Letërsi

Paragjykimet mund ta dëmtojnë lexuesin e kultivuar dhe recensionistin e mirë

Shkruar nga Liberale
Paragjykimet mund ta dëmtojnë lexuesin e kultivuar dhe recensionistin

Kur e lexova shkrimin e Shqiptar Osekut për mua dhe romanin tim “Zogjtë e qyqes” me ngatërroi me dy kutet e vlerësimit: paragjykimin ndaj meje dhe vlerësimet në shkallën sipërore për romanin tim. Paragjykimet e lexuesit të kultivuar dhe recensionistit Oseku ad hominem mund të jenë mungesë e informacionit për jetëshkrimin tim, ose mospajtimeve politike-ideologjike që mund t’i kemi pasur me te dikur.

Paragjykimi i parë: drejtor i Kosovafilmit “agjencisë jugosllave për produksion e distribuim”, sikurse e quani Oseku, isha nga viti 2003-2020. Deri atëherë kam punuar në gazetën “Rilindja” 1978-99, Dardania Press 1999-2000, Bota sot 2002-2006, pedagog në Fakultetin e Arteve mbi dhjetë vjet etj. Pra para luftës nuk isha në Kosovafilm. Emri im, drejtor e producent lidhet me tre filma të Kosovafilmit: “Kukumi”, në regji të Isa Qosjes, “Shkaba” i Ylli Çitakut sipas novelës së Ismail Kadaresë dhe “Doket e zakonet e shqiptarëve të Malit të Zi” të Emin Halilit. Me filmin “Kukumi” morëm pjesë në 66 festivale ndërkombëtare, morëm edhe çmim në Venedik. Megjithatë  “agjencia jugosllave për produksion e distribuim” edhe në ish- Jugosllavi ka bërë disa filma të mirë.

Paragjykimi i dytë:  “Kur Serbia nisi të përndjek funksionarët shqiptarë, në fillim të viteve 1990, Mehmetaj iku në Zvicër dhe u bë atje redaktor i gazetës “Rilindja” (lexo zyrë e propagandës , për LDK)”.

Në Zvicër kam qenë gjatë periudhave të caktuara kohore 1997-1999, por asnjëherë nuk kam qëndruar më gjatë se gjashtë muaj pa ndërprerë. Kurrë nuk kam qenë në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, kurrë nuk kam agjituar për LDK-në, por e kam mbrojtur me bindje dhe nuk pendohem konceptin politik dhe platformën kombëtare të Ibrahim Rugovës (të integruar në Bashkimin Evropian dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të).

Pjesa pa paragjykime

Kur shkëputet nga Gani Mehmetaj, drejtor i Kosovafiomit dhe gazetar, Shqiptar Oseku është ndryshe, me krahason me autorët Joseph Konrad, Nadime Gordimer, John M. Coetze a Ivo Andriqin, maja që i lakmon çdo shkrimtar.

Në debatin për librin tim në Qendrën e librit në Tiranë, Preç Zogaj, shkrimtar që unë e çmoj tha se  “Zogjtë e qyqes” ta kujton Andriçin. Pas një viti i tregova se nga paragjykimi për Andriqin nuk e  kisha lexuar asnjë roman të tij deri atëherë, por pastaj lexova pothuajse çdo gjë nga autori kroato-serbo-boshnjakë në origjinal që ta shijojë edhe ngjyrimin lokal të gjuhës boshnjake.

Për romanin “Zogjtë e qyqes” ashtu sikurse shkruan edhe Oseku, në Kosovë ka shkruar vetëm profesori i filozofisë Blerim Latifi dhe një paraqitje të shkurtër, i ndjeri Shaban Arifaj. Ndërkaq, në Tiranë janë botuar disa recensione. Por kjo nuk me befason. Në Kosovë recensione shkruajnë kryesisht miqtë për njëri-tjetrin.

Edhe televizionet e Kosovë me ndonjë përjashtim të rrallë e kanë shpërfillur romanin tim nga paragjykimet se nuk isha i partisë së tyre. Ndërkaq, në televizionet shqiptare isha shumë më i pranishëm.

Meqë për letërsinë time i ke heq paragjykimet, shih romanët: ”Boritë e apokalipsit”, “Kalorësit e Dardanisë”, “Qyteti në ankth” dhe “Zhvarrimi”.

Gani Mehmetaj, shkrimtar

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH