Letërsi

Kur tre "kadareanë" bëhen bashkë

Shkruar nga Liberale

Kur tre "kadareanë" bëhen bashkë

Mesdita e së hënës së 23 dhjetorit të 2024-ës i gjeti bashkë në tryezën e sallës Consilium në Universitetin Europian të Tiranës. Një fizikane, një stomatolog dhe një inxhinier informatike, të tre me vite jetësore, përvoje, profesioni e krijimtarie të ndryshme. Thënë kështu duket e çuditshme dhe akoma më tepër kërshëritëse se çfarë mund të bashkojë ata që duket se rrinë më së miri ndarazi. Në fakt ishte Çmimi Kadare që i mblodhi dy ditë para festës së Krishtlindjes si ‘të barabartë’ e të ‘përzgjedhur’, për të vlerësuar veprën më të mirë të 2025-ës.

Vera Bekteshi, Loer Kume dhe Dionis Prifti, përtej fakteve të sipërpërmendura, kanë dy të përbashkëta. E para kanë pasion letërsinë dhe përveçse lexues të mirë, janë lëvrues akoma më të mirë. E dyta, që vjen si rrjedhim i së parës, të tre kanë një ngjarje që do të shënjojë gjithë rrugëtimin e tyre në letërsi. Të tre janë fitues të Çmimit Kadare, në momente te ndryshme të jetës së dekadës së parë të këtij çmimi.

E njohur për librat biografikë me tematikë internimin dhe diktaturën komuniste, Vera Bekteshi u bë e para grua që fitoi këtë çmim në prill të 2022-shit, pasi disa herëve që kishte konkurruar në këtë kompeticion të rëndësishëm të letërsisë shqipe, e madje kishte prekur edhe finalen. Fati i ra librit “Pusulla të verdha”, kushtuar personave me aftësi ndryshe dhe sfidave të tyre në një shoqëri, për t’u vlerësuar si më i arriri mes dorëshkrimeve të mbërritura atë vit.

Stomatologu Loer Kume, i riu që refuzoi Amerikën dhe lotarinë amerikane për Durrësin, qytetin e lindjes, për të punuar ditën më njerëzit dhe natën me “demonët krijues”, u shpall fitues i Çmimit Kadare 2019. Libri me tregime “Amygdala Mangala” u cilësua nga juria e atij edicioni si përfaqësues i një gjenerate të re shkrimtarësh i cili eksperimenton me letërsinë, në kërkim të formave të reja letrare larg komercializmit dhe të zakonshmes në letërsi.

Më i riu prej tyre, Dionis Prifti, i cili përtej profesionit si inxhinier informatike, duke eksploruar me format dhe rrymat e artit, mes letërsisë dhe kinemasë, solli një gjetje dhe një koncept mjaft interesant e novator në letërsinë shqipe me veprën “Dy javë nën balonë”, vlerësuar me Çmimin Kadare 2024.

Kur tre "kadareanë" bëhen bashkë

Përfaqësues të tre gjeneratave, të tre kohëve, të tre rrymave, nisën mesditën e 23 dhjetorit 2024 një rrugëtim dy mujor deri në finalizimin e Çmimit Kadare më 23 shkurt 2025, i cili për herë të parë solli konceptin e ri që juria të përbëhet nga fitues të mëhershëm të këtij çmimi.

Nëse nuk do të ishte bërë shkas Çmimi Letrar Kadare, nuk do të kishte një histori për të kujtuar dhe për të shkruar. Shumë biseda nuk do të ishin bërë e shumë fjalë s’do të ishin thënë. Do të kishin mbetur thjesht njohës të largët të njëri-tjetrit, e kufizuar gjithçka brenda ndonjë aktiviteti kulturor, promovim libri apo takimi me shkrimtarë e njerëz të rrethit letrar. Ndoshta nga kërshëria do të mësonin diçka më shumë për njëri-tjetrin përmes krijimeve që u vlerësuan përgjatë viteve me Çmimin Kadare.

Tek-tuk mes frazash do të kuptonin tipare të personalitetit dhe mendësisë së atij që iu jepte fuqinë fjalën. Por rrallë se e kishin menduar se do të zhvillonin bashkë telefonata e takime kafenesh të gjata, për të gjykuar krijimet e të tretëve. E aty mes dorëshkrimeve të 40 autorëve që konkurruan në këtë edicion, të flisnin për secilin prej tyre, të ndanin mendimin për çdo tematikë, narracion, personazh e detaj të mbetur në mendje. Bisedat e para ishin më të lehta, sepse dorëshkrimet ishin më të kollajta për t’u përzgjedhur. Sita kritike mund t’i tororiste e të mbante sipër krijimet që veçoheshin e qëndronin bindshëm.

Mbledhja e dytë që i solli sërish në ambientet e Consilium-it ishte përzgjedhja e dhjetë gjysmëfinalistëve. Një takim i gjatë, i cili filloi me autorin shqiptar e u degëzua në biseda e kujtime të largëta, ndodhi jetësore, biseda shkrimtarësh, thënie autorësh apo personazhe filmash. Larmishmëria gjithçkaje nënkuptohet më së miri nga tiparet e personalitetit të secilit.

Afrimi i finales e bëri akoma më të vështirë punën e jurisë, të cilës iu desh të peshonte e të maste me shumë kujdes çdo vepër të shkuar nëpër duar për të disatën herë. Pas nxjerrjes së pesë autorëve finalistë, ata u mblodhën për të fundit herë “institucionalisht” për Çmimin Kadare 2025, në ditët e Shkollës së Humaniteteve në Llogara. Të dielën e fundit të shkurtit nxorën fitues të edicionit të njëmbëdhjetë regjisorin dhe dramaturgun Armand Bora me triptikun me drama “Ata që mbijetuan”.

Ky finalizim përmbylli detyrën e tre "kaderanëve", por me siguri që hapi një tjetër dimension letrar e shoqëror. Letërsia u dha mundësinë të shohin më afër e të kuptojnë më me vërtetësi atë që ndoshta nuk do ta kishin parë apo shpalosur në momente dhe rrethana të tjera. E për sa kohë pasioni për letërsinë është i pashtershëm, e tillë mbetet edhe dëshira për njohur njerëzit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH