Suplementi “Leteratura” i dedikohet letërsisë shqipe, ku nëpërmjet rubrikave të ndryshme vijnë shkrimtarë, rrëfime, kritika, dhe çdo e re rreth autorëve shqiptarë.
Sot do të gjeni në kopertinë: "Rudolf Marku, autori i UET PRESS, poeti laureat i parë shqiptar".
Në hapje të suplementit do të gjeni rubrikën “Çmim”, ku do të lexoni një shkrim me titull po njëlloj si kopertina.
"Shkrimtari Rudolf Marku, autor i UET PRESS dhe fitues i çmimit Kadare, u shpall Poeti Laureat shqiptar. Përgjatë dy viteve, 2020-2022, ai do të jetë në krye të një fushate për të promovuar poezinë shqipe, ndërsa kjo ngjarje shenjon nisjen e një tradite të re për Shqipërinë, në komunikimin e fjalës poetike në mjedisin kombëtar dhe atë ndërkombëtar."
Po ashtu do të gjeni një shkrim nga Gëzim Basha me "Rudolf Marku si një forcë emancipuese në letrat shqipe".
Dhe më tej "Poeti Laureat dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit" ngaDr. Mimoza Ahmeti.
Ndërsa në rubrikën "Kritikë" do të gjeni një shkrim me titull: "Për një Shqipëri, Karl!" Një roman mbi historinë e Shqipërisë" nga Ilirjan Gjika.
"Për në Shqipëri, Karl! është titulli origjinal i romanit të autorit Peter Marxheimer, botuar së pari në Gjermani në vitin 2007. Libri është më shumë një roman historik rreth ngjarjeve që zhvillohet në vendin tonë në prag L. I. Botërore. Por, autori, me shumë mjeshtëri vendos në qendër të tij udhëtimin e një gazetari gjerman, të cilin e lidh me ngjarje dhe persona realë, protagonistë të zhvillimeve historike të kohës. Shoqëruar me nëntitullin: “Një udhëtim ndryshe në vitin 1914’’, autori Marxheimer, na sjell një narracion të përsosur, ndërsa përshkruan një ‘’sagë’’ të vërtetë ngjarjesh të historisë së Shqipërisë, të cilat edhe studiuesit më të zellshëm do t’i kishin pasur zili. Kjo vihet re te subjekti, i cili përbën në vetvete një vëllim voluminoz prej 491 faqesh, ndërsa karakteri i dyfishtë i tij, bën që ai të jetë jo vetëm një roman, por edhe një studim historik i mirëfilltë, duke shtuar me këtë rast edhe më shumë sfidën dhe përgjegjësinë profesionale të autorit dhe të përkthyesit para lexuesit."
"Për veprën “Libri i Fishtës”, nga prozatori dhe studiuesi Ernest Marku", nga Prof.Dr.Tefë Topalli.
"Tregimtari dhe novelisti i ri, Ernest Marku, i sprovuar kohët e fundit edhe në llojin narrativ të romanit, më parë edhe jashtë lëmit letrar në atë gjuhësor me një fjalor të disa autorëve gegë, me titull “Fjalë të turitme të gegnishtes letrare”; na vjen në këtë festë botimesh si mund t’i quajmë me krenari hulumtimet blatuar Poetit të Madh, me një botim që mban emrin pretendues të jetë “Libri i Fishtës”. Është, më së pari, ky vëllim një publikim që radhitet në e korpusin e Fishtologjisë, për të zënë një vend të caktuar aty dhe, njëherësh, tregon se trashëgimi letrar i autorit të “Lahutës së Malcis”, nuk mbyllet së studiuari, por do të vijojë të bëhet objekt vështrimi e kërkimi, si për vargjet lirike, për satirën therëse të gjithëkohshme, për epikën e paarritshme; ashtu edhe në prozë, në ese e publicistikë, në retorikë dhe estetikë, në kritikë letrare e stilistikë."
Këto dhe shumë të tjera do t’i gjeni në suplementin “Leteratura” të Gazetës Liberale. /Gazeta Liberale