Pajtuesi i gjaqeve Gjin Marku ishte i ftuar këtë të shtunë në emisionin “Real People”, ku analizoi sipas Kanunit vrasjen e Liridona Ademaj.
Ai e cilësoi vrasjen e bashkëshortes si më të rëndën në kodin zakonor shqiptar, e cila nuk mund të falet dhe të tolerohet. Sipas Markun gruaja në Kanun, aq më tepër kur është nënë është e paprekshme, pasi është Perëndia e fëmijëve.
“Vrasja e gruas në atë mënyrë siç është thënë në mediat është një vrasje që nuk mund të falet kurrë as bazuar te Kanuni, është krejtësisht e papranueshme për logjikën e njeriut. Kurrë nuk ka ndodhur të dhunohet gruaja siç ka ndodhur në kohët e sotme. Mbi të gjitha gruaja kur ishte me fëmijë, nëna ishte Perëndia e fëmijëve të cilën nuk mund ta prekësh as të mos e ofendosh”, tha ai.
Nga ana tjetër, i pyetur për mënyrën se si duhet të veprojnë familjarët e Liridonës, u përgjigj kështu:
“Mendoj se në këtë rast ata duhet sigurisht të vetëpërmbahen se dhe ai është babai i dy fëmijëve. Dhe në këtë rast zakoni futet se dy fëmijët pa nënë mbetën, por tani babi le të jetë gjallë, kudo që të jetë për ata dy fëmijë .Në këto raste gjykimi zakonor është për dëmin më të vogël. Kur të rriten dhe fëmijët duhet të jenë pjesë e gjykimit të veprës së prindit të tyre. Kur të shkojnë 16-vjeç duhet t’u thuhet gjithçka dhe të japin mendimin e tyre, nëse pranojnë babain si baba, kudo që të jetë ai”.