeve, me dhunën e pushtuesve, meterrin e diktaturës, me izolacionizmin, me varfërinë, me tranzicionin institucional e shoqëror, dhe së fundi me përnjohjen e identitetit të saj të vërtetë, e cila me sa duket nuk do të vijë pa një tendosje të fundit të harkut (për ata që nuk e dinë, plotësimi i kushteve për anëtarësim nuk pi shumë ujë nëse nuk fitohet bindja e Shteteve Anëtare).

E megjithatë, pavarësisht ngjashmërisë metaforike, përshkrimi i Shqipërisë në narrativën evropiane vijon të përkojë jo me vetë Uliksin, por me një prej kandidatëve të Penelopës, që mëton një grua e cila nuk i përket e pretendon të hedhë rrënjë në një mbretëri që nuk i takon.

Shqipëria, sikurse tha komisionerja Kos et alia, do të anëtarësohet jo vetëm sepse e meriton, por edhe sepse duhet këndellur familja e madhe evropiane. Sigurisht që Shqipëria do të anëtarësohet edhe për shkaqe gjeopolitike, por le të tregohemi pakëz të guximshëm e të pohojmë se, Shqipëria do të anëtarësohet pikësëpari sepse, pas kaq tëhuajësimesh dhe kacafytjesh me fatin e vet historik, ka ardhur koha të kthehet në shtëpinë e saj. Me të gjithë sinkretizmin kulturor që ka fituar ndër shekuj, ajo mbetet një prej copëzave periferike të mozaikut kulturalisht të thukët evropian. Ndoshta, Evropës i duhet një krizë e brendshme për të dalë nga honi i harresës e për t’u kujtuar...

*Enxhi Heti ka përfunduar studimet në nivelin Master Shkencor për Marrëdhënie Ndërkombëtare në UET

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH