Aktualitet

FOTO/ Berisha nën hetim, drejtuesit e SPAK 'vizitë studimore' në Uashington

Shkruar nga Liberale

Disa nga drejtuesit e SPAK bashkë me kreun e këtij institucioni, Altin Dumani ndodhen këtë javë në Uashington, DC, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një vizitë studimore.

Pjesë e delegacionit është edhe Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, prokurorët që po hetojnë dosjen e Sali Berishës dhe dhëndrit Jamarbër Malltezi për aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani, i cili pasoi me ndërtimin e 19 kullave dhe sipas SPAK i dha një fitim prej 5.4 milionë euro dhëndrit të ish kryeministrit.

Përmes një njoftimi të postuar sot (31 tetor), ambasada amerikane informon se të udhëhequr nga anëtarët e ekipit të Zyrës për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë Jashtë Vendit të Ambasadës së SHBA në Tiranë (OPDAT), zyrtarët e SPAK-ut u takuan me drejtuesit kryesorë të Departamentit të Drejtësisë nga OPDAT dhe Programit Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnimin për Hetimet Penale (ICITAP).

Prokurorët e SPAK diskutuan gjithashtu sfidat e sigurisë me Shërbimin Marshall të Shteteve të Bashkuara, i cili mbron gjyqtarët, prokurorët, stafin e gjykatës dhe dëshmitarët federalë të Amerikës, informoi më tej ambasada amerikane përmes një postimi në facebook.

Pjesë e delegacionit janë dhe prokurorët Dorina Bejko, Klodiran Braho e Vladimir Mara.

Vizita e tyre vjen në një kohë kur ish kryeministri Sali Berisha është nën hetim dhe ka refuzuar të paraqitet në gjykatë për tu njohur me masën e sigurisë ndërsa është përpjekur të mbrojë veten dhe dhëndrin në deklaratat e tij publike në të cilat shpesh ka akuzuar dhe shantazhuar prokurorët e SPAK duke i akuzuar se janë vegla në duart e kryeministrit Edi Rama.

Vizita e drejtuesve të SPAK do të përfshijë gjithashtu takime me Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Departamentin e Drejtësisë, Administratën kundër Narkotikëve (DEA) dhe Byronë Federale të Hetimit (FBI).

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH