Lekë Tasi - Kompozim - Viti 2009
Gjurmimi, qëmtimi i hollësishëm dhe ruajtja e vlerave kulturore nuk është një biznes i zakonshëm për Teodor Dhoskën. Është një pasion i pashtershëm që hodhi rrënjë dekada më parë dhe u shndërrua ndër vite në një mënyrë jetese.
Nga Luiza Pinderi
Ka një histori interesante për Pablo Picasso-n, artistin më me ndikim të gjysmës së parë të shekullit XX-të. Edhe pse duket e pabesueshme për një autoritet të tillë në pikturë, spanjolli pati influencë të fuqishme nga piktori francez autodidakt Henri Rousseau, i quajtur doganieri për shkak se punoi pjesën më të madhe të jetës si oficer në portat e stacioneve të lumenjve të Parisit.
Picasso e takoi punën e Rousseau-t në një dyqan vjeturinash në Paris. “Portreti i një gruaje” quhej vepra të cilën e bleu për pesë franga dhe e mbajti me fanatizëm gjithë jetën, aq sa edhe sot është pjesë e koleksionit Musée Picasso në Paris. Për nder të tij, Picasso organizoi një banket të famshëm në 1908-ën me figurat më të njohura të asaj kohe në kryeqytetin francez, që i hapi derën e botës së artit artistit të panjohur.
Stili naiv dhe kapërcimi imagjinar ishin arsyet pse piktori spanjoll admironte punën e doganierit, duke u ndikuar jo pak në veprat që prodhoi. Kritiku britanik i artit, Jonathan Jones, shkoi aq larg në një artikull të 2005-ës në “The Guardian” me titull “Kur Henri takoi Pablon”, sa thotë: “Picasso nuk do ta kishte pikturuar kurrë Guernicën pa atë të pafajshmin e të butin, Henri Rousseau”.
Historia e dy piktorëve vetvetiu të bën të mendosh se kurrë nuk mund ta dish çfarë mund të të influencojë në jetë. Një moment, një fjalë, një ngjarje, një takim mund të bëhet shkak i shumë ndryshimeve të buta apo rrënjësore. Dëshmitë për këtë nuk mungojnë. Ndoshta as Teodor Dhoska nuk do të ishte bërë koleksionist i njohur dhe me ndikim në rrethin e kulturës shqiptare, nëse nuk do të kishte punuar në vitet ’80-të në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor.
I rrethuar nga piktorë që bënin ilustrimet e librave shkollorë, bisedat për artin dhe pikturën do të ishin të gjata e dobiprurëse për një inxhinier radio-elektronik që prodhonte mjetet didaktike të laboratorëve. Do të ishte ky ambient e ky rreth social që do të zgjonte pasionin për artin dhe do i diktonte një rrugëtim gradual në këtë fushë: nga admirues në koleksionist e më vonë në shkallën më të lartë, atë të galeristit. Miqësia e ngushtë me piktorin Buron Kaceli dhe piktorë të tjerë si Lumturi Blloshmi, Remzi Kuçi e Lec Shkreli do e familjarizojnë aq shumë me pikturën dhe skulpturën sa nuk do iu ndahet për dekada të tëra.
Buron Kaceli - Natyrë e qetë - Viti 1988
Vitet 2000-jë e bënë më intensive këtë marrëdhënie me artin, kur ai filloi të blejë dhe koleksionojë pikturat dhe skulpturat e para. “Që të koleksionosh duhet të plotësosh dy kritere. Duhen mundësi financiare, por para kësaj duhet pasion dhe prirje,” thotë z. Dhoska.
S’ka asnjë ndrojtje për të pranuar se nuk di të pikturojë. Nuk ka pse! “Koleksionistët nuk janë piktorë”, shton më tej. Pavarësisht se formimin akademik e ka në shkencat teknike, gjithmonë ka qenë i tërhequr nga arti dhe filozofia, simbioza e të cilave ndërlidh mendimin me emocionin dhe prek lartësitë e kënaqësisë njerëzore. “Jam i intriguar nga procesi krijues, se të njëjtin proces krijues ka edhe shkenca. Proces i pashpjegueshëm, dhuratë e lindur.”
Tetë vitet e arta të Didart
Ndenjja në rrethet e kulturës gati-gati mund të quhet një shkollë, sa i përket edukimit me historinë e artit dhe pikturës. Ishte një mprehje e shqisave dhe kalitje e aftësisë për të identifikuar më së miri vlerat artistike. Atëherë kur kishte mbledhur një fond të konsiderueshëm pikturash bëri kapërcimin e madh për t’i dhënë tjetër dimension emrit dhe pasionit të tij.
Ishte viti 2004-ër kur hapi galerinë private Didart në rrugën “Islam Alla” në Tiranë. Ekspozita e parë u realizua me skulptorin Perikli Çuli dhe piktorin Gazmend Leka, për të vijuar pastaj me piktorë të tjerë të afirmuar, si: Kujtim Buza, Lec Shkreli, Hasan Nallbani, Ardian Isufi, Vilson Kilica, Ksenofon Dilo apo skulptorët Thoma Thomai, Muntaz Dhrami etj. “Bëja ekspozita me pikturë edhe me skulpturë njëkohësisht. Ishin të gjitha falas”, tregon Dhoska.
Për shkak të emrave të tillë, interesi i mediave dhe gazetarëve ishte i madh. Evenimente të tilla u bënë pjesë e pandarë e kronikave të kulturës në televizionet kombëtare dhe në gazetat e revistat më në zë të kohës.
Do të vijojë për një vit kjo praktikë e ekspozimit pa detyrime financiare për artistët. Sa herë sillnin punime të reja hapeshin ekspozita me dy-tre autorë, të cilat zgjasnin gjithashtu nga dy-tre javë. Pikturat e tyre shiteshin brenda galerisë, e në raste të tjera bliheshin nga vetë galeristi.
Adrian Çene - Natyrë e qetë - Viti 2012
E ka pasur pjesë të punës dhe të kënaqësisë profesionale shoqërimin me artistët, duke qëndruar me ta gjatë gjithë kohës që zgjaste ekspozita. Ishte një mënyrë jo vetëm për t’u kujdesur për mbarëvajtjen e gjithë aktivitetit, por edhe për të njohur artistin si njeri, përtej dimensionit artistik. Do t’i vlente ky kujdes i treguar për të përzgjedhur më tej tre emra piktorësh e për të ekspozuar vetëm krijimtarinë e tyre.
Adrian Çene, Shkëlqim Kokonozi dhe Lek Tasi duket se kaluan “provën e zjarrit” për të vijuar një bashkëpunim të pakohë. “Këta të tre i konsideroj si piktorët e mi”, thotë z. Dhoska.
Shpjegon se ishin disa faktorë që ndikuan në kanunizimin e këtyre artistëve. Përtej bindjes së tij për vlerat artistike që ata mbartin, studioi tregun për të parë se sa të kërkuar ishin me çmimet që ata qaseshin. Ekspozimi në galerinë Didart dhe marketimi i krijimtarisë artistike lindte detyrimin për piktorët, përmes një marrëveshjeje të pashkruara, që të gjitha veprat e tyre të shiteshin vetëm brenda saj. Rregullat e çdo biznesi sigurisht që janë po aq të vlefshme në tregun e artit. Besueshmëria mbetet çelësi i suksesit të çdo shkëmbimi.
Edhe për galerinë është thelbësore kredibiliteti i siguruar nga vendosja e çmimeve që përkojnë me vlerën e një vepre.
“Piktura është mjaft subjektive në vlerësim dhe blerësi mund t’i besojë më shumë galerisë, pasi ajo është filtër që bën vlerësimin. Nëse galeria nuk e bën këtë, ajo dështon”, shpjegon Dhoska. Ai thotë se nuk mund ta vendosë vlerën financiare të një vepre ai që e prodhon atë. Duhet një strukturë tjetër, kritikë arti, galerist, që shkon përtej subjektivizmit dhe qëllimeve personale të artistit, i cili ka tendencën të rrisë vlerën e krijimtarisë për të rritur famën dhe të ardhurat. Shtimi i shpenzimeve bëri që shumë galeri private të mos mbijetonin. Sot janë vetëm disa të tilla publike nën administrimin e institucioneve lokale, ndërsa artistët më me emër janë kufizuar te studiot e tyre.
Didart ishte ndër të fundit që u mbyll në 2012-ën. Teodor Dhoska thotë se ajo e përfundoi ciklin, duke qenë hallkë e rëndësishme e ndërlidhjes mes publikut dhe artit.
Nëse koleksionisti mbledh vlera të rralla dhe i ruan, galeristi është ai që bën përballjen e veprës të artistit me publikun, me artdashësin. Kështu renditen vlerat, theksohen emrat. Një proces i tillë ndodhi me piktorin Lekë Tasi, rrugëtimi i të cilit ndryshoi kryekëput pas ekspozimit në galeri.
“Unë e kam marrë nga viti 2006-të kur të tjerët e konsideronin pikturën e tij pavlerë. Futja në galeri bëri që t’i rritet vlera”, thotë Dhoska.
Ekspozimi për 4-5 vite rresht në galeri, dalja në media, ndikuan gjithashtu pozitivisht për t’u bërë i kërkuar nga shqiptarët dhe të huajt. Dimensioni i tij intelektual, jo vetëm si piktor, por edhe si teolog e shkrimtar, e bën jashtëzakonisht të vlerësuar. Pavarësisht se nuk është ekspozuar në galeritë ndërkombëtare, kuotimi i tij është mjaft i mirë.
Shkëlqim Kokonozi - Peizazh - Viti 2010
Dhoska thotë se ekspozimi në galeritë e huaja rrit vlerën e artistit. Por në Shqipëri shumë pak piktorë kanë mundur të kapërcejnë atë derë, siç janë Alush Shima dhe Edi Hila. Janë pastaj edhe artistë të njohur në botë, si Anri Sala e emra të tjerë po aq të suksesshëm, të cilët dallojnë nga fakti se formimi dhe edukimi i tyre është bërë në perëndim.
Thesaret e koleksionit privat
Një çerek shekulli në koleksionimin e veprave të artit dhe kulturës shqiptare është një kohë e mjaftueshme për të grumbulluar vlera të rralla. Teodor Dhoska nuk u kufizua vetëm te piktura. Koleksionoi skulptura dhe
veshje kombëtare të zonave të ndryshme, por kryesisht nga zonat e veriut. Ka koleksionuar disa xhubleta të cilën e quan mbretëresha e veshjes shqiptare. Prej nëntorit të 2022-shit ajo mbrohet nga UESCO. E po ashtu ka veshje të zonës së Shkodrës, të zonës së Beratit, të Tiranës, të krahinave të jugut e sidomos ato të Lunxhërisë me qëndisje arti.
Fondi i pikturave është ai që mbizotëron dhe zë hapësirën më të madhe. Nuk dëshiron që të zbulojë një numër të asaj se çfarë disponon dhe ka ruajtur prej vitesh. E po ashtu lë enigmë veprat më me vlerë që ai disponon, duke mos pranuar të bëjë të ditur pikturën më të vjetër apo më me vlerë që ruan me fanatizëm.
Thotë se sa më e hershme të jetë periudha kohore e krijimit (Rilindja, vitet e Pavarësisë, komunizmi), dhe sa më me emër të jenë artistët, aq më shumë vlerë merr një pikturë. Emra të tillë si Vangjush Mio, Kolë Idromeno, Zef Kolombi, Guri Madhi, VIlson Kilica, Sali Shijaku mbeten gjithmonë me mjaft vlerë, pasi garantojnë shitjen e pikturës për koleksionistët që e përdorin këtë pjesë si investim.
“Brenda emrit ka pastaj specifika, si piktura më e mirë, më unikale etj. Ndërsa te piktorët e rinj koleksionisti heziton të investojë për shkak se nuk e njeh talentin e tyre”, sqaron z. Dhoska.
Andrea Kushi - Portret - Viti 1958
Për të nuk duhet një numër i caktuar veprash për t’u kategorizuar ose jo si koleksionist. Quhesh i tillë nëse je në mënyrë të vazhdueshme në procesin e koleksionimit, pa mohuar se me rritjen e sasisë rritet edhe probabiliteti për të pasur vepra më të rralla e emra më të vlerësuar që kanë krijuar trashëgimi në këtë fushë.
Didart, edhe pse disavjeçare në jetëgjatësinë e vet, duket se la një efekt të përhershëm. Zgjeroi së tepërmi kontaktet, njohjet, klientelën apo siç i quan miqtë e galerisë. Ndryshe nga shumë piktorë, artistë, apo koleksionistë që ekspozojnë veprat përmes katalogëve, përmes rrjeteve sociale, Teodor Dhoska nuk bën asnjërën prej tyre. Emri i tij është ndër të parët kur dikush kërkon një vepër të vërtetë arti, dhe jo një vizatim në telajo, emocioni i së cilës zbehet me shpejtësinë e erës.
“Arti është emocion”, thotë ai, “prandaj nuk duhet gjykuar shija apo vendimi i blerësit. Një vepër e mirëfilltë arti nuk shpjegohet. Piktura nuk është narrative. Po u shpjegua humbet emocioni.”
Në ditët e sotme, vlera e një artisti apo pikture nuk përcaktohet nëpërmjet komisioneve siç ndodhte në periudhën e komunizmit. Sot e përcakton tregu, shitjet, kërkesa, pavarësisht se çfarë arti dhe rryme përfaqëson artisti. Nga ana tjetër, sipas koleksionistit Dhoska, janë edhe kritikët, të cilët po bëhen gjithnjë e më të rrallë për shkak të mungesës së institucioneve të artit, mungesës së ankandeve, galerive, që vetvetiu bëjnë skanimin e një vepre arti.
Përtej mungesës së kritikës, koleksionisti thotë se arti pamor është në krizë në Shqipëri për shkak të situatës ekonomike. Që dikush të shkojë te arti duhet fillimisht të sigurojë mbijetesën. Ata që kërkojnë pikturat i marrin për mobilimin e shtëpive, rezidencave, vilave, për të treguar kështu një farë statusi. Pavarësisht kësaj, në Shqipëri ka ende goxha koleksionistë në shumë fusha të veprimtarisë së shoqërisë, në fotografi, gjuhësi. Dhoska i quan ajka e një shoqërie për faktin se ruajnë trashëgiminë dhe sigurojnë vazhdimësinë.
“Koleksionizmi është një punë që duhet vlerësuar. Njihen koleksionistë që kanë sakrifikuar pasurinë e tyre.” Këto thesare që ai ka grumbulluar me vitet dëshiron t’ia lërë trashëgimi familjes. Nuk ka dashur kurrë t’i bëjë pjesë të këtij zanati duke i lënë të lirë në interesat e tyre, pa detyruar apo implikuar askënd në atë që e ka pasur pasion dhe mënyrë jetese.