Shkrimtari Gani Mehmetaj promovoi në Prishtinë romanin tij më të fundit “Muri i Heshtjes”, botim i UET PRESS.
Në këtë ngjarje morën pjesë miq, të afërm e kolegë të autorit, i njohur gjithashtu si gazetar, publicist e kineast.
Arkitekti i mirënjohur Xhelal Llonçari, gjithashtu mik i autorit, e vlerësoi librin e Mehmetaj si një autopsi mbi pushtetin barbar.
Në këtë roman, ashtu si edhe në dy të tjerët botuar me UET PRESS, Mehmetaj merr përsipër të rrëfejë historinë e shekullit XX, prej luftërave në Ballkan më 1912- 1913, luftimet dhe pasojat e Luftës së Dytë Botërore, instalimi i regjimit socialist me shtetin federativ jugosllav, shpërbërjen e tij e deri te pasojat tragjike të spastrimit etnik e gjenocidit, që kulmuan me ndërhyrjen e forcave të NATO-s, marsin e vitit 1999.
Llonçari solli një lexim nga perspektiva personale. Libri ngjall kujtime të fuqishme për jetën në një periudhë të errët, Ngjarje që, edhe pse të njohura për shumëkënd, marrin një dimension të ri artistik përmes romanit. Sipas Llonçarit, një roman mund të bëhet monument shpirtëror, ndryshe nga librat historikë.
Ai e krahasoi këtë vepër me murin e Berlinit, si edhe me “Muri”, veprën ekzistenciale të Jean Paul Sartre, ku krahasoi fundin e personazheve të tij me pushkatimet në kodrat e Pejës. Në përballjen me pushtetin brutal dhe të pakuptimtë shkatërrohej vetë baza e qenies njerëzore, e drejta për të menduar, për të ekzistuar.
Kjo vepër është edhe një tribut për qytetin e lindjes së autorit. Ndonëse Mehmetaj nuk e përmend emrin e qytetit, lë gjurmë dhe të dhëna që bëhet fjalë për Pejën e tij.
“Muri i heshtjes” shndërrohet kështu në një metaforë shumëdimensionale. Ai nuk është thjesht një strukturë fizike, por një ndërtim emocional, kulturor dhe politik – një simbol i izolimit, shtypjes, urrejtjes, por edhe i mungesës së dashurisë. Autopsia që autori bën mbi pushtetin, sipas arkitektit Llonçari, përshkruhet si një analizë e thellë dhe mjeshtërore mbi një regjim shtypës dhe pasojat e tij në shoqëri dhe individ.
Sipas tij romani nuk është thjesht një rrëfim, por një thirrje për reflektim, për të mos harruar, për të kuptuar muret që ndërtojmë – dhe ndoshta, për t’i rrëzuar ato.
“Muri i Heshtjes” është romani i tretë që Gani Mehmetaj boton nën logon e UET PRESS, pas “Zogjtë e Qyqes” – me të cilin më 2021 u shpall fitues i Çmimit Letrar Kadare - dhe “Lufta e Pengjeve”, ku përshkruan dhe disekton periudhën tragjike të përplasjeve në Ballkan që kulmojnë me ngjarjet e 1999-s në Kosovë.
Fjala e plotë
Gjatë leximit të librit [Muri i Heshtjes] e rijetova edhe njëherë harkun kohor për të cilin shkruan. Përshkrimet e tij janë aq spiritoze, aq me ngjyra sa ma solli aromën e bibliotekës dhe ma pruni fotografinë e bibliotekistit të hajthëm e të zi që vazhdimisht shkrunte çirilicë n’stilolaps.
M’i solli sytë e mia kureshtare para radio “Kosmaj” duke e k’qyr ndërruesin e stacioneve e tue u ndalë si fmi me kuptue qysh funksionon ajo,
Por më iku buza në gaz kur e nxori ish-sekretarin e gjimnazit, Golluboviçin, të cilin e njifsha hala pa shkue në shkollë se jetojsha pranë gjimnazit aty n’lagje, dhe, kur kalojke ne fmit ia kishim vue nji tjetër nofkë: e quejshim Shiceri, ishte emni i nji agjenti gjerman prej serive televizive.
E gjersa lexojsha, në vesh më kumbojshin fjalët e gjysheve, ato urimet, ato mallkimet, ato gjestet besëtyte që ishin jo të pakta atë kohë.
Dhe pikërisht kjo e folmja e atyne gjysheve asht’ nji thesar i veçantë në rrugën e kultivimit të trashëgimisë foljore të popullit në periudha të caktueme.
Po gjatë leximit të librit kajherë shtrengojsha grushtat, kajherë shtrëngojsha dhambet në përmendjen e atyne ngjarjeve tragjike të cilat shfletohen para neve, shfaqen para neve, të cilat Ganiu i sjell aty. Ishin ngjarje për të cilat ne folnim në shpijat tona, pëshpëritnim, mirëpo pushteti heshtte.
Sjellja e këtyne ngjarjeve pas luftës e ka marrë atë vërejtje dhe kujdesin e nevojshëm nga historianet, i kanë studiue, i kanë shkrue, mirëpo t’i sjellësh në nji roman asht’ ndryshe.
Nji vepër arti bân monumente.
Librat e historisë kryesisht sillen neper duert e historianëve apo atyne që e studiojnë historinë kurse ky libër asht’ bashkë me publikun.
Njësoj si ata librat e historisë që i marrin historianë nëpër dorë, edhe muri për të cilin flas- nëse ju intereson ju- kur u spiegoj studentave, muret konstruktive, muret mbajtëse, jo mbajtëse... por këtu kemi t’bajmë me nji mur tjetër, me nji mur të cilin Ganiu e ndërton me mjeshtëri të jashtëzakonshme,
Ky nuk asht’ mur i thjeshtë, asht’ nji mur i përbërë dhe në këtë mur une i pashë shtresimet. Une e pashë murin e tij. Ai e rrethon veten, vendos tulla në mur, për ta izolue nga publiku veten njisoj sikurse izolohet Gjini prej murit të heshtjes duke u marrë me astronomi,
Une e pashë këtu murin e Berlinit, i cili ishte në kufi kur vriteshin njerëzit që donin ta kalonin.
E pashë murin e Sartrit ku përfundonte ergo sum-i i njerëzve kur përballej me pushtetin e pakuptimtë: ishin kodrat e Pejës ku pushkatoheshin njerëz çdo natë.
Të gjithë këto mure...
Ishte muri i turpit nëse doni, ai i Detroit-it që i ndante qytetet më dysh: të bardhtë me nji anë, të zinjtë me nji anë. E shofim kur zyrtari serb e shqelmon nji pjesëtar të komunitetit rom që kërkonte me shkue për Gjermani.
Këto mure ishin të ngjitura mes vedi me nji llaç shumë të fortë, me llaçin e urrejtjes.
Mirëpo Ganiu sjell ma në fund edhe nji mur prej normales, të Parisit, nji mur prej 40 metra katrorë, i punuem me fajancë të kaltër, ku në 300 gjuhë të ndryshme të botës asht njimijë herë e shkrueme fjala “të dua”.
Mirëpo në atë mur ka copëza të kuqe që e prezantojnë zemrën e thyer të njerëzimit në mungesën e dashurisë.
Ganiu bëri me këtë libër, sipas meje, nji prerje precize, mjekësore, nji autopsi mbi pushtetin barbar.
Xhelal Llonçari
*Arkitekt