Sport

Fitoi 4-3 ndaj Tiranës në Lushnje, Vllaznia pas incidenteve: Njëri nga lojtarët e lënduar pësoi djegie dhe humbje të dëgjimit

Shkruar nga Liberale

Fitoi 4-3 ndaj Tiranës në Lushnje, Vllaznia pas incidenteve:
Vllaznia ka fituar klasiken përballë Tiranës me rezultatin 3-4.

Klubi i Vllaznisë, ka reaguar pas rastit të shëmtuar të ndodhur ndaj Tiranës, ku tre lojtarë shkodranë u dëmtuan, pasi një lëndë plasëse të hedhur nga tifozët në fushë.
Në reagim thuhet se shkodranët shprehin indinjatën e thellë, për rastin e paprecedentë në futbollin shqiptar.
Vllaznia zbulon se sipas raportit te mjekëve, një nga lojtarët (Esat Mala), rezultoi se ka pësuar djegie, humbje të dëgjimit dhe humbje ekuilibrit. Ndërkohë lojtarët e tjerë që mbetën në fushën e lojës pësuan turbullime të dukshme te shikimit dhe të dëgjimit.

Takimi i zhvilluar në “Roza Haxhiu” të Lushnjes u zhbllokua shpejt teksa për shkodranë realizoi Bekim Bala. Numri 9 i kuqebluve realizoi fillimisht nga pika e bardhë e penalltisë, pas faullit të Gjumsit ndaj Dodajt, me gjyqtarin Jorgji që akordoi penallti në favor të shkodranëve.
Ndërkohë që 9 minuta më vonë ishte sërish Balaj që me kokë goditi saktë për golin e dytë, duke shfrytëzuar saktë harkimin nga Mala. Esat Mala, i cili do të ishte protagonist teksa në minutën e 34 realizoi edhe golin e tretë për Vllazninë.

Bajroviç shkurtoi diferencën e golave në pjesën e dytë, por për të shuar shpresat e bardhebluve mendoi Gruda për golin e 4 dhe vulosur fitoren e Vllaznisë në klasiken e futbollit shqiptar. Goli i dytë për Tiranën i realizuar nga Bajroviç me 11 metërsh shërbeu vetëm për statistikë.

Ndeshja u ndërpre për afro 13 minuta nga gjyqtari Enea Jorgji për sende të hedhura në fushë nga tifozët bardheblu, drejtuar lojtarëve të Vllaznisë.
Me këtë fitore Vllaznia ngjitet në përkohësisht në krye të renditjes me 18 pikë, ndërsa Tirana mbetet prapa në vendin e 7 me 11 pikë.

Reagimi i Vllaznisë:

“Klubi i Futbollit Vllaznia shpreh indinjatën e tij më të thellë në lidhje me rastin e paprecedentë të ndodhur ndonjëherë në kampionatin shqiptar, atë gjatë ndeshjes së ditës se sotme, Tirana-Vllaznia e luajtur në stadiumin “Roza Haxhiu” të qytetit të Lushnjës ku jeta dhe shëndeti i futbollistëve të Vllaznisë u rrezikua seriozisht.

Në minutën e 66-të pas shënimit të golit të katërt, kur rezultati ishte fiksuar në shifrat 1-4 në favorin e ekipit tonë, ndërkohë që të gjithë lojtarët e Vllaznisë po festonin brenda fushës së blertë, një lëndë plasëse e fuqishme e hedhur që vinte nga grupi i tifozërisë së Tiranës, shpërtheu fuqishëm në fushën e blertë përpara këmbëve të lojtarëve duke i përplasur fuqishëm në tokë disa prej tyre. Fatkeqësisht fusha e blertë ngjante më tepër me një skenë lufte sesa me një ambient sportit.

Për shkak të këtij shpërthimi, njëri nga lojtarët e Vllaznisë, i plagosur më rëndë, u detyrua të lërë fushën e lojës dhe të dërgohet menjëherë në Spitalin Rajonal të Lushnjës. Sipas raportit të mjekëve të urgjencës së spitalit rezultoi ka pësuar djegie, humbje të dëgjimit dhe humbje ekuilibrit. Ndërkohë lojtarët e tjerë që mbetën në fushën e lojës pësuan turbullime të dukshme te shikimit dhe të dëgjimit.

Pas këtij momenti të shëmtuar ku u lëndua shëndeti i futbollistëve kuqeblu, nuk mund të kishte më lojë futbolli dhe përtej vendosmërisë së stafit teknik dhe lojtarëve për të respektuar drejtuesit e garës, mbetet i pakuptimtë vendimi i tyre për vazhdimin e ndeshjes!

Klubi i Futbollit Vllaznia kërkon me forcë nga organet e rendit dhe Policisë së Shtetit të marrin sa më parë të gjitha masat për identifikimin dhe ndalimin e autorëve të cilët kanë konsumuar një vepër penale të tipit “akt terrorist” e cila ka rrezikuar jetën dhe shëndetin e lojtarëve në fushë.

Kërkojmë nga Federata Shqiptare e Futbollit të marrë menjëherë të gjitha masat me të ashpra për të dënuar çdo sjellje dhe veprim që nuk ka lidhje me misionin e sportit ndaj të gjithë përgjegjësve.”

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH