Kriza e parë globale e epokës pas-amerikane ka mbërritur. Pasojat nga pandemia COVID-19 do të formësojnë botën në vitet në vazhdim.
Për pjesën më madhe të shekullit, Shtetet e Bashkuara gjithmonë kanë bërë para në kohë krize për të ushtruar një lloj udhëheqjeje. Ndonjëherë, ky kontribut kryesisht është mirëpritur. Herë të tjera, jo. Dhe rezultatet nuk kanë rezultuar gjithmonë ashtu siç ishte planifikuar. Por instinkti kryesor amerikan për të udhëhequr ishte i pranishëm. Mirë ose keq, pjesa tjetër e botës ishte mësuar me këtë.
Me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, epoka e lidershipit amerikan ka marrë fund. Gjatë presidencës së Barack Obama-s, SHBA-ja po tërhiqej nga angazhimet e saj globale, duke pranuar kështu faktin se nuk kishte burime për të zgjidhur çdo problem. Por edhe nëse SHBA-ja ndonjëherë “udhëhiqte nga pas”, gjithsesi ajo vazhdonte të udhëhiqte.
Ky lloj pohimi nevoje nën udhëheqjen e Obama-s tani është shndërruar në një parim të padiskutueshëm, të shpallur me zë të lartë nën udhëheqjen e Trump. Për çështjen e rolit të Amerikës në botë, Trump po praktikon – me një hakmarrje – atë që predikoi gjatë fushatës së tij presidenciale. Gjatë tri viteve të fundit, “Amerika e para dhe të gjithë të tjerët vetëm” ka qenë mesazhi që ka ardhur nga Shtëpia e Bardhë.
Implikimet në botën reale të këtij ndryshimi tani kanë dalë hapur. Në vitin 2014, kur Ebola filloi të përhapej në Afrikën Perëndimore, ekzistonte një rrezik serioz që një shpërthim rajonal të shndërrohej në një katastrofë globale. Por administrata e Obamës ndërhyri. Duke punuar ngushtë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, SHBA-ja mobilizoi një përgjigje globale dhe në fund e frenoi epideminë. Askujt nuk i shkoi kurrë ndërmend që ta etiketonte Ebolën si “virusi afrikan”, apo të akuzonte OBSH-në për neglizhencë dhe keqmenaxhim të situatës.
Që atëherë, fryma e bashkëpunimit global ka qenë nën sulm të vazhdueshëm. Nën drejtimin e Trump, SHBA-ja filloi një luftë tregtare kundër Kinës dhe aleatëve të saj dhe braktisi marrëveshjet kryesore globale si Marrëveshja e Klimës e Parisit 2015 dhe marrëveshjen bërthamore të Iranit. Një luftë e ashpër bilaterale për kontrollin e ekonomisë digjitale është përshkallëzuar për vite me radhë.
Për shkak të këtyre tensioneve, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka munguar gjatë krizës aktuale të COVID-19. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka bërë thirrje për veprim, por SHBA-ja dhe Rusia i kanë zvarritur këmbët dhe pjesa tjetër e Këshillit të Sigurimit ka qëndruar e heshtur për këtë çështje. Ndërkohë që dikush mund të ketë shpresuar se G20 do të rimerrte rolin kritik që luajti gjatë krizës financiare të vitit 2008, organizata aktualisht është nën presidencën e Arabisë Saudite dhe për pasojë nën drejtimin e liderit të ri dhe të hallakatur, princit të kurorës Mohamed bin Salman.
Ndërkohë, Kina ka ndërhyrë duke mbështetur qeverisjen globale, por kryesisht duke kërkuar të zhvillojë marrëdhëniet e saj bilaterale. Maskat mbrojtëse dhe pajisjet e tjera që janë dërguar nga Kina, janë dërguar shoqëruar me kërkesën që atyre t’u bëhet një pritje zyrtare – me flamuj kombëtarë e gjithçka tjetër. Ndihma sigurisht që është vlerësuar, por motivet e vërteta të Kinës për këtë janë shumë të dukshme.
Po aq i qartë është fakti se mund të ishte bërë shumë më tepër për të kufizuar përhapjen e COVID-19 gjatë javëve të para të shpërthimit në Wuhan. Qeveria e Kinës është kritikuar me të drejtë për këto dështime dhe nuk ka kaluar pa vëmendje fakti që se situata u trajtua shumë më mirë në Tajvanin demokratik.
Në momentin e duhur, do të ketë një diskutim më të hapur, dhe ndoshta më të nxehtë, për mënyrën sesi vende të ndryshme, liderët dhe organizatat ndërkombëtare e trajtuan sfidën COVID-19. Kina sigurisht nuk është vendi i vetëm ku përgjigja zyrtare ka lënë për të dëshiruar. Por këto do të diskutohen më vonë. Prioriteti i menjëhershëm është mobilizimi i të gjitha burimeve të mundshme për të përmirësuar pandeminë. Me epiqendrën që është zhvendosur tashmë nga Azia Lindore në Europën Perëndimore dhe më pas në SHBA, askush nuk duhet të mendojë se kjo histori ka marrë fund.
Në fund të fundit, çfarë do të ndodhë në Indonezi, Pakistan, Egjipt, Nigeri, Brazil, apo ndonjë vend tjetër të madh me popullsi të dendur urbane? Me mungesën e Amerikës dhe besueshmërinë e Kinës, ekziston një nevojë urgjente që dikush të marrë rolin e lidershipit dhe të fillojë të mobilizojë një përgjigje të koordinuar, qoftë përmes OBSH-së ose në ndonjë mënyrë tjetër. Një pandemi është si një zjarr në pyll: nëse nuk e shuani gjithandej, atëherë nuk e keni shuar fare.
A mund të ndërhyrë Bashkimi Europian? Apo ai është tepër i konsumuar nga problemet e veta? A mund të krijohet ndonjë koalicion i ri për ta bërë këtë, apo rendi ndërkombëtar është i destinuar të hyjë në një mjegull më të dendur multipolariteti dhe politike pushteti, ku i vetmi fenomen me të vërtetë global është një virus vdekjeprurës? Në një botë post-amerikane, këto janë pyetjet që duhet të ngrihen.