Silur nga Brukseli
Deklarata e europarlamentarit danez Vistisen drejtuar presidentit të SHBA-së Donald Trump tregon acarimin e një evropiani ndaj formatit aktual të udhëheqjes amerikane. Ato fjalë janë të nxitura si nga fryma imperialiste trampiste (në këtë rast, blerja e Groenlandës), ashtu edhe nga mënyra se si politika e re amerikane po e percepton (lexo: po e shpërfill) sistemin shumëpalësh – ku përfshihen BE dhe NATO.
Në mënyrë ironike, komenti i Vistisen-it pasohet nga një ironi therëse e nënpresidentit të parlamentit Stefanuta, i cili thotë ndër të tjera: “ . . . pavarësisht se çfarë mendojmë ne për zotin Trump . . .” Pra, ky përfaqësues i politikës evropiane mendon se retorika e Trump-it është e papranueshme dhe po shkakton krisje të madhe me SHBA-së dhe Evropës.
Me pak fjalë, një episod i tillë hedh dritë mbi tensionin ndërmjet aleatëve transatlantikë që po rikonfigurojnë strategjitë e tyre në një botë që po ndryshon.
Vetëm disa orë pas zyrtarizmit të Trump-it
Në thelb, marrëdhënia aktuale ndërmjet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara pasqyron një dinamikë komplekse, e cila përkthehet sa në partneritet aq edhe në përplasje.
Duket se perspektiva trampiane në politikën e jashtme do të ndjekë në model transaksional. Shumë analistë kanë arritur në përfundimin se botëkuptimi i Trump-it përfaqëson refuzim ndaj angazhimit të Amerikës të pasluftës për sigurinë kolektive globale, tregtinë e lirë dhe promovimin e demokracisë. SHBA po adoptojnë një qasje (lexo: kopjim) kineze në marrëdhëniet ndërkombëtare: marrëveshje dypalëshe me pak fokus në vlerat e përbashkëta, sundimin e ligjit, multilateralizmin dhe të mirën publike globale. Me idenë që vendi më i fuqishëm në botë do ta luajë këtë lojë në mënyrë më efektive sa Kina. Kjo nënkupton se lidhjet tradicionale transatlantike po hidhen në erë, pasi kjo nuk është mendësia e BE-së.
Dy shembuj: të qenët selektiv me liderët evropianë, gjë që u pasqyrua në listën e të ftuarve gjatë zyrtarizmit më 20 janar, thekson mungesën e respektit ndaj aleatëve tradicionalë në BE; dhe manovrat e Elon Musk-ut në Britani (ku përzihet në punët e brendshme dhe mbështet figura të ekstremit të djathtë) dhe Gjermani (ku mbështet partinë e ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë”, duke e quajtur “shkëndija e fundit të shpresës” apo duke fyer kancelarin Scholz me fjalë të tilla si “budalla” apo "Oaf Schitz” – “Sholci i metë”). Sjellje të tilla tregojnë se po merr formë një dimension i ri i marrëdhënieve transatlantike.
Pa u zgjatur shumë, kuptohet se aleanca mes BE dhe SHBA po ndryshon rrënjësisht. Qasja bashkëpunuese do t’i lërë vendin qasjes konkurruese. Në kushte të tilla, Evropa, e gjendur mes presionit dhe dominimit nga SHBA, do të kërkojë – sipas meje - autonomi më të madhe strategjike.
Recesioni gjeopolitik
Dy fotografitë e mësipërme (“Silur nga Brukseli” dhe “Vetëm disa orë pas zyrtarizmit të Trump-it”) janë thjesht manifestime të një dukurie më të madhe.
Ian Bremmer e quan recesion gjeopolitik periudhën që po fillon pas fitores së Trump-it - një periudhë e karakterizuar nga destabiliteti global ku fuqitë tradicionale, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, shfaqin paaftësi për të marrë rol udhëheqës dhe për të ushtruar influencë në sistemin ndërkombëtar.
Ky erozion i lidershipit shoqërohet me prishje të aleancave të vjetra dhe goditje të institucioneve globale të ngritura pas Luftës së Dytë Botërore për të ndërtuar një rend të bazuar në rregulla. Fuqitë në rritje si Kina dhe aktorë të tjerë ndjekin strategji që shpërfillin ose minojnë normat perëndimore. Kjo dinamikë krijon një botë të fragmentuar dhe përplasje gjeopolitike
Bremmer identifikon tre faktorë e shkaktuan këtë recesion gjeopolitik: Rusia u bë kaotike pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik për shkak të paaftësisë së Perëndimit për ta përshirë në radhët e veta; Kina u zhvillua ekonomikisht, por normat e saj nuk konvergojnë me ato të Perëndimit; dhe votuesit në Perëndim besojnë se globalizimi nuk u ka sjellë frytet e pritshme.
Në këtë mënyrë, recesioni gjeopolitik po krijon një sistem të ri që do të jetë akoma më polarizues dhe do të reduktojë bashkëpunimin ndërkombëtar – një gjendje që do të prodhojë konkurrencë.
BE – SHBA në konkurrencë: një skenar i mundshëm
Marrëdhënia BE – SHBA, e formatuar sipas dinamikave të recesionit gjeopolitik dhe qasjes së Trump-it në politikën e jashtme, do të ndryshojë rrënjësisht. Kjo do të reflektohet në një rikalibrim të matur të BE-së në ditët e para të Trump-it në detyrë. Më vonë, siç parashikohet, me intensifikimin e lojës së Trump-it, BE do të kërkojë autonomi strategjike. Kjo e fundit mundësohet vetëm nëse funksionon trekëndëshi Gjermani – Francë – Britani.
Kjo autonomi është përmendur më parë nga presidentit francez Emmanuel Macron kur deklaroi se NATO ka nevojë për reformë (“brain-dead”) dhe pastaj ka mbrojtur idenë e një ushtrie evropiane (“true European army”). Kritikat e Macron-it kanë sot një optikë tjetër teksa kuptohet më qartë shqetësimi evropian për besueshmërinë e një aleati si Trump. Autonomia strategjike, siç parashikohet nga Macron, thekson kapacitetin e Evropës për të vepruar në mënyrë të pavarur në politikën e mbrojtjes dhe të jashtme, pa u mbështetur te Shtetet e Bashkuara.
Në rastin e Gjermanisë, hapat drejt kësaj autonomie strategjike janë më të matur. Hezitimi për të pranuar – për shembull – propozimin e Macron-it reflekton përkushtimin ndaj NATO-s dhe marrëdhënieve transatlantike, pasi Gjermania vazhdon të mbështetet në garancitë që ofron SHBA për sigurinë e përbashkët, sidomos në kontekstin e luftës në Ukrainë. Megjithatë, në të njëjtën kohë, Gjermania ka marrë hapa për forcimin e autonomisë strategjike evropiane, gjë që shihet në shtimin e shpenzimeve për mbrojtjen.
Deri tani - në rastin e Britanisë - hapat drejt autonomisë strategjike janë edhe më të matur. Ajo si zakonisht i jep prioritet të ashtuquajturës “special relationship” me SHBA në krahasim me integrimin në mbrojtjen evropiane. Por marrëdhëniet transatlantike janë në rrezik. Pavarësisht se është distancuar nga BE-ja, Britania po analizon krizat e së ardhmes dhe në kontekstin e sotëm duket më realiste një aleancë me Francën dhe Gjermaninë sesa me SHBA-në.
Si përfundim, gjatë këtij recesioni të ri gjeopolitik do të ketë formacione të reja. Në këtë kontekst, marrëdhënia BE – SHBA apo BE + Britani – SHBA do të transformohet. Ajo do të varet nga aftësia e palëve në të dy anët e Atlantikut për të balancuar bashkëpunimin me konkurrencën në rritje në një botë të fragmentuar – dhe nxitja për këtë shkrim e pati burimin pikërisht te ky (zh)balancim. Në këtë optikë, një aleancë e tillë – për shumëkënd e paarsyeshme - është thjesht parashikim – sa modest aq edhe i guximshëm - i autorit, një parashikim që bazohet në modelet e veprimit (patterns) të aktorëve të fjalë.