Ekspertizë

EKSPERTIZE NGA KRISTAQ XHARO/ Në vend të elegjisë ... reflektim për shkollën simbol të ‘skëndërbegasve’

Shkruar nga Kristaq Xharo

EKSPERTIZE NGA  KRISTAQ XHARO/ Në vend të elegjisë ... reflektim

Kristaq Xharo*

Konferenca kombëtare për arsimin dhe formimin profesional (AFP) me pjesëmarrje edhe ndërkombëtare e zhvilluar dje për ushtarakët por dhe më gjerë sjell  në kujtesë mungesën në këtë ngjarje të një shkolle  simbol njohur si Shkolla e Mesme ushtarake ‘Skëndërbej’.  Dita e nesërme do të jetë 79 vjetori i kësaj shkolle.  28 marsi 1945 është dita e krijimit të  Shkollës Ushtarake ‘Skëndërbej’. ‘Begsat’ kudo, në vend dhe nëpër botë e konsiderojnë këtë ditë si festën e tyre. Kujtojnë  lavdinë e kësaj vatre të simbolit kombëtar,  që përfundoj në mënyrë tragjike jo më tepër si elegji, por si nevojë për reflektim. Shkolla ‘Skëndërbej’ simbol kombëtar,  që inspirohej dhe mbarte vlerat simbolike të kombit, që nga vetë emri, lindi dhe jetoi si një  fidanishte ku përgatiteshin shtetas me karakter të thellë patriotik, me dije të thella arsimore e me dinamizëm të pakrahasueshëm duke  afruar personalitete nga të gjitha fushat. Sot kur përditë e më shumë antivlerat kanë triumfuar kudo, një institucion i tillë simbol si SH.U.’Skëndërbej’,   do të ishte embrioni që do të ruante vlerat më të mira të kombit tonë.   

Shkolla ‘Skëndërbej’ nuk ishte shpikje shqiptare as produkt i ndonjë ideologjie. Institucione të tilla arsimore kishin filluar në Perëndim që në shekullin e 16 dhe 17, por shumë shpejt u përhapën edhe në Lindje e më tej  në të  gjithë botën. Klausevitz në veprën e tij ‘ Mbi luftën’, bibla e artit dhe shkencës ushtarake,  shprehet se datat e krijimit të këtyre institucioneve, jo çuditërisht  janë të njëjta me atë të krijimit të vet shteteve, ndaj dhe shumë shpejt ato u konsideruan simbole dhe mbartës natyral  të vlerave kombëtare. Në vendin tonë, pas shpalljes së pavarësisë,  në tentativë, krijohet një shkollë të tillë, për herë të parë në vitin 1913, në Shkodër e ngritur nga austriakët, por që nuk arriti ti mbijetoi kohës. 

Shkolla ‘Skëndërbej’ e krijuar në 28 Mars 1945, fill në ditët e para të pasluftës ndoqi përvojën e vendeve të tjera, të dominuar nga modeli prusian. Shkolla e  begsave- ‘kadetëve’ nga frëngjishtja - djem të rinj, thithi në gjirin e saj pionierë të rreshtuar në brigadat partizane, fëmijë të të rënëve gjatë luftës, e plot të tjerë me entuziazmin e moshës,  të dëshiruar për dije dhe  me frymëzimin për ti shërbyer kombit. Për më shumë se 45 vjet ajo mbeti  shkollë kampion dhe krijoi histori, që  krenohej çdo bashkëkombës.  

Nuk është nostalgjia dhe krenaria që ndjejnë ‘begsat’, por thirrja drejtuar ndërgjegjes së elitave politike të reflektojnë, të dënojnë vendimin  skandaloz e tragjik të  vitit 1992 e të rilindin Shkollën e Mesme Ushtarake ‘Skëndërbej’.  Në atë vit të mbrapshtë,1992, nën moton e përmbysjes së madhe, më shumë kundër shtetit se sa ideologjisë dhe sistemit,  presidenti-komandanti i përgjithshëm i asaj kohe,  si një ‘gjeni konstant’,  ju desh  maja e malit të Korabit, të lëshonte rrufenë mbi këtë shkollë - institucion edhe pse  mbartës i simbolikës  kombëtare,  duke e konsideruar si shkollë të jeniçerëve. Ky ndoshta do të ishte edhe fillimi i stuhisë që ‘Zeusi’ do të fillonte stuhinë duke hedhur rrufe ndaj të gjithë institucioneve   në fushën e mbrojtjes, sigurisë, e kudo ku kapte kosorja e revolucionit. Edhe pse ironike dhe paradoksale  nga të gjitha shkollat e mesme profesionale apo të përgjithshme rrufeja do të binte  e shkrumbonte vetëm   shkollën “Skëndërbej’ duke vënë edhe njëherë në pikëpyetje nëse ‘ushtaraku është profesion’.

Duke kujtuar një ngjarje në 2013, në Konferencën e Integrimit në NATO,   u pyet gjenerali belg, se si dhe kur mund të mbyllej një akademi ushtarake në Belgjikë, apo në perëndim, i mbetur konfuz dhe pasi ju ripërsërit pyetja dhe u shpjegua konteksti, ai do të shprehej se kjo nuk mund të ndodhë për aq kohë sa do të mbijetoi shteti. Akademitë ushtarake, veçanërisht ‘begsat’ në perëndim, por edhe në botë, natyrisht kthehen në simbole dhe  si të tilla shprehin unitetin e kombit. Atëherë përse duhej një ngjarje e tillë të ndodhte në vendin tonë.  Lexoni Samuel Huntigtonin, një nga shkencëtarët më të mëdhenj politik, këshilltar në Shtëpinë e Bardhë dhe akademik,  jo vetëm  në ‘Clash of Civilization’,  por në ‘Soldier and State’ për një përgjigje më të qartë ..përfundoi gjenerali belg.      

Paradoksi më i hidhur gjendet në atë se   çfarë ndodhi më pas. Pasi shkatërrimit të  shkollës  ‘Skëndërbej’ dhe të tjera më pas, në vazhdim të viteve ’90,   arsimimi i ushtarakëve tanë ‘për të mbrojtur atdheun’, ju besua vendeve fqinjë, për të cilat duhet tu jemi mirënjohës. Dërgimi, zakonisht,  është praktikë e shteteve të porsa krijuar, pa histori e pa përvojë, por jo e një shteti që kishte histori 90-vjecare dhe asnjëherë më pak luftarake.  Ndryshe nga gjithë profesionet e tjera, kur një ushtarak i ri diplomohet në çdo shtet ai kalon në dy momente solemne : të këndoj himnin dhe të bëj betimin para flamurit kombëtar... të shtetit të tij... Kjo është edhe simbolika që ndryshe nga gjithë profesionet e tjera përgatitja e oficerëve të rinj është monopol i shtetit-kombit amë.   Ushtarakët si  ‘kadetët-begsat’ dhe oficerët e rinj përgatiten të mbrojnë vendin e tyre në rast agresioni që ju vjen nga... prandaj ky profesion është unik. Më pas, kualifikimi mund të bëhet në çdo vend partner.   Paradoksi vazhdon....

Modeli i shkollës së ‘begsave’  nuk ka qenë  shpikje alla-shqiptarçe. Mjafton një vështrim i shpejtë  në ‘motorin google’ e shumë lehtë sheh në çdo vend të botës, me histori gjen shkollë ‘kadetësh-begsave’ në çdo vend të botës, përfshirë edhe mbi 23 vende të NATO-s, vende me histori të hershme. SHBA ka aktualisht 22 të tilla, Italia, Franca, Gjermania, Turqia e të tjerë padyshim i ruajnë si nga më të mirat. I vetmi ndryshim është se tashmë në këto shkolla,  ashtu si djem pranohen edhe vajza të reja. Në këto vende këto shkolla janë unike dhe quhen pasuri dhe fuqi kombëtare, vatra që inspirojnë vlerat më të mira të shoqërisë dhe vet kombit.  A kemi edhe ne nevojë për një institucion të tillë....jo për nostalgji por si institucion në themel të kombit.

Duke përfunduar, dhe ju uruar kremtimin e festës së krijimit të shkollës ‘Skëndërbej’ , do të mbetet  krenari për këdo që ka kaluar në bangat e kësaj fidanishte dhe për këdo që ka përjetuar historinë e saj. Sot më shumë se kurdo,  ndërsa po sfidohemi rëndshëm nga një situatë e nderë sigurie dhe erërat e një lufte,  që prodhon me bollëk mjedisi aktual, është koha të ndërpritet bullizimi e të mendohet për sigurinë e mbrojtjen si një çështje tashmë mjaft aktuale. Mënyra më e mirë për të ruajtur e garantuar  paqen mbetet promovimi i vlerave kombëtare nëpërmjet institucioneve që inspirojnë e formojnë karaktere , ngrenë kapacitete të fuqisë kombëtare  dhe të  rrisin optimizmin dhe  dinamizmin e kohezionit kombëtar.  Nuk mund të lihet ruajtja e këtyre vlerave vetëm ndeshjeve të kombëtares së  futbollit duke kënduar himnin apo partizanëve të fejsbukut. Shkolla ‘Skëndërbej ishte e duhet të jetë një prej këtyre institucioneve për vendin e pse jo për Kosovën dhe shqiptarët kudo që jetojnë...ndaj mund dhe duhet të jetë përsëri.

Partizanët e  ‘Paqes së përjetshme’ të Kantit  dhe ‘Fundit të Historisë’ së Fukojamës, idealistët e utopistët kur fryjnw erërat e luftës rrallohen...

Kristaq Xharo*: Prof. Dr. në UET;   ish - skendërbegas-(Kolonel R)  

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH