Franko Burraj mbylli garën e dytë të 100 metrave në Paris 2024 me kohën 10.66.
Burraj nuk arriti dot të shkonte më shumë se vendi i 8-të në raundin e parë të garës 100 metra për meshkuj, pasi u kualifikua si i dyti në baterinë e tretë në fazën para-eliminatore.
Atleti 25-vjeçar eliminohet dhe nuk ia del që të kualifikohet për në gjysmëfinale duke u renditur i parafundit në Baterinë 4.
Ai la pas vetëm polakun Wdowik (11.53) ndërsa për më tej në këtë bateri u kualifikuan xhamajkani Seville (9.99), japonezi Sani Brown (10.02) dhe tajlandezi Boonson (10.13).
Në Paris 2024, olimpiada e parë për të, në garën e parë eliminatore arriti që të vendoste rekord të ri personal në distancën e 100 metrave.
Gjithsesi, atleti shqiptar mund të krenohet me paraqitjen në Lojërat Olimpike të Parisit, nëse marrim parasysh faktin se Burraj është i specializuar në garën e 400 metrave.
Në 100 metra në Paris atleti shqiptar shkoi me ftesë në Olimpiadë. Konkurenca e fortë në atletikë nuk i jep aq shpresë Shqipërisë për medalje.
Shpresat e Shqipërisë për një medalje në atletikë në këto Lojëra Olimpike janë tashmë te Luiza Gega, e cila do të garojë nesër në disiplinën 3000 metrave me pengesa për femra. Por edhe për atleten shqiptare sukses do të ishte një nga 6 vendet e para.