Nga Luiza Pinderi
Një betejë e gjatë dhe gjithëpërfshirëse ka qenë ajo e shpalljes së Lumit të Vjosës Park Kombëtar (Kategoria II e mbrojtjes sipas IUCN). Dhjetëra studime, konferenca, protesta me pjesëmarrjen e shkencëtarëve dhe organizatave brenda dhe jashtë vendit kontribuan për gati 1 dekadë për të mbrojtur një nga lumenjtë e fundit të egër që rrjedh lirshëm në Europë. Profesori dhe biologu i njohur, Aleko Miho, me një karrierë të gjatë në mësimdhënie, autor librash dhe botimesh shkencore, ka qenë një zë i fortë, me një përpjekje të paepur, për të nxjerrë në pah vlerat e Vjosës dhe për të përçuar në instancat më të larta nevojën e shpalljes si Park Kombëtar.
Në këtë intervistë për Liberale.al, profesor Miho, i cili njëkohësisht është kryetar i organizatës mjedisore Ecoalbania, tregon në mënyrë të detajuar të gjitha hallkat dhe veprimet që janë ndjekur deri në vendimin e qeverisë më 13 mars 2023, i cili bëri jehonë në mbarë botën. Sipas vendimit, një hapësirë lumore prej 12,727 ha që është gjithë sipërfaqja ujore, bregore e lumit bashkë me sipërfaqen tokësore dhe tre degët e lumit Vjosë, Drino, Bënçë, Shushicë (gjithsej mbi 400 km rrjedhë lumore), është sot Park Kombëtar i një lumi të egër në Europë.
Profesori thekson më tej se ky vendim është një sfidë për Shqipërinë dhe të gjithë banorët që jetojnë në këtë zonë, të cilët duhet të përfitojnë sa më shpejt si pjesë e një zone të mbrojtur, ndërsa ekspertët kërkojnë që qeveria të përfshijë brenda Parkut Kombëtar edhe deltën e Vjosës.
"Të shpallësh Parkun Kombëtar të Lumit të Vjosës, duke lënë jashtë zonimit gjithë hapësirën ligatinore, lagunore dhe dunat bregdetare është e pakuptimtë, dhe jashtë kritereve të IUCN për mbrojtjen e natyrës", shprehet Miho, duke dhënë disa sugjerime për vendimmarrjet e ardhshme. Më poshtë intervista e plotë:
Qeveria lajmëroi këtë javë shpalljen Park Kombëtar të Lumit Vjosa. Cili ka qenë aktiviteti dhe kontributi i shkencëtarëve dhe komunitetit mjedisor në arritjen e këtij vendimi të domosdoshëm dhe të shumëpritur?
Është e vërtetë që shpallja këtë javë Park Kombëtar (Kategoria II e mbrojtjes sipas IUCN) e Lumit Vjosë dhe degëve të saj Drino, Bënçë, Shushicë është kulmimi i përpjekjeve të shumë forcave dhe aktorëve të ndryshëm brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kjo nis nga viti 2014, kur Lumi Vjosë u identifikua nga WWF, Riverwatch, Euronature si i vetmi lumë i mbetur në Europë, përgjithësisht në gjendje natyrore, me rrjedhje të lirë (wild river, lumë i egër si është thënë rëndom), por që ishte nën kërcënimin e ndërtimit të mbi 40 HEC-eve. Këtu përfshihen ekspertë të biologjisë së ruajtjes (botanistë dhe zoologë), të kimisë, pranë FShN, UT, dhe nga Universiteti Bujqësor, ekspertë të tjerë të hidrogjeologjisë nga Fakulteti i Gjeologjisë, UPT, etj.
Puna jonë në vite u udhëhoq nga ekspertë të ekologjisë lumore të disa universiteteve austriake (Universiteti i Vjenës, BOKU) etj., ekspertë gjermanë, italianë. Përpjekjet tona si botë akademike u mbështetën dhe bashkërenduan me veprimtaritë e qendrave mjedisore joqeveritare, Riverwatch, Austri, Euronatur, Gjermani, dhe Ecoalbania, Shqipëri, në fushatën e përbashkët ‘Të mbrojmë zemrën blu të Europës’.
Në këto vite ne kryem mbi 10 ekspedita të përbashkëta në Vjosë: qershor, 2014, tetor 2016, prill dhe maj 2017, mars dhe prill 2018, maj/qershor 2021 (lumin Shushicë & Bënçë), qershor, gusht dhe shtator 2022 dhe jemi duke përgatitur ekspeditën e radhës në muajin prill 2023. Qëllimi ynë ka qënë njohja me vlerat natyrore të Vjosës dhe degëve të saj, mbi lidhjet ndërmjet gjendjes së ekosistemit dhe gjendjes ekonomike, sociale dhe kulturore në funksion të rritjes së mirëqenies së zonës.
Në këto vite ne organizuam bashkarisht në FSHN, 6 veprimtari ndërkombëtare: në qershor 2016, shtator 2017, dhjetor 2018, maj & tetor 2019, shtator 2020, dhe jemi duke përgatitur një tjetër konferencë në tetor 2023. Qëllimi i këtyre takimeve ka qenë shkëmbimi i të dhënave dhe konsultimi mes grupeve tona dhe me institucionet qeveritare, përfaqësuesit vendorë (AMBU, AKM, AdZM-të, ARM-të etj.), OJF-të, etj. Një pjesë e të dhënave janë botuar dhe vënë në dispozicion gjithë palëve të interesuara në vendimmarrjen qendrore dhe vendore. Këtu dallohet vëllimi me titull, "Vjosa, Shqipëri: Një ekosistem lumor me rëndësi europiane" (Acta ZooBot Austria, 155/1, 2018).
Ky është një botim gjithëpërfshirës për Vjosën, ku 63 shkencëtarë nga Shqipëria, Austria dhe Gjermania japin të dhënat e tyre për biodiversitetin dhe llojet e rralla dhe të kërcënuara, për hidrogjeologjinë dhe proceset sedimentologjike etj. Në të dëshmohet rëndësia e madhe e sistemit lumor të pellgut të Vjosës në një kontekst europian, por edhe ndikimi i mundshëm prej ndërtimit të HEC-eve të planifikuara. Në shtator 2020 u përurua Qendra Kërkimore e Vjosës ‘Fritz Schiemer’ në Tepelenë, e cila është e pajisur me mikroskopë dhe steromikroskope, dhe përdoret rregullisht për hulumtime nga ekspertët dhe studentët gjatë daljeve në terren.
Në qershor 2016, shkencëtarë nga Shqipëria, Austria dhe Gjermania, në Konferencën Shkencore për Vjosën në FShN, rekomanduan me forcë një Moratorium 3-vjeçar të planeve të ndërtimit në Vjosë dhe degët e saj, për të mundësuar zbatimin e një programi vlerësimi ndërdisiplinor gjithëpërfshirës për pellgun e Vjosës. Memorandumi u nënshkrua nga 60 shkencëtarë në Shqipëri, pjesëmarrës në Konferencë, dhe më pas u mbështet nga mbi 220 shkencëtarë me famë botërore. Në atë vit shkencëtarët sëbashku protestuan kundër ndërtimit të HEC-it në Poçem.
Majtas: gjatë takimit të dorëzimit të Peticionit të IWRS (2019) me ish- Kryetarin e Kuvendit z. G. Ruçi bashkë me Prof. Schiemer, Universiteti i Vjenës, dhe Prof. F. Bego, Universiteti i Tiranës; Djathtas: Bashkë me Presidentin Meta në shtator 2020 u organizua Tryeza: E ardhmja e lumit Vjosë/Aoos: HEC-et ndaj Parkut Kombëtar.
Në tetor 2019 u mbajt në Tiranë Simpoziumi Shkencor Ndërkombëtar për Lumenjtë e Egër (IWRS, 2019). Ndër të tjera këtu shkencëtarët miratuan një Peticion, për të ndaluar ndërtimin e digave mbi lumin Vjosë dhe për të ndjekur zbatimin e standardeve ndërkombëtare në këtë çështje; ky peticion u nënshkrua nga 776 shkencëtarë nga 46 vende të botës. Deri në atë kohë Qeveria dhe institucionet përgjegjëse në Tiranë mbajtën qëndrim shpërfillës ndaj këtyre kërkesave.
Ndër të tjera grupimi prej rreth 30 shkencëtarësh ka kryer shqyrtim kritik të VNM-ve të HEC-ve të Kalivaçit (2020) dhe të kaskadës së Lumit Shushicë (2021). Në maj 2017, Gjykata Administrative e Tiranës ndalon ndërtimin e Hidrocentralit të Poçemit, dhe në maj 2021 atë të Kalivaçit.
Nga hulumtimet paraprake në vite u vu re gjendja e jashtëzakonshme e Vjosës: si larmia e madhe e habitateve të rrezikuara të listuara në Direktivën e BE-së për Habitatet ashtu edhe biodiversiteti i lartë, duke përfshirë speciet e kërcënuara dhe endemike, të cilat theksojnë vlerën e saj në shkallë europiane. Në të vërtetë, lumi Vjosë u identifikua si një pikë referimi për politikën mjedisore europiane dhe si një laborator unik natyror për ekologjinë e lumenjve që mund të drejtojë përpjekjet për restaurimin e lumenjve alpinë në të gjithë Europën. Gjithë këto përpjekje dhe jehonë bënë që Komisioni Europian në Raportet e Progresit për Shqipërinë të theksojnë disa herë për ruajtjen e lumenjve nga projektet e HEC-eve, veçanërisht në ZM-të, të përsëritura konkretisht në prill 2015, prill 2016, nëntor 2016, shkurt 2017, dhjetor 2018.
Në shkurt 2017, Parlamenti Europian kritikoi qartazi qeverinë shqiptare në lidhje me politikat e saj hidroenergjetike, duke kërkuar Parkun Kombëtar të Vjosës dhe ndalimin e projekteve të HEC-eve. "Është e vërtetë që Shqipëria ka nevojë për energji dhe më shumë zhvillim, por kjo nuk duhet bërë duke shkatërruar natyrën", u tha nënkryetarja e PE, Ulrike Lunacek, gazetarëve shqiptarë në Bruksel në 14 prill 2017. Në takimin e Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës të mbajtur në nëntor-dhjetor 2021 në Strasburg morën vëmendje tre çështje të ndjeshme mjedisore për Shqipërinë: statusi i mbrojtjes së lumit Vjosë; projekti i aeroportit në Zonën e Mbrojtur Vjosë-Nartë; dhe procesi i rishikimit të kufijve të rrjetit të Zonave të Mbrojtura. Komiteti vendosi të mbajë të hapur çështjen e lumit Vjosë, si dhe të bëjë një vlerësim të situatës në terren në vitin 2022 në lidhje me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
Shumë institucione me famë botërore, ekspertë dhe persona të tjerë u ndërgjegjësuan për lumin e fundit të egër të Europës – Vjosën. Përmendim këtu aktorin e Hollivudit dhe aktivistin mjedisor, Leonardo DiCaprio, i cili u bë një zë i fortë për mbrojtjen e lumit Vjosë. Duke përdorur rrjetet sociale ai bëri thirrje disa herë për të mbrojtur lumin e fundit të egër të Europës nga planet e autoriteteve shqiptare.
Po kështu në vitin 2018, Patagonia, korporata ndërkombëtare e veshmbathjeve, por edhe me qasje mjedisore njëkohësisht, bashkoi forcat me aktivistët dhe OJF-të në Ballkan, për të mbrojtur Vjosën, dhe për të krijuar parkun e parë kombëtar të lumit të egër në Europë. Si rrjedhojë e gjithë këtyre përpjekjeve në janar 2022 ekosistemi natyror ‘Lugina e lumit Vjosë (7,989.5 ha) shpallet ‘Park Natyror’ (Kategoria IV) (VKM 60/2022).
Kjo ishte një kategori e ulët mbrojtje jo në përputhje me vlerat, dhe nuk garantonte mbrojtje të sigurt nga projektet ndërtimore për të ardhmen. Për këtë, në qershor 2022, Qeveria Shqiptare nënshkruan një marrveshje me Kompaninë Patagonia për të shpallur Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, e cila u bë realitet pak ditë më parë (13 mars 2023). Në këtë mënyrë, një hapësirë lumore prej 12,727 ha që është gjithë sipërfaqja ujore, bregore e lumit bashkë me sipërfaqen tokësore dhe tre degët e lumit Vjosë, Drino, Bënçë, Shushicë (gjithsej mbi 400 km rrjedhë lumore), është sot Park Kombëtar i një lumi të egër në Europë.
Në gjithë këto përpjekje ne u jemi mirënjohës dhe borxhli shumë ekspertëve, institucioneve, OJF-ve dhe sponsorëve, por një mirënjohje shumë e veçantë shkon për Prof. emer. Fritz Schiemer, në Universitetin e Vjenës, Austri, dhe z. Ulrich Eichelmann, CEO i Riverwatch dhe koordinator i fushatës "Zemra Blu e Europës". Pa pjekurinë dhe përvojën e gjatë në fushën e ekologjisë lumore të Prof. Schiemer dhe pa energjinë dhe përvojën mjedisore në mbrojtjen e mjedisit lumor të z. Eichelmann vështirë se çështja e Vjosës do kishte marrë këto përmasa dhe do kishte arritur këtë sukses.
Nga ana shqiptare duhet theksuar gjithë përkushtimi rinor i grupit të ekspertëve të Ecoalbania nën drejtimin e z. Olsi Nika, i diplomuar vite më parë në masterin tonë shkencor të Biologjisë së Mjedisit, si dhe i shumë aktivistëve të tjerë mjedisorë në shumë organizata joqeveritare të vendit. Vlen të theksohet se në këto vite pushteti vendor i të gjithë pellgut ka mbështetur përherë përpjekjet tona.
Po ashtu edhe drejtuesit e institucioneve tona universitare kanë qenë gjithmonë mbështetëse në veprimtaritë tona jo vetëm për Vjosën, por për gjithë mbrojtjen e natyrës në përgjithësi. Jemi mirënjohës edhe për shumë gazetarë në shtypin e shkruar dhe atë pamor që kanë përcjellë vazhdimisht veprimtaritë tona, duke fuqizuar më shumë gjetjet dhe kërkesat tona për mbrojtjen e vlerave natyrore dhe biologjike.
Cilat janë resurset dhe pasuritë natyrore që e bëjnë kaq me vlerë Lumin Vjosa?
Vjosa është lumi më i madh i Shqipërisë pas Drinit, dhe lumi i fundit me rrjedhje të lirë në Europë, përjashto Rusinë. Për veprimtarinë hidrodinamike dhe sedimentologjike, për habitatet lumore dhe biodiversitetin e ruajtuar në gjendje natyrore, Vjosa konsiderohet si ekosistem lumor me rëndësi europiane. Së bashku me degët e saj, Vjosa përfaqëson një ekosistem lumor dinamik të karakterizuar nga një regjim prurjesh pothuajse natyror dhe një dinamikë hidromorfike kryesisht të paprekur.
Lumenj të tillë janë zona të nxehta të biodiversitetit natyror, sigurojnë ujë të pastër për konsum nga njeriu dhe prodhim ushqimor falë proceseve të pastrimit natyror dhe rimbushjes së akuiferëve të ujërave nëntokësore, zbutin përmbytjet dhe ofrojnë mundësi unike për zhvillimin e ekoturizmit dhe për çlodhje.
Në Vjosë dhe degët e saj strehohen mbi 15 lloje habitatesh prioritare lumore me interes europian (Direktiva e Habitatit – NATURA 2000); 7 lloje habitatesh me prioritet (EUNIS, IPA) me vlera të larta floristike. Ajo dhe gjithë degët janë korridorë biologjikë për shumë gjallesa ujore, peshq, amfibë, zvarranikë, invertebrorë ujorë, si një arterie e gjallë mes detit dhe tokës.
Mjediset ligatinore përgjatë gjithë lumenjve dhe gjithë hapësira kënetore e deltës njihen sot si mjediset me prodhimtari të lartë, si strehë, mjedise për ushqim, riprodhim dhe mbrojtje të gjithë gjallesave ujore, vertebrorë dhe invertebrorë. Këto janë vlera me rëndësi nga ana natyrore për prodhim O2, përvetim CO2 dhe N2, etj., por edhe për vetë njeriun, që në shekuj ka përfituar prej tyre.
Deri sot për lumin Vjosë njihen rreth 1430 lloje, ku përfshihen: mbi 250 lloje algash mikroskopike, rreth 300 lloje bimësh vaskulare dhe 5 bimë jo vaskulare, 340 artropodë, 109 molusqe, 36 peshq, 19 zvarranikë dhe 9 amfibë, 24 shpendë dhe 24 gjitarë. Kështu, 39 specie janë të rrezikuara sipas IUCN, dhe 119 janë në Listën e Kuqe Shqiptare (2013). 148 lloje gjenden në Aneksin 1–3 të llojeve të mbrojtura nga Konventa e Bernës; 41 lloje në Direktivën e Shpendëve; 78 lloje në Direktivën e Habitateve.
Mbi 70% e këtyre llojeve do të prekeshin nga ndërtimet e HEC-eve; shumë lloje do të prekeshin rëndë, nga rënia e popullsisë deri në zhdukje. Kjo ndodh sepse disa qindra hektarë, pjesë e Direktivës së BE-së për Habitatet, do të zhdukeshin nga përmbytja prej ujëmbledhësve; kurse të paktën 2800 ha habitate të Direktivës për Habitatet do të prekeshin drejtpërdrejt në rrjedhën e poshtme të digave nga morfodinamika e reduktuar; mund të pritej edhe humbja afatgjatë e habitateve të mbrojtura deri në bregdet përgjatë gjithë hapësirës së deltës së Vjosës (habitatet përgjatë deltës, zonat kënetore dhe dunat bregdetare, lagunat, kriporja).
Si e vlerësoni këtë vendimarrje dhe çfarë të mire do t’i sjellë vendit tonë?
Ky është një akt shumë i rëndësishëm jo vetëm për Qeverinë shqiptare, por për gjithë vendin që duhet duartrokitur. Shpallja dëshmon për një vizion ndryshe, si në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe shfrytëzimit me kriter të burimeve natyrore (ujore, biologjike etj.), por dhe të parandalimit dhe ruajtjes së vetë shëndetit të njeriut. Ekspertët nuk janë kundër ndërtimit të HEC-eve në mënyrë të prerë. Por është një detyrim që vendi ynë ka për të ruajtur të paprekur një pjesë të lumenjve, integritetin natyror të tyre, për të mundësuar zhvillim normal të proceseve hidrodinamike, të habitateve dhe biodiversitetit lumor. Sqaroj se integriteti natyror dhe biologjik lidhet me gjendjen e përgjithshme të virgjër, të paprekur, të pacopëtuar të ekosistemit lumor të Vjosës dhe shumë degëve të saj, nga delta në Adriatik deri në burim.
Kjo nënkupton larmi biologjike të lartë (bimore dhe shtazore, ujore dhe të steresë), aftësi strehimi dhe bashkëjetese të barabartë, të pashqetësuar dhe të përshtatur për bimët dhe kafshët. Kjo është arsyeja që u këmbëngul fort të mbrohet duke e mbajtur larg shfrytëzimit nga njeriu për qëllime përfitimi të çastit, qoftë nga ndërtimet e HEC-eve, por dhe nga turizmi masiv (betonimi), nga ndotja (urbane, industriale, bujqësore, blegtorale), dhe nga shumë ndërhyrje që bien ndesh me integritetin e tyre natyror.
Shqipëria në gjithë këto vite tranzicioni ka treguar qasje negative ndaj medisit dhe përdorimit pa kriter të pasurive natyrore, duke filluar nga përdorimi i keq i tokës, urbanizimi i çrregullt, infrastruktura rrugore dhe turizmi masiv kaotik, sidomos në bregdet, çpyllëzimet për lëndë drusore ose tokë bujqësore, kullotje e tepruar, zjarre të pakontrolluara, dhe së fundi ndërtimi masiv i HEC-eve në çdo rrjedhë lumore, përfshirë dhe brenda ZM-ve. Shpallja e PK të Lumit të Vjosës tregon për një kthesë, për një vizion ndryshe ndaj mjedisit, dhe urojmë të jetë ogur i mirë, edhe për të ardhmen edhe për pasuri të tjera mjedisore.
Çfarë do të ndodhë tani me Vjosën, pas shpalljes si Park Kombëtar dhe cilat janë sugjerimet tuaja?
Kemi rreth 1 vit që kemi filluar një projekt me titull ‘Vlerësimi mjedisor i peizazhit të lumit Vjosa si bazë për një menaxhim të integruar të ujit dhe zhvillim të qëndrueshëm të pellgut ujëmbledhës (VjoSusDev - APPEAR 2022-2026)’, mbështetur nga Agjencia Austriake e Zhvillimit (ADA). Qëllimi është krijimi i një bashkëpunimi afatgjatë të vazhdueshëm kërkimor të shkencëtarëve shqiptarë dhe austriakë në fushën e qeverisjes së ujit. Në veçanti ky është bashkëpunim ndërdisiplinor për gjithë sistemin lumor – si bazë për zhvillimin e qëndrueshëm të gjithë pellgut të Vjosës. Ky bashkëpunim është mes ekspertëve të tre universiteteve shqiptarë, UT, UPT dhe UBT, dhe tre universiteteve austriake, të Vienës, BOKU dhe të Insbrukut.
Gjatë takimit të parë të grupeve të punës në Qendrën Kërkimore për Vjosën në Tepelenë në Shtator 2023.[/caption] Projekti APPEAR është në sinergji me dy projekte të tjera të ADA: me projektin ESPID4Vjosa (2022-2026) - zbatuar nga konsorciumi EURONATUR-ECOALBANIA me qëllim kryesor nxitjen e vendimmarrjes për mirëmenaxhimin e ujit mbështetur në gjetjet shkencore; dhe me projektin e tretë EUSIWM (2023-2027), i zbatuar nga AMBU, synon hartimin e Planit të Menaxhimit të Basenit të Vjosës, me qëllim mbrojtjen e vlerave natyrore dhe mbështetjen dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve/grupeve të interesuara brenda pellgut të Vjosës.
Ne do të uronim që pushteti vendor i të gjithë pellgut të vazhdojnë të mbështesin harmonizimin e ruajtjes së Lumit Vjosë dhe të gjithë degëve të tij me zhvillimin e qëndrueshëm të të gjithë zonës. Shpallja Park Kombëtar përbën një sfidë për gjithë vendin. Bëhet fjalë për një hapësirë të mbrojtur shumë të madhe. Ne do të kërkonim që pavarësisht nga kjo komuniteti vendas të ndihet pozitiv dhe të përfitojë së shpejti si pjesë e një zone të mbrojtur. Parku Kombëtar nuk duhet të jetë kufizim për zhvillimin normal të jetës së banorëve, por përkundrazi një arsye më shumë për të përmirësuar cilësinë e tyre të jetës! Së pari duhet të mos reshtin përpjekjet për të mbështetur përmirësimin e menaxhimit të ujërave të zeza dhe mbetjeve të ngurta; aktivitetet e ripyllëzimit; sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm; sistemin e kullimit dhe ujitjes; të komunikimit rural; të sistemit energjetik fotovoltaik të lidhur me rrjetin; etj.
Gjithashtu, mund të përdoren kredi të buta për turizmin familjar, historik; agroindustrinë; përpunimin e produkteve blektorale; për kultivimin dhe përpunimin e bimëve aromatike-mjekësore; për artizanatin; etj. E fundit, por jo për nga rëndësia, ekspertët këmbëngulin që Qeveria të korrigjojë vizionin për përfshirjen edhe të deltës së Vjosës brenda kufijve të PK, përsa kohë procesi i zonimit përfundimtar të PK të Lumit Vjosë është ende në proces. Të shpallësh Parkun Kombëtar të Lumit të Vjosës, duke lënë jashtë zonimit gjithë hapësirën ligatinore, lagunore dhe dunat bregdetare është e pakuptimtë, dhe jashtë kritereve të IUCN për mbrojtjen e natyrës.
Për më tepër, çështja e Vjosës mori emër në mjediset e rëndësishme ndërkombëtare, në Konventën e Bernës, në IUCN, dhe në mjediset e Komisionit Europian, duke përmendur edhe gjithë habitatet dhe llojet e rralla të kësaj zone, që do të mund të cenoheshin, pakësoheshin apo edhe zhdukeshin në shtrirjen afatgjatë nga ndërtimi i HEC-ve mbi Vjosë. Hapësira e deltës së Vjosës, duke filluar nga dunat dhe ligatinat e Poros nga ana e Fierit e deri në gjithë brezin e dunave, zonave kënetore dhe vetë laguna e Nartës janë formuar prej veprimtarisë hidrodinamike dhe sedimentologjike të lumit dhe detit në miliona vite. Në këtë hapësirë gjendjen jo pak, po 18 habitate, që i përkasin listës së habitateve të Natura 2000, prej të cilave 6 habitate janë të listuara si prioritare, që kërkojnë masa të veçanta ruajtje. Këto habitate (përgjatë deltës, zonat kënetore dhe dunat bregdetare, lagunat, kriporja) janë përgjithësisht në gjendje të mirë natyrore, me integritet të lartë.
Laguna e Nartës është e dyta në vend për nga rëndësia për shpendët e ujit, një zonë IBA e rëndësishme (20,000 shpendë dimërues dhe mbi 40 lloje). Habitatet strehojnë, ushqejnë dhe ndihmojnë në shumimin e shumë llojeve shtazore: insekte, peshq, amfibë, zvarranikë, gjitarë dhe sidomos shpendë. Në to janë gjetur rreth 390 lloje invertebrorësh, si molusqe (27 gastropodë, 29 bivalvë dhe 4 cefalopodë), flutura, krahëfortë, krustace dhe ekinodermatë; janë listuar rreth 102 lloje peshqish, 9 lloje amfibësh, 26 lloje reptilësh, 32 lloje gjitarësh, dhe 192 lloje shpendësh, sidomos të ujit, dimërues dhe folezues. Habitate të tilla janë ndër mjediset me prodhimtari të lartë, që ndihmojnë lloje të shumta shtegtare gjatë rrugës së tyre të shtegtimit.
Nga ana tjetër, ekspertët dhe mjedisorët nga Shqipëria dhe jashtë saj shprehin shqetësimin ndaj zvogëlimit të sipërfaqes së Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë (VKM/VKM 694/2023) dhe fillimit të ndërtimit të Aeroportit ndërkombëtar të Vlorës brenda zonës së mbrojtur. Ndërkohë nga Masterplani i Aeroportit të Vlorës së Ministrisë së Infrastukturës dhe Energjisë duket se në të ardhmen përveç Aeroportit do ketë ndërhyrje të tjera brenda kësaj hapësire me ndërtime për qëllime turistike. Pa dyshim këto do të ndikojnë në zvogëlimin e integritetit të tyre ekologjik, duke copëtuar habitatet, duke çuar deri në humbjen e tyre dhe të specieve në të ardhmen e afërt. E gjithë kjo nuk mund të jetë aspak në frymën e shpalljes së PK të Lumit Vjosë, përkundrazi bien ndesh edhe në vetë vlerat e këtij Parku.
Për më tepër, këto ndërtime bien ndesh me zbatimin e standardeve të BE-së, Direktivën e Shpendëve dhe Habitateve, Direktivën Kuadër të Ujit (WFD, 2000), apo me strategjinë e BE-së për të ndaluar humbjen e biodiversitetit. Kjo është arsyeja që është pikërisht tani çasti i duhur që një pjesë e mirë e hapësirës së kësaj zone të përfshihet brenda PK të Lumit të Vjosës, dhe të kufizohen ndërhyrjet e parashikuara të zhvillimit të turizmit masiv për të ardhmen./Liberale.al