Në librin “Tranzicioni neokomunist në Shqipëri”, botim i ”UET Press”, Kurt Kola tregon bisedën me Sali Berishën, pas zgjedhjes së tij si President i Republikës. Përballja e parë me kreu e PD-sëzgjati vetëm pak minuta, pasi do të takonte Ramiz Alinë, ndërsa e dyta nuk rrëfehet, por nga përshkrimi i tij, kuptohet se nuk i kaloi minutat e takimit të parë.
Nga eksperienca e jetës sime tërësisht në prove të njohjeve njerëzore, ideve, intrigave, mentaliteteve, parimeve, situatave, ambicieve e gjithfarë prodhon mendja e njeriut, një shkollë mbi çdo shkollë Universiteti, më mjaftonte fare pak kohë për të parë të fshehtën nën vellon e propogandës. Kështu, çastet e takimeve në institucionet e larta të Shtetit të Ri dhe momenti në mbledhjen e kuadrove të partisë për kryetarin e bashkise së Matit, më mjaftuan bollshëm për të konstatuar helmin në thellësi të ëmbëlsirës së jashtme, që shumë vonë do shkaktonte viktima të pafajshme në masë të konsiderueshme njerëzish.
Ishte muaj gusht 1992. Patën përfunduar zgjedhjet lokale, ku shumicën e bashkive dhe komunave i fitoi Partia Socialiste. Shenjë e keqe në horoskopin e politikës së ndryshimit, që paralajmëronte fituesit me bujë dhe premtime të mëdha, ta ndalin turrin me galop e të ecin në Këmbë. Pati nisur fushata e zgjedhjeve të reja nëpër degët e Shoqatës Kombëtare të ish-të Burgosurve e InternuarvePolitikë në rrethe.
Ndërkohë, unë kisha inspektuar partitë e vjetra, “Legalitetin” e “Ballin Kombëtar”, që tashmë qenë krijuar të reja e ishin pajisur me seli e fonde për ushtrim aktiviteti. Isha tërësisht i zhgënjyer, por jo i habitur, që kryesitë e tyre dominoheshin nga elementi i kompromentuar nga Sigurimi i Shtetit.
E dija, se ma kishin pohuar vetë udhëheqësit e PD-së, se partitë e reja dhe drejtuesit e tyre i cakton Ramiz Alia, por për dy partitë tradicionale “Legalitetin” e “Ballin”, nuk më kish vajtur
Mendja. Më erdhi në kujtesë nga fëmijëria një hollësi: në klasën e tretë fillore në Kalanë e Beratit, ne fëmijët luanim dramën “Partizanët janë kudo!”, që aktualisht paralelizohet me “Sigurimi komunist është kudo!” Ishte marrë vesh nga të persekutuarit që isha kthyer në Tiranë dhe kërkonin të më takonin. Flija te motra në Mullet, kurse gjatë ditës merresha me lëvizje politike, kështu që nuk kisha rënë në kontakt me ta.
Rastësisht takova Vera Demën, bijën e kolonel Hysni Dema. Kisha jetuar me të e familjen e saj që nga viti 1945 nëpër kampe internimi. Vera fluturoi përpjetë kur më pa: “Të kam kërkuar në qiell e të gjeta në tokë!” dhe më përqafonte me tërë fuqinë e shpirtit dhe zemrës. “Sa më je dashur! Sa na ke munguar!” e plot fjalë dashamirësie pa pushim. Më pas, ajo nuk u shkëput për asnjë çast nga kontaktet me mua. Ishte në Shoqatën e degës Tiranë e nëpërmjet saj u njoha me plot të burgosur e të internuar tiranas apo nga rrethet, që kishin ardhur në kryeqytet.
Në fund të gushtit, u zhvillua konferenca e Degës së Tiranës. Punimet e Konferencës u bënë në një sallë të teatrit. Pjesëmarrje e madhe. Isha i ftuar, jo delegat. Ndryshimi – nuk kisha mandat për t’u zgjedhur në organet drejtuese, isha thjesht dëgjues. Nuk e mora vesh si u përfshiva në votime, prej nga dola nënkryetar i degës Tiranë. Kryetar u rizgjodh Eqerem Kavaja, inxhinier elektrik, i burgosur politik në Spaç. Në Kryesi u zgjodh dhe Vera Dema, e cila qe një aktiviste e palodhur e shoqatës. Kryesia e Tiranës pati njerëz me shumë reputacion dhe më kujton thënien e z. Kavaja në mbledhjen e parë: “Me këtë Kryesi, unë drejtoj qeverinë!”
Pikërisht këtu nisi marrja e fuqisë përfaqësuese, rritja e autoritetit dhe pendimi i institucioneve që nuk më përfshinë në strukturat e tyre. Unë kuptova forcën e madhe që ushtronte shoqata në politikën e vendit dhe lakminë e PD-së për ta pasur aleate, por pa pushtet, përkundër rivales së saj Partisë Socialiste. Data e Konferencës Kombëtare po afrohej. Në rrethe vazhdonin konferencat e degëve që zgjidhnin njëherësh organet drejtuese dhe delegatët për Konferencën Kombëtare.
Një ditë, kur rrija në zyrën e Sokol Mirakës, shok vuajtjesh që në moshë fëminore, atë kohë përfaqësues i qeverisë me klerin katolik, me seli në Këshillin e Ministrave, më pyeti nëse dëshiroja t’i bëja një vizitë presidentit Sali Berisha. Nuk e di, nëse ishte mendim i çastit nga shoku im apo i nxitur nga Berisha. Asnjëherë nuk e sqarova, madje edhe tani pas gati tre dekadash që po shkruaj, pavarësisht se jam takuar shumë herë me Sokolin. Ashtu krejt instinktivisht e pa menduar thashë: – Dakord!
E telefonoi, dhe ai qe i gatshëm në përgjigje: “Ejani!”.
Ky qe takimi i dytë, por i pari në postin e ri. Pritje me sajdi. Doli te dera me shprehjen: “Mirë se vini!” dhe na shtrëngoi duart. Pas fjalëve të zakonshme e urova për postin e lartë:
– Ju uroj për postin e presidentit të Shqipërisë, megjithëse është më tepër diçka negative se pozitive për momentin.
– Përse?! – më ndërpreu me nxitim e habi.
– Keni ardhur në krye të shtetit në një situatë të papërshtatshme, me ekonomi tërësisht të rrënuar, me një popull të varfër e të kërcënuar deri në vdekje nga uria, e plot halle të tjera. Ju keni premtuar se do e bëni Shqipërinë si gjithë Europa, por s’do jeni në gjendje të bëni asgjë dhe kështu populli do zhgënjehet e ju do largoheni pa lavdi, se tani jemi në pluralizëm politik.
– Keni shumë të drejtë, por kur unë të mos kem mundësi të bëj diçka për mire, do vesh përparësen e bardhë, do marrë bisturinë dhe do shkoj në zanatin tim, – tha me një farë nervozizmi dhe mllefi të përmbajtur në adresë të vërejtjes sime, edhe pse formalisht më dha të drejtë.
– Për atje, i ke duart e arta, – i tha Sokoli teksa i rrahu shpatullat në shenjë respekti për profesionin.
Tashmë biseda mori një trajektore jo të këndshme për presidentin, i cili qe mësuar të lajkatohej.
– Do të shkoni përsëri në emigracion? – bëri sondazh provokativ deri në ndjenjë atdhetarizmi, njeriut që gati ishte shuar për demokraci. Kjo tregonte ashiqare bindjen e tij komuniste dhe ndërgjegjen e mbrujtur me ideologjinë e së keqes.
– Pse, sipas jush, nuk kam vend në atdheun tim? Tërë jetën internimeve e burgjeve të Shqipërisë diktatoriale dhe tani që jam i lirë, të marrë rrugët e botës?
– Jo nuk e thashë me atë qëllim, mos më keqkuptoni, – tha me gjysmë zëri dhe pa orën për të na thënë se takimi mbaroi. U larguam bashkë me Sokolin nga presidenca.
Përjashta u ndamë, ai për në zyrë, unë në punën time. Gjatë rrugës analizoja bisedën me spont ndaj njëri-tjetrit. Ishim dy karaktere gjithsesi të ndryshme e të papajtueshme. Ishim dy botë në antipod me njëra-tjetrën.