Letërsi

Moikom Zeqo: Letërsia  e madhe e ka thënë gjithçka

Shkruar nga Liberale

Moikom Zeqo në një rrëfim për librat e zemrës/ Kam jë libër në frëngjisht me titull “Le chauvinisme lingistique“, pa emër autori, botuar në Paris, në 1935- me shënime të bëra më laps nëpër faqe nga vetë Migjeni- këtë libër të bibliotekës së Migjenit ma ka dhuruar  drejtori i Bibliotekës së Universitetit të Tiranës  shkrimtari dhe përkthyesi Mihal Hanxhari, para vdekjes së tij.

Alda Bardhyli

“Letërsia nuk është aspak  lineariteti i një ngjarjeje...”. Moikom Zeqo lë pas kohët jo të mira të kësaj fillimvjeshte me shëndetin, për të udhëtuar përmes Leteraturës në një rrugëtim, në librat e zemrës...

Aktualisht, cilët libra keni më për zemër?

Janë shumë libra që më pëlqejnë-ndonëse jam  distancuar pak nga leximi i romaneve dhe subjektet letrare- lexoj, ose me saktë rilexoj librat e mëdhenj të shekujve, të cilët nuk janë një numër i pakufishëm,-përkundrazi  mund të jenë të vetëmjaftueshëm në pak emra; Homeri, Platoni, Herakliti i Efesit, Dantja, Servantesi, Jonathan Sëifti, padyshim  shkrimtari më i madh  i njerëzimit  Shekspiri, filozofë si Stjuart Mill, Erazmi i Roterdamit, Spinoza, Marksi dhe  Bernard Rasellin. Letërsia e  vërtetë dhe e madhe nuk varet farë nga numri i infinitshëm i botimeve,  nuk është aq e shumtë, përkundrazi!

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

Për mua është  “Udhëtimet e Guliverit “ të Sëiftit!

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

Tregimet Nikollaj Gogolit të Petërburgut, ato të Hofmanit dhe tregimet e shkurta ë Franc Kafkës.

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?

Në Shqipëri, apo në  botë? Në Shqipëri është e vështirë të flasësh për shkrimtarë të vërtetë, ka autorë që shkruajnë ngjarje-letërsia nuk është aspak  lineariteti i  një ngjarjeje-ky është një keqkuptim fatal,-çdo subjekt i letërsisë së madhe është një  strukturë dhe renditje  simbolesh të brendshme dhe universale sa nuk mund t’i  quash  “ngjarje“.

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?

Më pëlqejnë librat e historive të artit, dhe filozofët- p.sh. librat për  filozofinë e mesjetës të ri zbuluar  nga   Jacques  le Gof.

Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Shumë libra p.sh. një Bibël në latinisht me gravura e shekullit të XVII- kam një koleksion të madh të Biblave në gjuhë të ndryshme të globit- një libër në frëngjisht me titull “Le chauvinisme lingistique“, pa emër autori, botuar në Paris, në 1935- me shënime të bëra më laps nëpër faqe nga vetë Migjeni- këtë libër të bibliotekës së Migjenit ma ka dhuruar  drejtori i Bibliotekës së Universitetit të Tiranës  shkrimtari dhe përkthyesi Mihal Hanxhari, para vdekjes së tij.

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

-Padyshim Don Kishoti, që është mbiquajtur edhe si Krishti i Ungjillit të Pamundësive, por dhe ëndrrave të mëdha.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?

Tani që isha për dy muaj e gjysmë në spital për shkak të një krize të rëndë të  leucemisë për shumë kohë nuk mund të lexoja- vajza ime e vogël Kleitia, që kujdesej më kërkon të më lexonte diçka-një libër. Po, i thashë të lutem më lexo “Lizën në  Botën e Çudirave“- që mbase  gjatë jetës e kam lexuar shumë herë-ky libër është  më i rëndësishëm se  dhjetëra mira libra që botohen  me “ngjarje“ idiote,- biseda  rreth tryezës së Lizës me Lepurin dhe Kapelabërësin e Çmendur ka një modernitet të prozës që i paraprin edhe “Uliksit“ të Xhojsit.

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

-Jo- në Bibliotekën Kombëtare kam lexuar çdo libër që më ka interesuar-librat e “ndaluar“ janë edhe sot, por nuk i lexon njeri. Librat që kam porositur p.sh. nga George Steiner dhe Harold Bloom m’i kanë sjellë   miqtë, ose i kam blerë vetë.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë kjo që jeni sot, cili do të ishte ai?

Janë shumë libra që kam lexuar në vitin 1970, që i reflektoj në ditarët e mi  si dhe në librin tim  “Laboratori i Ëndrrës“-që ta dhurova edhe juve Alda.

Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?

Ndoshta  libri im më i parapëlqyer është “Grishja e Florimontit “, subjekt i një romani poetik me mijëra vargje në frëngjishten e vjetër, shkruar në shekullin e  XII nga  Amon De Varanez,- të cilin libër ja dërgova dhe Presidentit të Francës  Zhak Shirak  me një letër dhe kam marrë përgjigje  shumë të ngrohta prej Tij.

Po qe se do t’i kërkonit Kryeministrit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

-Asnjë kryeministri në botë- absolutisht asnjërit nuk do të doja  të më lexonte ndonjë nga librat e mi.

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

-Asnjë nga shkrimtarët e gjallë- por të vdekurit e pavdekshëm po, p.sh. me Saramagon, Kamynë dhe Migjenin( ose Konicën )

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

Libri  që nuk kam mbyllur është një romanm me titullin “Biblioteka e Don Kishotit “-por kam mbaruar në dorëshkrim librin me proza   “Centauri i Fundit “ si dhe një tjetër libër “Skinaksarët e Bizantit “

Kush do të donit ta shkruante historinë e jetës suaj?

Askush. Nuk më pëlqejnë fare librat që shkruajnë kinse për jetët e shkrimtarëve- ashtu siç nuk më pëlqejnë  kur shkrimtarët  shkruajnë  Kujtimet  e tyre.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

Kryesisht tek klasikët, por jo tek ata të letërsisë  baroke.

 Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

Nuk besoj se ka ende shumë libra  që të ndihesh keq se ende nuk i ke lexuar- besoj se letërsia  e madhe e ka thënë  gjithçka me  letër kredencialet  universale të shpirtit njerëzor.

Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?

Nuk e di. Sapo lexova ne frëngjisht romanin “Platforma“ të vitit 2019 të  Michel  Houellebecq,- që nuk më pëlqeu- ky shkrimtar  më i njohuri në  Francë  operon mes banalitetit të jetës borgjeze ( siç e quan ai) me një cinizëm therës, shpesh të lemeritshëm. Epo Balzaku nuk lind  në secilin shekull- nuk përsëritet më!/Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH