Një ditë përpara fillimit të argumenteve përmbyllëse në gjyqin e shumëpërfolur ndaj artistit dhe producentit të njohur Sean “Diddy” Combs në New York, prokurorët kanë ndërmarrë një lëvizje të papritur duke u tërhequr nga disa prej akuzave më të rënda dhe të debatueshme ndaj tij.
Në një zhvillim që ka marrë vëmendje të gjerë mediatike, prokuroria ka hequr dorë nga akuzat për rrëmbim, tentativë për zjarrvënie dhe ndihmë apo mbështetje në trafikim seksual – elementë që ishin pjesë e padisë fillestare dhe që lidhen ngushtë me pretendimet për përfshirje të Diddy-t në një skemë të dyshuar të krimit të organizuar.
Konkretisht, prokurorët pranuan se nuk kanë arritur të provojnë përtej dyshimit të arsyeshëm se Diddy kishte rrëmbyer ish-punonjësen Capricorn Clark, e cila sipas padisë ishte dërguar në një magazinë për t’iu nënshtruar një testi me detektor gënjeshtre, si dhe këngëtaren Cassie, e cila dyshohej se ishte mbajtur kundër dëshirës së saj në një hotel në Londër.
Gjithashtu, është tërhequr edhe pretendimi se Diddy dogji makinën e reperit Kid Cudi për motive xhelozie, pasi prokuroria nuk arriti të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë midis Diddy-t dhe zjarrvënies. Të gjitha këto elementë ishin pjesë e akuzës më të madhe për krim të organizuar, një akuzë e cila tani duket e dobësuar.
Megjithatë, një pjesë e akuzave për trafik seksual mbetet në fuqi. Prokurorët kanë bërë të qartë se nuk do të ndjekin më pretendimet për ndihmë dhe mbështetje në trafikim seksual, por nuk janë tërhequr plotësisht nga akuzat për detyrim dhe shfrytëzim seksual.
Në një kërkesë zyrtare për udhëzime ndaj jurisë, prokuroria ka kërkuar që anëtarëve të saj t’u theksohet se:
Dhënia e pëlqimit për marrëdhënie seksuale në të kaluarën nuk përjashton mundësinë që ky pëlqim të tërhiqet në një moment të mëvonshëm.
Marrja e pagesës nga një viktimë e mundshme (e identifikuar si “Jane”) nuk e përjashton faktin që ajo mund të ketë vepruar nën detyrim ose presion.
Trafikimi seksual nuk kërkon domosdoshmërisht dhunë fizike apo akte të paguara – mjafton çdo formë detyrimi për të përmbushur kriteret ligjore të kësaj vepre.