Ministrja e Kulturës Elva Margariti ka pritur bashkë me deputetin Eduart Shalsi, ish kampionin legjendar të botës në shah, Garry Kasparov,
“Me kampionin botëror të shahut, shkrimtarin dhe aktivistin për të drejtat e njeriut, Garry Kasparov vizituam një nga muzetë më të veçantë në Shqipëri, "Shtëpia me gjethe", dëshmi e përndjekjes dhe mbijetesës nën diktaturë”, tha ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
“Me këtë rast e njohëm z. Kasparov me projektet tona për ngritjen e të tjera vendeve të kujtesës”, theksoi ministrja.
Kasparov ndodhet në Shqipëri, sinjë prej personaliteteve të shahut botëror, në aktivitetin ndërkombëtar që po zhvillohet këto ditë në qytetin begdetar.
Prej disa ditësh Durrësi është kthyer kryeqendra europiane e shahut, pasi në qytetin bregdetar po mbahet edicioni i 38- të i Kupës Europiane për klube dhe Kupa e 27-të Europiane e klubeve për femra.
Një eveniment madhor, që për herë të parë sjell në vendin tonë elitën dhe legjendat e këtij sporti. Kampionati këtë vit shënoi numrin rekord në pjesëmarrje me 110 ekipe, nga 34 federata europiane. Lojtarët, të ftuarit dhe zyrtarët u mirëpritën nga Presidenti i Unionit Europian të Shahut, Zurab Azmaparaishvili, Presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut dhe Drejtor Ekzekutiv i Unionit Europian të Shahut, Erald Dervishi, Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli, si dhe Presidenti i Nderit i Federatës Shqiptare të Shahut, Eduard Shalsi.