Letërsi

Dalin pesë finalistët e Çmimit Kadare 2025, fituesi shpallet të dielën në Llogara

Shkruar nga Liberale

Dalin pesë finalistët e Çmimit Kadare 2025, fituesi shpallet

Emra të njohur të zhanreve të ndryshme të letërsisë shqipe janë shpallur finalistë të Çmimit Kadare 2025. Mimoza Ahmeti, Stefan Çapaliku, Gazment Krasniqi, Armand Bora dhe Enird Malile janë autorët që prekin me dorëshkrimet e tyre fazën finale të një prej çmimeve më prestigjoze që jepet sot në Shqipëri. Fituesi do të bëhet i ditur gjatë aktivitetit “Shkolla Dimërore e Humaniteteve”, i cili zhvillohet në datat 21-23 shkurt në Llogara.

Juria e edicionit të njëmbëdhjetë, që për herë të parë përbëhet nga fituesit ndër vite të Çmimit Kadare, me kryetare Vera Bekteshi dhe anëtarë, Loer Kume e Dionis Prifti, ka përzgjedhur pesëshen finaliste mes 40 autorëve që kanë aplikuar këtë vit në adresën online të këtij çmimi mbarëshqiptar që vlerëson prozën më të mirë shqipe.

Përveçse shënoi numër rekord pjesëmarrësish, duke afirmuar vlerën e këtij institucioni të njohur të letërsisë në fillimet e dekadës së dytë të jetës së tij, në këtë edicion spikati jo vetëm larmishmëria e zhanreve (tregimet, romane, drama), por dhe tematikat e trajtuara të cilat sjellin përmes imagjinatës e figurave letrare elementë të realitetit të përditshëm shqiptar e botëror. Ashtu si në edicionet e mëparshme, edhe këtë vit pati pjesëmarrje të lartë të autorëve nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut, si dhe ra në sy numri i lartë i autoreve gra.

Pas njohjes me sinopset dhe faqet e para të dorëshkrimeve, juria përzgjodhi 10 autorë gjysmëfinalistë dhe kërkoi më tej që të njihej me dorëshkrimet e plota të gjithsecilit, për të konkluduar kështu pesëshen finaliste, që i afrohet më tepër misionit të vetë çmimit, të vlerësimit dhe nxitjes së të shkruarit shqip.

Dorëshkrimet finaliste:

1. Armand Bora- Ata që mbijetuan (Dramë)
2. Enird Malile- Planeti leshtor (Tregime)
3. Gazmend Krasniqi- Si shkruhet një roman dashurie (Roman)
4. Mimoza Ahmeti- I vogli (Roman)
5. Stefan Çapaliku- Saga e Sarajevës (Roman)

Vlera totale Çmimit Kadare vlerësohet 10 mijë euro, ku krahas pjesës monetare, fituesit i sigurohet botimi i veprës nga shtëpia botuese UETPRESS dhe promovimi i saj përmes turesh e takimesh me lexuesit në të gjithë Shqipërinë.

Ky konkurs është i hapur për çdo autor që kontribuon në prozën shqipe, pavarësisht vendit ku jeton, profesionit, moshës apo eksperiencës që ka me letërsinë.

Fituesit ndër vite kanë qenë emra të rinj e të njohur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e diaspora. I pari fitues i këtij çmimi u shpall shkrimtari Rudolf Marku me romanin e tij “Tre divorcet e zotit Viktor N.”; duke vijuar me Shkëlqim Çelën dhe përmbledhjen me tregime “Embriologji”; Virgjil Muçi me “Piramida e Shpirtrave”; autori nga Kosova Musa Ramadani me “Profeti nga Praga”; Loer Kume me “Amigdala Mandala; Gani Mehmetaj po ashtu nga Kosova me romanin “Zogjtë e Qyqes”; shkrimtarja Vera Bekteshi me romanin “Pusulla të Verdha”; poetja e re nga Maqedonia e Veriut e cila debutoi me romanin “Duhet të jetë dashuri”; prozatori i ri Dionis Prifti me romanin “Dy javë nën balonë”.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH