Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim është arrestuar nga policia greke në pikën kufitare të Kakavijës.
Gjatë kontrollit rutinë nga oficerët e Policisë së Kufirit në bashkëpunim me autoritetet e Policisë së Pogonit, u konstatua se ndaj tij kishte një vendim gjykate të formës së prerë.
Shtetasi ishte dënuar nga Gjykata e Volosit me 4 vjet e 8 muaj burgim, për posedim, blerje dhe trafikim të lëndëve narkotike, në shkelje të ligjeve greke për drogën.
Pas arrestimit, ai u shoqërua për procedurat e mëtejshme ligjore dhe pritet të vuajë dënimin e dhënë nga autoritetet greke.