Sport

Orges Shehi: Derbi luhet më shumë për tifozët, Partizani kërkon të fitojë gjithnjë, nuk është sfidë personale ndaj Tiranës

Shkruar nga Liberale

Orges Shehi: Derbi luhet më shumë për tifozët, Partizani

 

 

Partizani do të ndeshet me Tiranën në derbin e kryeqytetit në “Air Albania”, ditën e nesërme në orën 19:00, e vlefshme për javën e 24-të të Superiores. Trajneri i “demave”, Orges Shehi, u shpreh se kjo është një sfidë historike dhe se nuk do ta ketë mendjen te ish-skuadra e tij, por vetëm te Partizani, ku do të kërkojë fitoren.


“Nuk mendoj se është sfidë e imja personale. Mendoj se është sfidë mes dy klubeve që kanë rivalitet historik. Kështu që kur kërkojmë nga lojtarët që të mos kenë dozë të madhe emocionale, sigurisht që dhe te ne te stafi do e trajtojmë si ndeshje të rëndësishme, por jo vendimtare.

Në karrierën time kam kaluar shumë derbi. Qëkur isha pjesë e Partizanit si lojtar mund të kenë qenë 10-12 derbi, por edhe 10 të tjera kur isha trajneri i Tiranës. Kështu që ju garantojmë që e kemi atë eksperiencën për t’u mos rrëmbyer nga doza emocionale.

Unë mund të njoh lojtarët individualisht, por nuk jam shkëputur sot nga Tirana. Jam shkëputur pas 4 javëve të kampionatit. Nuk e di e sa javë janë luajtur, kështu që Tirana ka shumë javë që ka atë trajner tjetër. Çdo trajner kërkon të implumetnojë mënyrën e vetë të lojës. Mund të njoh lojtarët individualisht, por atë që kemi parë këto kohë, si çdo kundërshtar që kemi, mundohemi ta analizojmë.

Çdo skuadër ka individë për shkak të specifikave dhe të cilësive që ka. Nuk kërkoj të veçoj ose të përqendrohem të individë të veçantë të kundërshtarit.

Keko dihet që është mungesë prej javësh dhe nuk është me skuadrën. Maget është stërvitur këto dy ditë me skuadrën dhe sot është testi përfundimtar për të vendosur nëse mund të jetë nesër apo jo. Por kjo mbetet për t’u parë. gjendja e Bintsukës nuk është optimale. Ndeshjen me Dinamon e kishim në stol për të qenë pranë skuadrës, por nuk është i gatshëm për ndeshjen. Të tjerët janë normal dhe janë stërvitur. Kam parë në sytë e lojtarëve dëshirë dhe përkushtim për të bërë më mirë në ndeshjen e nesërme.

Ne jemi të bindur që nuk kemi ecuri me hap kampioni, sepse në gjashtë ndeshje nuk kemi atë hapin e skuadrës kampione, por kemi hap mesatar dhe skuadra kërkon të përmirësohet. Kemi nxjerrë ato gabimet që kemi bërë, sepse dy ndeshjet që kemi humbur, i kemi humbur në momentet e fundit. Me Laçin kemi dominuar gjithë kohës dhe prapë përqendrimi në momentin e fundit ka rënë dhe kemi pësuar humbjen e parë. kurse në humbjen e dytë nuk kemi prodhuar shumë, por goli mund të ishte i evitueshëm.

Këto dy humbje janë për të nxjerrë mësim dhe përqendrim, nuk është për të futur në kokën e lojtarëve gjithë të këqijat. Derbi i nesërm dihet që ka bonus psikologjik, sepse derbi nuk luhet vetëm për vete, por luhet dhe për tifozët. Këtë do të kërkojmë nesër, që në radhë të parë të luajmë për të kënaqur të gjithë opinionin futbolldashës tonin dhe më pas për të marrë më të mirën e ndeshjes.

Unë mendoj se nuk duhet t’i ngarkojmë lojtarët shumë dhe mos t’i vëmë përpara përgjegjësisë. Kur rezultatet nuk janë pozitive, mendoj se fajtori i parë është trajneri, më pas lojtarët. Kështu që lojtarët duhet të jenë më të qetë për të bërë më të mirën e tyre. Një skuadër që merr 5 fitore dhe një barazim pas gjashtë javës fillon e ringrihet, siç është Vllaznia edhe afrohet afër nesh.

 

 

E rëndësishme është që të rikthehemi te fitorja, te grupi i plotë dhe entuziazmi. Një fitore e mirë të sjellë entuziazmin dhe besimin në skuadër. Ne jemi në një moment jo shumë të mirë, por kurrsesi nuk duhet të humbim besimin dhe vetëbesimin. Sepse këto janë dy gjëra afër njëra-tjetrës, por kanë dhe kuptim kolektiv.

Derbin, po ta kapësh në të gjithë botën, por dhe më shumë këtu te ne, nuk është se rezultatet janë me goleadë. Edhe për një detaj tjetër, që në derbi ka shumë pak lojë efektive. Derbi përbëhet nga emocione të mëdha, nga rikuperime topash, nga dyluftime, nga doza emocionale e tifozëve, kështu që loja efektive është e pakët dhe kur loja efektive është e pakët në shumicën e rasteve çdo skuadër kërkon që ta zgjidhë nëpërmjet episodeve, duke u treguar e kujdesshme, duke përfituar nga gabimet e tjetrit, sepse i tillë është derbi.

Tani unë nuk mendoj për skuadrën kundërshtare. Do të them për skuadrën time, që ne duhet të kishim më shumë gola se sa kemi shënuar.

Unë nuk di që të flas për të tjerët, ose për tifozët e Tiranës. Unë e di që vet kam marrëdhënie korrekte me të gjithë opinionin e futbollit në Shqipëri. Kështu që kam respekt për tifozeritë kudo që janë. Mendoj që nesër do të jetë dhe derbi i tifozëve, sepse dihet se çfarë atmosfere sjellin tifozët. Derbi nuk luhet vetëm për ne, por dhe për tifozët. Kërkojmë të fitojmë gjithmonë ne”, tha Shehi në konferencën për mediat.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH