Rreth personazhit të plakës Nicë, në “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Ismail Kadare
Enea Ruçi
Pa gjininë femërore, jeta nuk do të mund të ekzistonte. Gati e njëjta gjë vlen të thuhet edhe për jetën e letërsisë, përderisa ajo ka të bëjë me një formësim paralel të realitetit. Nëse shoqëria shqiptare ka kaluar në ritme të ngadalta emancipimi dhe, për kohë të gjata, femra ka qenë disi e përjashtuar nga jeta aktive, nuk ka ndodhur e njëjta gjë me letërsinë. Autorët tanë e kanë përfshirë femrën në veprat e tyre, në subjekte nga më të larmishmet, jo me ndonjë paramendim të caktuar për këtë përfshirje, por ngaqë nuk mund të vepronin dhe nuk mund të veprojnë dot kurrë ndryshe: ajo është tejet jetike, padyshim.
Për trajtimet që i janë bërë kanë ndikuar faktorë të shumtë, që nga qëllimet specifike të shkrimtarëve dhe deri tek karakteristikat e përbashkëta të periudhave letrare.
Një personazh tepër interesant i letërsisë sonë është Nica, plaka e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Ajo na paraqitet nga Kadareja si një statujë e zezë, që mediton, vajton në heshtje të kaluarën e saj, duke lëvizur si hije nëpër ambientet e errëta dhe në netët me shi të veprës. Është shëmbëlltyra e tragjizmit të përgjithshëm të luftës, por edhe e tragjizmit në planin personal.
Krahas një populli me virtyte të rralla, që mirëpret ish armikun në një kohë tjetër (jo fort të largët nga ajo e luftës), do të gjendet një Nicë me plagë më të mëdha se të kujtdo tjetër që do lerë pashmangshmërisht një viktimë. Figura e plakës që vrau, nuk ka të bëjë kurrsesi me krimin. Ajo del kundër brishtësisë së gjinisë dhe kundër moshës së saj. Sipas mendësisë, është e mallkuar ta kryejë atë akt në mënyrë tepër makabre. Me një burrë te vdekur dhe me vajzën e përdhunuar nga gjenerali i huaj, e cila më pas vret veten nga turpi, Nica është e destinuar për një fund të tillë. Mënyra e vrasjes, por mbi të gjitha mënyra e varrimit, duket se e shpëtojnë plakën nga ndonjë e keqe tjetër, për shembull: çmenduria ose vetëvrasja. Mëkatari ndëshkohet nga dora e saj dhe groposet në pragun e shtëpisë, me qëllim që, sa herë të kalojë të shkelë mbi eshtrat e tij (e ku tjetër, përveç pragut të derës i qëllon njeriut të shkelë më shpesh?).
A nuk është kjo një formë mizorisht magjike e poshtërimit dhe hakmarrjes që përkon me shprehjen e dhimbjeve të forta?
Gjithmonë kam menduar se Nica është një nga personazhet femërore më të rralla. Pa të, në vepër rrezikonte të mos ndodhte asgjë. Artistikisht, është figura burimore që mban gjallë një nga romanet më të mirë të letërsisë sonë. /Gazeta Liberale